Pas 20 vitesh demokraci çështja e pronave sërish në kaos. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut për pronat dhe afati limit që i ka lënë qeverisë për zgjidhjen e çështjes së dëmshpërblimeve. Flet drejtuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Agim Toro
Nga Sebi Alla
Kur presidenti amerikan Barak Obama u takua me ushtarakët që luftonin në Irak, përmendi disa herë 4500 marinsat e vrarë gjatë luftës në këtë vend. Ishte bilanci i një konflikti të ashpër dhe të gjatë. Por edhe ne si komb kemi pasur një “luftë”, në një kohë që mendojmë se jemi në paqe. Konflikti për pronën në 20 vitet e fundit ka shkaktuar 4000 viktima. Kjo shifër sa e lartë, aq edhe e frikshme, ka dalë nga të dhënat zyrtare të policisë në dy dekada, por që është bërë publike si nga shoqatat e ish-pronarëve ashtu edhe ata të pajtimit të gjaqeve. Fise të tëra dhe individë kanë mbetur viktima të një toke në bregdet, të një ngastre në fushë apo edhe të një copë are në malësi. Dhe këtu llogaritet edhe çështja e një shtëpie, një borxh për pronën, apo konflikte që nisin për një pulë që kalon gardhin dhe mbyllen me të shtënat e armëve. Në disa anë të vendit ka zënë vend edhe shprehja “kush prek pronën ka shkurtuar jetën”. Por pikërisht për këtë çështje, politika e ka zgjatur jetën e saj, pa zgjidhur problemin aq shumë të debatueshëm që ka të bëjë me pronarët e vjetër, (duke ia humbur konotacionin të ligjshëm). Me reformat e ndjekura deri më tani ata kanë mbetur dhe po mbesin ish… Dhe të tjera lajme do të vijnë për vrasje për shkak të pronës, sidomos pas vendimit për kalimin e ligjit 7501, nga tokë në përdorim në pronësi të plotë.
Disa gëzojnë se po bëhen pronarë, të tjerë shpresojnë të mos mbesin ish-pronarë. Mijëra gjyqe e miliona fashikuj me dokumente vërtiten në dyert e sistemit të drejtësisë, në zyrat e pushtetit qëndror dhe në skutat e pushtetit lokal. Në fund, prona është vështirë të shkojë tek i zoti. Dhe kur nuk gjendet zgjidhje nga politika, që ka shtrirë duart e saj kudo duke e ngatërruar me ligj e pa ligj çështjen e pronësisë, mbetet vetëgjyqësia. Pikërisht kjo ka sjellë edhe katër mijë të vrarë për konflikte pronësie në dy dekadat e fundit. Janë vrasje që ndodhin në çdo cep të vendit. Në mes të zonave urbane, në pikat turistike dhe në fshatrat e humbura të vendit. Disa vriten për miliona dhe të tjerë qoftë edhe për një vijë uji, apo një copë gardh. Por ç’po ndodh me pronat në vend? Tersi nisi që në atë periudhë që u mendua se do të vinte demokracia. E para filloi me ligjin 7501 ku në ish-kooperativat dhe fermat bujqësore në gushtin e atij viti, u shpërnda tokë në bazë të frymëve. Dokumentat e vjetra nuk u morën në konsideratë, kushdo që kishte një familje të madhe do merrte edhe pronë të madhe. Mjaftonte që ai të ishte banor i asaj zone dhe me komisionet që u ngritën fshatçe edhe puna u krye po aq fshatçe. Dukej sikur ishin të barabartë të gjithë, por u bë një parcelizim i skajshëm i tokave bujqësore. Fshatarët e quanin vetën pronarë të këtyre ngastrave, por ligji që u dha tokë i ngjante reformës agrare të vitit 1946. Me moton që duhet të ishin të gjithë të barabartë dhe që toka i takon atij që e punon. Mbi 60 për qind e popullsisë së vendit ishte përdoruese e tokave bujqësore dhe fermave. Edhe ligji e kishte parashikuar që këto toka do të ishin në përdorim dhe jo në pronësi të plotë. Pas 20 vitesh jo efektive, çështjes së pronës në fshat u mendua t’i jepet një tjetër drejtim.
Drejtuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Agim Toro, shprehet se politika në dy dekadat e fundit ka bërë shumë pak për kategorinë e ish-pronarëve të ligjshëm, duke mos marrë në konsideratë parimin që prona është e shenjtë. “Për ligjin 7501 politika e të dy krahëve e pranon se është ligj i gabuar, pasi nuk ia arriti qëllimit për zhvillimin e bujqësisë dhe realisht u shkatërruan vlerat e bujqësisë dhe u parcelizua prona”, kujton Toro. Ndërsa maji i këtij viti nuk ishte vetëm muaji i nisjes së mbjelljeve, por edhe të “korrurat” e një vendimi qeverie. Sipas draftit, pronat e ish-kooperativave dhe fermave bujqësore do të kalonin nga statusi i përdorimit, në dhënien e certifikatave të pronësisë. “Sipas të dhënave zyrtare, rreth 70 për qind e titujve të pronësisë, kishin të meta dhe janë lëshuar në kundërshtim me vetë ligjin në vetvete, sidomos në zonat përqark qyteteve”, shprehet Toro. Është fjala për ato komuna dhe drejtues të tyre që tokën bujqësore e kthyen në pronësi të plotë dhe më pas lëshuan edhe leje për ndërtimin e apartamenteve. Nëse fshati mbeti me ngastra të copëzuara në pak dynym dhe i mbetur djerr, në periferitë e qyteteve dhe në brendi të tyre do të ndodhte një tjetër batërdi. Ndërtimet pa leje përfshinë shumë treva të vendit dhe veçanërisht qytetet e mëdha dhe zonat bregdetare.
Nisi vrullshëm në vitin 1993 për t’u kthyer më pas në një problem të mirëfilltë të konfliktit të pronësisë dhe ndërtimeve ilegale. Peshorja e interesit, u mat mirë nga politika. Asaj i nevojitej më shumë mbështetja e ilegalëve sesa kategoria e ish-pronarëve të ligjshëm. Për arsyen e thjeshtë se të parët kanë më shumë vota. Sipas Toros, aktualisht është një situatë ku më shumë se të drejtat e qytetarëve, politika peshon votat që do të tërheqë. “Qëndrimet tani nuk janë pro pronarëve, sepse në kuptimin e së drejtës pronarët kanë plotësisht të drejtë dhe këtë e kanë provuar dhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Problemi qëndron se kush i jep votën. Janë 80 mijë ndërtime të reja pa leje, do të thotë se këto 80 mijë familje kanë minimalisht tre anëtarë dhe në një përllogaritje minimale janë 240.000 vota”, shprehet Toro, duke shtuar se këto vota janë më shumë se numri i votave që mund t’i japin pronarët. Këta kandisen kollaj, pasi ish-pronarët politika i konsideron si prioritet, jep premtime të bollshme, por kur vjen çështja e kompensimit, i bën bisht problemit. Ku të ankohen?
Ka mbetur vetëm Gjykata Ndërkombëtare e Strasburgut dhe këtu duket se nuk duan t’ia dinë se çfarë problemesh ka Shqipëria. I referohen ligjeve dhe të drejtës themelore të njeriut për pronën. Vendimi më i fundit i Gjykatës së Strasburgut është ai i 31 korrikut. Katër familje ish-pronarësh kishin paditur shtetin shqiptar dy vjet më parë për moskompensim të pronës që ata dispononin. Fatura që iu pre shtetit shqiptar ishte e rëndë, plot tre milionë euro për katër familje. Por më shumë se kjo vlerë, vlen thelbi i vendimit. Sekretari i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” rrëfen se faturat financiare që mund të vijnë nga Strasburgu për çështjen e pronave do të jenë të lartë. Për më tepër që vendimi i 31 korrikut ishte në bllok edhe për çështjet e tjera të ngjashme. Ky vendim pritet të zbardhet në detaje në fillim të muajit tetor, mirëpo me disa aspekte të këtij vendimi janë njohur nga ish-pronarët. “Bëhet fjalë për një vendim pilot, çka nënkupton se nuk flitet vetëm për disa çështje, por për të gjitha çështjet e ngjashme që do të jenë prezente në të ardhmen. Vendimi parashikon se nëse shpronësimet janë kryer në në mënyrë të padrejtë, këtë gjë duhet ta ekuilibrosh me kompensim monetar ose fizik dhe në rast të kundërt, gjykata do të detyrohet të japë vendime që rëndojnë buxhetin e shtetit”.
Aktualisht në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut janë rreth 650 dosje të ish-pronarëve shqiptarë. Pasi kanë konsumuar çdo instancë në vend dhe nuk janë kompensuar monetarisht ose fizikisht, i janë drejtuar Strasburgut. Por Gjykata Ndërkombëtare ka marrë edhe një tjetër vendim: Për 18 muajt e ardhshëm nuk do të shqyrtojë më ankesa të reja që do të vijnë nga Shqipëria, për probleme të pronësisë. “Ky vendim është i qartë, se i është lënë kohë qeverisë që të zgjidhë përfundimisht çështjen e kompensimit të ish-pronarëve. Pas kësaj kohe nëse nuk do ketë fakte konkrete për dëmshpërblimin e ish-pronarëve, atëherë të gjitha çështjet mund të shqyrtohen në vazhdimësi dhe në bllok”, shprehet Toro. Duke qenë se vendimi më i fundit ishte pilot (vendim i paracaktuar për çështje të ngjashme), mandatet financiare që do të vijnë nga Strasburgu do të jenë aq të rënda sa edhe buxheti vjetor i shtetit nuk do të vlejë për të përballuar dëmshpërblimin. “Ky vendim tregon se Këshilli i Europës dhe Gjykata e tij nuk do ta lerë pa vënë drejtësinë në vend, pavarësisht nga veprimet e padrejta që bën shteti shqiptar ndaj kategorisë së ish-pronarëve. Nuk mund të mos zbatohet vendimi i gjykatave apo i komisioneve të kthimit e kompensimit të pronave, përndryshe dëmshpërblimi do të jetë edhe më i rëndë për buxhetin e shtetit”, argumenton Toro.
Në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara, Shqipëria bën pjesë në ato shtete që kanë miratuar klauzolën e cila përcakton se çdo vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut do të ekzekutohet. Fatura financiare që pretendon kategoria e ish-pronarëve kap shifrën e rreth 20 miliardë eurove dëmshpërblim për zgjidhjen përfundimtare të çështjes. Kjo shifër shumë qytetarëve mund t’u ngjajë e ekzagjeruar, mirëpo qeveria aktuale dhe të tjerat që do vijnë nga pas, po ia shtojnë vetes telashet. Vendimi i majit të këtij viti, që të gjithë banorët që kanë përfituar pronë në përdorim me ligjin 7501 kanë të drejtën e plotë të pronësisë mbi të, pritet të sjellë të tjera probleme sociale. Ka të bëjë me konfliktet e reja që do të lindin mes pronarëve të rinj dhe atyre që pretendojnë se me dokumente të vjetra prona u përket atyre. Disa nga ish-pronarët e vjetër i kanë paraqitur dokumentet për kompensim, por shumë të tjerë nuk i kanë ndjekur këto procedura duke pretenduar se pronat e dhëna me ligjin 7501 në një kohë të ardhme mund t’u kthehej ish-pronarëve të vjetër. Tashmë për ta shpresa është shuar dhe mund të lindin konflikte pasi edhe tokat bujqësore kanë dalë në shitje për troje apo edhe bujqësi. Të përballen me drejtësinë për ta është e kotë dhe do vihet në zbatim përdorimi i forcës. Me ligj, pronarët e rinj kanë të drejtë ta shfrytëzojnë apo ta shesin pronën, ndërsa ata të vjetrit mbeten tek sentenca se prona e të parëve është e shenjtë. Që tani në disa zona periferike të Tiranës kanë nisur konfliktet për pronësinë dhe janë shtuar denoncimet në polici mes palëve. Falsifikimet, gjyqet, ligjet, premtimet dhe politikanët që kanë soditur problematikën që gatuan vetë do vazhdojnë. Tashmë ajo për të cilën politika nuk mban përgjegjësi, janë varret e hapura për çështje pronësie. Paçka se viktimat prehen të “qetë” në varrezat që janë pronë e të gjithëve./KLAN
Ne Strasburg do perfundojne te gjithe hajdutet me cizme!
