Gjërat duket sikur po shkojnë keq, por në të vërtetë ato po shkojnë mirë. Këtë e thotë dikush, por jam i bindur që e mendojnë disa. Disa prej atyre shqiptarëve, të paktë shumë në numër, që nuk kanë më asnjë lidhje me atë që ndodh pranë vilës së tyre, nëpër rrugët e rrugicat e Shqipërisë, jashtë mureve të kështjellave ekonomike që ngritën rishtazi e si duke luajtur. Këta dhe shpura e tyre e shikojnë politikën si një vegël në shërbim të interesave vetjake. Dhe për ta bërë këtë e kanë lidhur ngushtë fatin e tyre me atë të pushtetit.
Disa prej tyre syresh, kanë filluar të veshin petkun e intelektualit dhe si për ta mundësuar këtë sa më mirë, kanë ngritur principate të vogla mediatike apo dhe pole universitare prej nga dhe lëshojnë parashikime dhe profeci, si të ishin perla të vyera dhe të nevojshme për vetëdijen tonë si shoqëri e si komb.
Gjithsesi, sa herë i shoh dhe i dëgjoj këta, nuk më shqiten nga mendja ato historitë e vjetra me poça apo qypa të mbushur me flori, të zbuluara rishtazi në një bahçe të braktisur, fshehur aty disa dhjetëra vite më parë nga ndonjë plak matuf dhe kurnac. Sepse historitë e suksesit që ata rrëfejnë përngjajnë kaq shumë me këto ndodhi, fryt i imagjinatës kolektive, apo të mundura vetëm në përralla për fëmijë. Por bahçja ku ata gjetën këtë qyp me flori, është një vend diku aty midis ndërgjegjeve të cungëta dhe të mirës së përbashkët. Ndaj dhe këto histori duhet të na prekin të gjithëve.
Dhe si për të vazhduar më tej paradoksin, gjërat për ta sigurisht që shkojnë mirë sepse ata vazhdojnë e gjejnë qypa me flori në oborrin e pushtetit, duke u majmur dita- ditës më shumë e duke u bërë shtyllë mbështetëse për të. Këta dhe qypat e tyre me flori kanë efektin të ngadalësojnë procesin e ndryshimeve shoqërore në vendin tonë. Këta dhe modeli i suksesit të tyre kanë përgjegjësinë të kenë vyshkur ndjenjën, dëshirën dhe ëndrrën e dëlirët për histori suksesi në dobi të shoqërisë.
Historia me poça vazhdon dhe ndërsa këta nuk rreshtin së përsërituri që gjërat në të vërtetë po shkojnë mirë, nuk ka sesi të mos na vijnë ndërmend historitë e përditshme ku qypat tanë janë mbushur deri në buzë me dhimbje, varfëri dhe dëshpërim.
Ndërsa këta zhysin duart në flori, nuk ka sesi të mos kujtohemi për Bulqizën dhe jetën e mjerët të banorëve të atyre zonave. Ata u rritën dhe jetuan gjithë jetën mbi një tokë në thellësitë e së cilës kishte vërtetë poça, qypa me flori. Nikel, krom, bakër dhe asgjë nga këto pasuri të përbashkëta, as edhe një grimë mineral nuk po shkon për të rritur mirëqenien e tyre, për të ndërtuar rrugë dhe shkolla, për të mbushur me ushqimet e nevojshme dollapët dhe frigoriferët (që nuk kanë) e tyre. Ndërkohë jam i bindur se diçka më shumë se grimca kanë përfunduar në qypat e zotërinjve në fjalë.
Ne shqiptarëve ndër vite na është thënë se jetojmë, grihemi dhe shahemi, mbi një tokë në gjirin e së cilës janë fshehur qypa me ar të zi. Kjo pasuri kombëtare po privatizohet këto ditë dhe qypat po i merr dikush tjetër. Dikush tjetër dhe pak, një grusht shqiptarësh, po e ndajnë këtë pasuri si të ish plaçkë lufte, një luftë ku të humburit jemi ne dhe do të jemi ne nesër skllevërit e tyre. Poçat, qypat e zotërinjve përsëri plot.
Po ka edhe histori me qypa, qypat e zotërinjve sigurisht, që shpërthejnë dhe nga këto shpërthime vdesin dhe kanë vdekur shqiptar. Familjarët e të vdekurve rropaten prej vitesh gjykatave të shtetit të tyre. Drejtësia u mohohet atyre, sepse të kesh akses (akses dhe jo të fitosh, kjo është një histori tjetër) në drejtësinë shqiptare të duhen disa qypa me flori, falë një takse të poshtër që ky pushtet e ka vënë për t’i penguar të varfrit aksesin në drejtësi.
Pra historitë me qypa, me poça të shqiptarëve janë të panumërta. Dhe megjithatë ka disa që thonë: “Hej pse shqetësoheni?! Gjërat nuk po shkojnë keq, gjërat po shkojnë mirë”. Sigurisht që kështu do të thonë këta sepse ata vazhdojnë e mbledhin pasuri nga pasuritë tona dhe çuditërisht mendojnë se këtë gjë e kanë arritur falë mundit dhe vullnetit të tyre. Nuk diskutohet që ka shqiptarë të ndershëm dhe të mirëqenë, por ata nuk i kanë hambarët me qypa, poça me mjaltë e flori.
Gjërat miqtë e mi nuk po shkojnë gjëkundi dhe kjo ka të paktën njëzetë vjet që po ndodh. Prej njëzetë vjetësh në vendin tonë është instaluar Republika e Bananeve, plot me histori me poça e qypa, një kleptokraci e vërtetë që po ia merr frymën ëndrrës së shqiptarëve.
Gjërat nuk duket sikur po shkojnë keq, gjërat po shkojnë keq. Në Itali, kronika e përditshme politike na ofron rezultatet e punës së palodhur të një kategorie të shoqërisë (asaj të magjistratëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve) e cila, dhe për të disatën herë, po rrëzon pjesë-pjesë atë që ata quajnë La Pork Republik.
Ne miqtë e mi mesa duket nuk e kemi luksin të kemi një grup njerëzish në gjirin e sistemit të drejtësisë shqiptare që të na ndihmojë për ta hedhur poshtë këtë pushtet kleptomanësh. Ne duhet ta bëjmë vetë, në familjet tona, në shoqërinë tonë, aty ku punojmë dhe jetojmë. Ne duhet ta bëjmë vetë sidomos atëherë kur, të ndodhur përpara fletës së votimit, na kërkohet të ndihemi e të veprojmë si njerëz të lirë.
“Gjërat duket sikur po shkojnë keq, por në të vërtetë ato po shkojnë mirë. Këtë e thotë dikush, …”
E ka thene….Naim (Henri) Cili!