Historia e vetëvrasjeve në France Telecom pati bërë shumë bujë në media. Tani mësohet se autoritetet kanë nisur hetimin ndaj ish- shefit të France Telecom, Didier Lombard.
Sipas BBC, hetimet lidhen me vetëvrasjen e më shumë se 30 punonjësve gjatë periudhës 2008-2009, kur Lombard ishte në detyrë.
Nisja e këtij hetimi formal është faza e fundit përpara se akuzat të shkojnë në sistemin gjyqësor francez.
Lombard shkroi në Le Monde se ristrukturimi i kompanisë mund të ketë mërzitur punonjësit, por tha se kjo nuk i solli vetëvrasjet.
Lombard u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 2010. Ai nuk po mbahet në qeli, por ka paguar 100 mijë euro për lirim me kusht.
Niveli i vetëvrasjeve në France Telecom nuk është më i lartë se mesatarja kombëtare, raporton BBC, por vdekjet patën tërhequr vëmendjen e madhe të medias.
Shumë nga ata që vranë veten, lanë shënime ku fajësonin presionin nga menaxhmenti për këtë gjë.
Kur Lombard mori detyrën në vitin 2005, mijëra vende pune u shkurtuan për të përmirësuar eficencën.