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/09/stop-vjedhjes.html
Kto pronaret sjan ne vehte, akoma se kan kuptu se ne kto te socmit, jan po ata qe moren pjese ne shtetzimin e tokave, ku keni pa ju dhe me ja u morr e masnej me ja u kthy, ke pare bleje ske, rri aty dhe boj hije, se leshn e currit ke per tmor, ju na duheni vetem nji dit ne kater vjet, sa te hudhni voten, masnej lutjuni zotit.
Komunistet ajdute te prones.
Komunizmi beri boten kancer vecan me pronat,ky kancer ne Shqiperi leshon metastaza te reja sepse politikanet pa prona u bene me prona.Qe nga I.Meta dhe ne bishtat e tij.
Eshte marezi kur saliu prokllamon:Shqiperia po ndryshon,jo kjo do ndodhe kur c’do pronar te mare pronen,ne mungese te tij pasardhesit, deri ne me i largeti.
Pas kesaj fillon ndryshimi ne allbanistan,zoti sali.Ta kini te qarte ju politikanet e c’do partije qe kini grabitur pronen e shqiptarit te ndershem.Zoti dhe ligji edhe ne var do tu denojne per kete kancer.
Ketu spo shoh ndonje koment.Per pronat ska shume komente se te gjithe pronat e shqiptareve i morrem ne camet. Ska problem se shpejt ne do kthehemi ne Greqi dhe do jua kthejme shqiptareve ato qe i vodhem keto 20 vjetet e fundit.
ligjin 7501 e gatoi agjentura greko serbe ne parlamentin shqiptar dhe po e ha populli budalla shqiptar ky ligj ka fut vella vrasjen kjo ka qene strategjia e komshinjve tane nder shekuj po nuk shkoi toka ke izoti ky vend nuk do beje hajer asnjehere partite shqiptare sjane gje tjeter vecse kupola te agjenturave greke serbe sidomos ps dhe pd ro…t ku ti kene rrace ku…ash
Nuk mer me pronari i ligjshem me prone ne kete vend po nuk pati post ne qeveri si presidenti yne i nderuar si ata te gjirit te lalesit dhe shume e shume pushtete mbajtes por per ata qe e jane ropatur prej 70 vjetesh te mos e coje ndermend o z torro se ju more gjthcka dhe u degdisen neper burgje si kulake te internuar ne cini macin dhe tani ska prone . Por ta dine se ky vend nuk gjen dermanepo nuk shkoi prona te i zoti sic u more ne 1946 dhe te kthehet po ashtu nuk mund te gjeje qetesi por vetem do te na vrasin vella me vella mjere ne nga kush presim e tmerrshme
Une as kam qene as nuk jam pronar dhe po flas si njeri i paanshem.Gjate gjithe historise tokat dhe objektet e kultit kane kaluar nga njera dore ne nje tjeter.Kur turqit e pushtuan Shqiperine,ata i joshen shqiptaret me toka dhe ofiqe,duke krijuar shtresen e pronareve te pasur te familjeve te toptaneve,verlaceve,vrionasve etj.etj.Qe kane sunduar per shekuj njerezit e thjeshte dhe te varfer.Nderruan fene me dhune,i kthyen kishat ne xhami. Pas ardhjes ne fuqi te komunisteve u be e kunderta,pronat i mori shteti dhe kishat e xhamite u kthyen ne stalla,magazina dhe shtepi kulture.Kjo e fundit eshte nje gje e admirueshme.Domethene te gjithe i humben pronat.Shteti u be pronar.Pas vitit 1991,U ngrit perseri koka per t’u rene kembeve,por kembet nuk ishin me ata injorantet ne kohen e Perandorise Osmane ,por njerez me kulture koke dhe i kishin kuptuar padrejtesite e bera ne te kaluaren dhe i pushtuan tokat dhe shtepite .Keshtu historia po perseritet dhe keshtu do te jete gjithnmone.Nje here ua ve ,nje here ta vene. Mjaftohuni me ato qe keni dhe rrini te qete,se historia perseritet.