Qeveria e Kosovës ka vendosur edhe sivjet të bëjë diskriminime brenda administratës shtetërore, duke shpërblyer me “paga ekstra” një ekip prej rreth 200 nëpunësish civilë. Të privilegjuarit nuk do të shpërblehen në emër të arritjeve në punë, por për shkak të funksioneve që kanë.
Për t’i mbajtur brenda ministrive, kryeministri Hashim Thaçi është shprehur i gatshëm që disave prej tyre t’u japë deri 1.800 euro në muaj, edhe pse vetë paguhet 1.440 euro.
Pagesat “ekstra” për nëpunësit civilë do të bëhen nga Fondi për Kuadro, që ndryshe njihet edhe si Fondi i Trurit.
Ky fond 1-milionësh është zhbllokuar më 5 korrik, pas gjashtë muajsh ngrirje, për shkak se u gjetën keqpërdorim dhe dallime në pagesat për stafin me kualifikime dhe me pozita të njëjta nëpër ministri të ndryshme.
Në listat e përfituesve janë gjetur edhe sekretarë të përhershëm të ministrive, si dhe këshilltarë të jashtëm./KD