Federata Braziliane e Futbollit ka vendosur të cilësojë fajtor mbrojtësin Rafael për dështimin në finalen olimpike për medaljen e artë, ku seleçao u mund 2-1 nga Meksika. Një pasim i gabuar mbrapa i mbrojtësit të Mançester Junajtid solli golin e avantazhit të meksikanëve pas vetëm 28 sekondash lojë duke komplikuar ndeshjen për brazilianët që nuk arritën të kontrollonin më ndeshjen.
“Mbrojtësi i djathtë, Rafael, e di që ai ka bërë një gabim që solli golin e parë meksikan në finalen olimpike në Londër”, shkruhej në komentin e shfaqur në faqen zyrtare të internetit të 5 herë Kampionëve të Botës, të cilët nuk kanë fituar asnjëherë arin olimpik.
“Kjo nuk mund të mohohet. Megjithatë, me aftësitë dhe vendosmërinë e tij, numri 2 nuk mund të njolloset nga ky gabim që ka bërë. Gabimet bëhen për t’u korrigjuar dhe Rafael e di një gjë të tillë. Më vonë, kur gjërat të jenë qetësuar, ai do ta shohë përsëri veprimin dhe do të mësojë nga ai. Në fund të fundit, të gabosh është njerëzore dhe ne mësojmë nga gabimet tona”, ishte komenti që u shfaq në faqen e Federatës Braziliane.
Kritikat e zyrtarëve ishin në kontrast të plotë me atë të lojtarëve dhe trajnerit Menezes të cilët mbrojtën lojtarin që aktivizohet me sukses në kampionatin anglez. Vetë trajneri deklaroi se Brazili duhej fajësuar në grup, pasi kishte patur 89 minuta në dispozicion për të barazuar rezultatin dhe nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Ndërsa sulmuesi Neimar tha se çdo lojtar, përfshirë edhe vetë atë, ishte përgjegjës për këtë humbje