Dialog, për të evituar dhunën

20 Gusht 2012, 11:09Rajoni TEMA

Nëse nuk do të ketë dialog me përkrahje edhe të opozitës, atëherë situata e sigurisë do të rrezikohej tej mase, pasi kryeministri Hashim Thaçi nuk e ka fare ndërmend t’i hyjë i vetëm dialogut politik me Serbinë.

Një qëndrim të tillë e ka dhënë për “Zërin” një zyrtar amerikan që merret me çështje të sigurisë, duke e arsyetuar atë me zgjedhjet e pashmangshme emergjente që do të mbaheshin me dorëheqjen e Thaçit e të cilat më pas “të gjithë e dimë se si do përfundojnë”.

Ky zyrtar amerikan ka folur për vjedhjen e votave, një fenomen i njohur mirë në Kosovë, diçka që po të ndodhte sërish “shumë vështirë do jetë që të parandalohet një eskalim i situatës së sigurisë”.

“Partitë e opozitës nuk po e llogarisin fare që po erdhi deri te zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mund të mbeteshin me përqindje të vogla në parlament dhe kjo më pas do të rrezikonte një konflikt mllefi mes përkrahësve të partive. Vetëm kujtoni atë që ndodhi në Malishevë mes zyrtarëve të Vetëvendosjes dhe atyre të PDK-së”, ka vlerësuar ai në kushte anonimiteti.

Pak ditë më parë, ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, i tha Zërit se “asnjë qeveri nuk do t’i futet një dialogu politik me Beogradin nëse mendon që do t’i ngulet thika në shpinë nga opozita”.

Ndërkaq zyrtari amerikan që ka folur në kushte anonimiteti me “Zërin” thotë se në AAK nuk ka kundërshtarë të dialogut politik me Serbinë, por vetëm disa pjesëtarë që më parë kanë qenë të shqetësuar me mundësinë e hyrjes në koalicion me PDK-në. Ai edhe ka sugjeruar që të kontaktohet kjo parti për të konfirmuar nëse të gjithë janë pro dialogut me Serbinë apo jo?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje