Nëse Bashkimi Europian e ka seriozisht…

25 Shtator 2012, 10:22Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Para se të merrnin statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE), të gjitha shtetet që janë sot anëtare ose janë në pritje për t’u bërë anëtare të tij, kishin realizuar të paktën dy rotacione pushteti radhazi nëpërmjet zgjedhjeve të mbajtura në kushte normale. Nga ana tjetër, Shqipëria, e cila pret të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ka realizuar në historinë e saj vetëm një rotacion pushteti me zgjedhje në kushte normale – në vitin 2005. Rotacionet e tjera të pushtetit në Shqipëri kanë ardhur gjithnjë pas situatave traumatike në të cilat ka kaluar vendi.

Siç duket, këtë fakt historik ka pasur parasysh Hannes Swoboda, kryetari i grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, në intervistën që i dha mbrëmë televizionit Top Channel. Sipas Swobodës, një nga mundësitë është që vendet anëtare të BE-së të votojnë tani propozimin e Komisionit Europian për status kandidat ndaj Shqipërisë, por duke thënë se do të presin deri në fund këshillën e qartë të Komisionit pas zgjedhjeve të ardhshme – nëse zgjedhjet e ardhshme shkojnë mirë, atëherë ky vendim validohet, përndryshe vendimi do të jetë nul dhe i pavlefshëm.

Një mundësi e dytë sipas Swobodës, është që vendet anëtare të BE-së të thonë: “Po, statusin po ua japim, por nisja e negociatave të anëtarësimit do të bëhet vetëm pasi të shohim se zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme”.

Për një udhëheqës normal të një vendi, një kushtëzim i tillë për vazhdimin e procesit të integrimit në BE, do të ishte një mesazh i qartë, të cilin ai nuk do ta injoronte kurrsesi. Por udhëheqësi aktual i Shqipërisë ka dhënë prova se nuk është një udhëheqës normal.

Ai nuk pranoi të përsëriste zgjedhjet në 40 zona në vitin 1996, edhe pse kjo iu kërkua publikisht nga aleati më strategjik i vendit të tij, SHBA-ja. Dhe kjo kokëfortësi e tij i solli vendit një izolim të fortë diplomatik. Ai nuk pranoi këshillën publike të ambasadorit amerikan që të nxirrej rezultati paraprak i zgjedhjeve të 2011-ës në Tiranë, para se të kërkoheshin vota nëpër “kutitë e gabuara”, dhe si rrjedhojë, Sekretarja e Shtetit Klinton, kur i paraqiti Kongresit të SHBA-së raportin vjetor mbi praktikat e të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës, shkruante për Shqipërinë: “Një ambjent i polarizuar zgjedhor, i karakterizuar nga incidente manipulimi dhe numërim i kundërshtueshëm votash, minuan të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar qeverinë e tyre në mënyrë të lirë”.

Të dy këta shembuj, njëri nga e kaluara e largët dhe njëri nga ajo e afërt, të bëjnë të mendosh se Berisha, udhëheqësi aktual i Shqipërisë, mund të mos tutet nga kushtëzimi për vazhdimin e procesit të integrimit në BE që kjo e fundit ka ndërmend t’i bëjë. Ai mund të ndjekë si deri më sot politikën e faktit të kryer në lidhje me zgjedhjet – t’i fitojë ato me hir a me pahir dhe të fajësojë opozitën për mospranimin e rezultatit.

Dhe ç’do të bëjë atëherë BE-ja? Thjesht do të mbyllë derën e integrimit europian për Shqipërinë edhe për disa vjet të tjera…

Por a ka një opsion të tretë BE-ja, përveç atyre që përmendi Swoboda në intervistën dhënë Top Channel-it?

Një opsion të tillë, në mënyrë diplomatike, duket se e ka sugjeruar Ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë OSBE, Ian Kelly, kur ka diskutuar mbi raportin vjetor të prezencës së OSBE në Tiranë. “Jemi të shqetësuar se njëanshmëria që mbizotëroi gjatë gjithë procesit të zgjedhjes së presidentit mund të vazhdojë, apo edhe të shtohet, teksa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm,” tha ai.

Dhe në përgatitjet për këto zgjedhje, formimi i KQZ-së së re është padyshim hapi më i rëndësishëm. Zgjedhja në krye të saj e një kandidati të njëanshëm me 71 votat e shumicës – pra, jo me konsensusin e opozitës – do të ishte paralajmërimi më serioz për një përsëritje të skenave të majit 2011, të cilat, sipas Sekretares së Shtetit Klinton (shihni më lart), minuan të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar qeverinë e tyre në mënyrë të lirë.

E pra, BE-ja duhet të ketë të njëjtin shqetësim si të diplomacisë amerikane për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 2013-ës dhe nuk duhet të presë deri sa ato të përfundojnë, që ta shprehë shqetësimin pas faktit të kryer. BE-ja, në qoftë se do sinqerisht që këtu të zhvillohen zgjedhje të ndryshme (për mirë) nga ato të 2011-ës, duhet ta ngrejë zërin në mënyrë ultimative tani që Kuvendi i Shqipërisë po përgatitet të zgjedhë anëtarët dhe kryetarin e KQZ-së së re dhe para se të na japë statusin e kushtëzuar që përmend Swoboda. Sepse, siç thotë një proverb shqiptar, nuk ia vlen të shpresohet se ujku nuk do t’i hajë mëlçitë që i janë varur në qafë…

http://respublica.al/opinion/2012/09/25/nese-bashkimi-europian-e-ka-seriozisht

4 komente në “Nëse Bashkimi Europian e ka seriozisht…”

  1. LORIK says:

    Zoti Zaloshnja!
    Sa seriozisht mund ta kesh me figura te tilla ne krye te ministrive?!!!!!
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/09/the-outsider-fn.html

  2. fule says:

    Mjafton te shikosh si sillet SRBerisha ne kohe zgjedhjesh, per te kuptuar se sa i rrezkshem eshte zvarraniku.

    Po kesaj radhe do shkoj me paterica qe do i thyen perfundimisht pas zgjedhjeve

  3. ajdin says:

    Ne cofte se arrihet kjo eshte nje sukses i madhe i Edi Rames.Pse thoni ju:E para-Sali Berisha ngelet me gishte ne goje,deri tani na ka merzitur duke dhene cdo dite eshte opozita ajo qe bllokon,tani tel hapur qe bllokimin e bene ku njeri me emrin Sali bashke me kriminelat e zgjethjeve te lira.E dyta:Edi Rama duhet te dale hapur tani e te flase se qenka Sali Berisha ai qe bllokon.ARSYJA-Sali serbi nuk ka dashur qe te shkoj shqiperia ne EUROP perpara Serbis,mos ne do bllokojme Serbin per antarsim derisa kjo te njohe Kosoven.Ja pra nuk do as mend as kalem,kete cdo shqiptar i ndershem e di.Si puna e Grekut me Maqedonin,kesaj eshte frikur Sali serbi.

  4. aleksandri i madh says:

    Kemi 22 vjet qe drejtohemi nga Vucidol Vucidolovici. Atehere une mendoj se te gjitha partite politike opozitare duhet ti bejne thirrje BE-se qe per Lukashenkon nga Vucidoli dhe ministrat e tij te vendoset embargo. pra ndalim udhetimi ne vendet e BE-se. Vetem keshtu ky qen plak do te detyrohej qe te respektonte vendimin popullor per zgjedhje te lira.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje