Yrneku i njëjtë

3 Tetor 2012, 19:45Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Ka disa javë që i madh e i vogël në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë mobilizuar dhe befas po e kritikojnë Salep Sulltanin (për organet e drejtësisë i njohur me emrin Behgjet Pacolli). Njëri “glasnogovornik” i AAK-së bërtet “Kosova nuk është Kazakistan”, tjetri përshkruan problemet, për të cilat mediet kanë shkruar prej vitesh. Jo që nuk duhet të kritikohet Pacolli, i cili dyshohet për spastrim parash, ryshfetdhënie, mosdenoncim të veprës penale, por pyetja është kjo: ku keni qenë ju të AAK-së deri më sot? Kështu veprojnë vetëm hipokritët.

AAK-ja po kritikon tash për t’ia shtruar vetes rrugën që të gllabërojë një copë pushtet. Nuk po kërkon AAK-ja avancim të demokracisë në Kosovë, as ndryshim të legjislacionit zgjedhor që rregullon e garanton mbrojtjen e votës, as zgjedhje të pastra; së fundi funksionarët e kësaj partie madje nuk po e nxjerrin nga goja asnjë fjalë të vetme kritike kundër plaçkitjes industriale të votave nga Hashim Thaçi dhe banda e tij krim-politike, të cilën kryeministri i vendit e ka veshur me pushtet. Dikur Thaçi në takime interne të partisë së tij thoshte se Ukë Rugova drejton një çerdhe të krimit të organizuar, tash të birin e Ibrahim Rugovës e ka “partner” në piramidën e krimit. Tash i biri i Ibrahim Rugovës shkon natën nëpër qymeze salepsulltaneske dhe kërkon ryshfet për “të rregulluar” shitjen e pronës publike, siç është hoteli “Grand”. Duhet të thuhet shkurt e shqip: që një mashtrues i tillë arriti të futet në Parlament është “meritë” e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila pak para zgjedhjeve të dhjetorit 2010 i hapi dyert për të ashtuquajturën “Lista Rugova”.

Në rrethanat aktuale më opozitar po duket Jakup Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës se AAK-ja. Eksponentët e saj kanë filluar tashmë të sillen si ministra, të shkojnë te berberi më shpesh dhe t’i fshijnë këpucët kur të dalin në qytet, të kujdesen mos po stërpiken nga çorba derisa hanë në restorant, të rregullojnë kravatën në çdo pesë minuta. Jo pak prej funksionarëve të AAK-së në mëngjes zgjohen me ëndrrën për të zënë vend në një kolltuk ministri. Më shumë ambicie nuk kanë. Por para se të marrin një copë pushtet, i cili atyre mund t’u sjellë përfitime të menjëhershme dhe do të ishte beden për piramidën e korrupsionit dhe krimit, që e ka ndërtuar regjimi i Hashim Thaçit, AAK-ja duhet të përgjigjet në disa pyetje:

– A është ende AAK-ja ajo partia që e pati “privatizuar” “Ferronikelin”?

– Cilët funksionarë apo ish-funksionarë të AAK-së dyshohet se kanë marrë ryshfet për këtë “privatizim” mafioz?

– Si u bë që kontrata e shitjes së “Ferronikelit” e obligon shtetin e Kosovës ta furnizojë me rrymë këtë ndërmarrje me çmim tepër të lirë? Çka fiton Kosova nga ky “privatizim” dhe nga ky subvencionim me rrymë?

– Gjatë mandatit të saj qeverisës AAK-ja në kabinetin qeveritar kishte dërguar këshilltarë që zyrave dhe korridoreve defilonin me alltia në brez. Athua edhe tani do të veprojë kështu kjo parti?

– A do të jetë shef i kabinetit të kryeministrit të ardhshëm Jahja Lluka? Nëse ndonjë lexuesi nuk i kujtohet ky kuadër, atëherë qe një fakt: i dënuar me burg dhe me gjobë (10 mijë euro) për deklarim të rremë dhe pranim të paligjshëm të kontributeve për “Fondin Haradinaj”.

– Pse askush nga AAK-ja, madje as ata që tërë ditën pozojnë si politikanë me ambicie filozofike, humane dhe gjoja qëllimmira nuk flasin për vrasjet në Dukagjin pas vitit 1999?

– Sa vrasje janë kryer në këtë rajon pas luftës dhe a duhet AAK-ja të ndihmojë në sqarimin e këtyre krimeve të llahtarshme?

– Të gjithë heshtin për rastin e vrasjes së deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Smajl Hajdaraj, në Pejë më 17 janar 2002. Edhe AAK-ja hesht. E vrau organizata kriminale-ilegale e quajtur Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) për shkak të ndikimit që kishte Smajl Hajdaraj në këtë rajon si ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për Rugovë, por i rreshtuar “gabimisht” në LDK? E vranë bandat e ndërsyera nga SHIK-u? Apo falangat e AAK-së? Nëse ndokush mendon se Peja, Dukagjini, Kosova në përgjithësi do ta gjejnë qetësi duke heshtur për krimet, atëherë gabohet rëndë, sepse kjo nuk ka ndodhur askund, në asnjë shoqëri – herët apo vonë kasapët duhet të dalin para drejtësisë.

– Në vend se të gjejnë arsyetime qesharake për t’u futur në Qeverinë e Hashim Thaçit, sepse paskëshin “obligim të merren me veriun”, do të ishte e udhës që eksponentë të AAK-së fillimisht të insistojnë që organet e drejtësisë t’i gjejnë vrasësit apo vrasësin e Enver Haradinajt, vëllait të Ramush Haradinajt. Vrasja ka ndodhur në vitin 2005. Tani jemi në vitin 2012. Me çfarë morali premtohet qeverisje e mirë derisa heshtet për krime?

– Çfarë garancish i jep AAK-ja popullit të Kosovës që nuk do të merret me vjedhje votash? Viteve të fundit me këtë veprimtari nuk janë marrë vetëm “ekipet” mobile të Thaçit. Për shkak të parregullsive edhe në Deçan qenë anuluar zgjedhjet parlamentare (dhjetor 2010).

Në vend se krerët e AAK-së të flasin edhe për dëmet e mëdha që ia kanë shkaktuar kësaj shoqërie, dëme që përfshijnë edhe dyshime për vrasje, reket e plaçkitje, në vend se të dëshmojnë se sado pak kanë ndryshuar – ata në fakt i tregojnë opinionit se nuk dëshirojnë të ndryshojnë gati hiç nga modeli i Hashim Thaçit. I njëjti yrnek, vetëm paketimi pak më ndryshe! Nuk po hyn AAK-ja në Qeveri për të bërë mrekulli, po vetëm për t’ia lehtësuar Hashim Thaçit dhe klanit të tij barrën, e cila përkthehet në “autonomi për veriun”. Ata që mendojnë se Ramush Haradinaj si kryeministër eventual do të bëjë mrekulli – mashtrohen lehtë; do të ketë më shumë aktivizëm dhe aksionizëm, por jo substancë, sepse modeli është i njëjti: përulje ndaj çdo kërkese që vjen nga çdo qymez diplomatik me qëllim të ruajtjes së pushtetit dhe shmangie nga rregullat themelore demokratike. Opsioni “Haradinaj si kryeministër” duket më shumë kalkulim i të eturve për pushtet brenda AAK-së ende pa u ditur epilogu në Hagë. Po ashtu një herë e përgjithmonë duhet të harrohet miti se “100 ditët e qeverisjes së Haradinajt” paskan qenë pozitive për dallim prej kabineteve të tjera. Këto janë përralla, sepse në thelb askush nuk do të dinte të numëronte një ndryshim thelbësor gjatë “100-ditëshit” famoz.

Me rëndësi është që t’i jepet fund edhe praktikës që partia e tretë apo e katërt për nga numri i votave, siç ka qenë dhe është AAK-ja, të kërkojë postet kryesore në shtet. Aq më tepër që AAK-ja nuk mund të konsiderohet parti gjithëpërfshirëse e Kosovës, ashtu siç nuk mund të thuhet se në Partinë Demokratike të Kosovës mund të marrë vendim dikush tjetër përveç atyre që janë lindur e rritur në Drenicë. Kjo vlen edhe për LDK-në, e cila po reduktohet prej vitesh në parti Llapi dhe deri diku Gollaku. Përveç shumë të zezave të tjera “komandantët” e UÇK-së dhe figurat e papërgjegjshme në LDK kanë arritur që pas luftës ta ndajnë Kosovën në bajraqe. Paramendojeni sikur të ndodhte në Gjermani që liberalët (FDP) si parti e tretë (me 14,6 për qind të votave) të kërkojnë postin e kancelarit derisa kristiandemokratët (CDU) kanë fituar 33,8 për qind të votave? Kjo nuk ka ndodhur kurrë në të kaluarën, nuk ndodhi as pas zgjedhjeve të fundit të vitit 2009, sepse FDP ka qenë realiste dhe është pajtuar të ketë postin e ministrit të Jashtëm dhe disa ministri të tjera me rëndësi (ekonomi, drejtësi).

Kosova nuk ka nevojë për eksperimente e koalicione joparimore, siç po projektohet tani nëpër kafehane dhe shtylla gazete nga ana e ndonjë kalemxhiu të AAK-së apo PDK-së; Kosovës i duhet një qeveri teknike gjithëpërfshirëse, e cila do ta përgatiste vendin për zgjedhje të reja më së largu pas një viti. Deri atëherë duhet të harrohet çfarëdo dialogu me Serbinë, sepse ky Parlament nuk ka legjitimitet demokratik për asnjë vendim të rëndësishëm. Në zgjedhjet e fundit, të dhjetorit 2010, pjesëmarrja ka qenë rreth 30 për qind, ndërsa 38 për qind e votave janë vjedhur, sipas raportit të organizatës ndërkombëtare ENEMO. Në këto kushte nuk mund të flitet për demokraci përfaqësuese, por për demokraci të keqpërdorur dhe klienteliste. Zërat e arsyeshëm në çdo parti kosovare, përfshirë edhe AAK-në, do të duhej të koncentroheshin në krijimin e rrethanave ligjore dhe institucionale që zgjedhjet e ardhshme të nxjerrin një parlament legjitim, prej të cilit do të zgjidhej edhe qeveria plotësisht legjitime. Po ashtu vendi duhet të ketë një president apo presidente të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, në mënyrë që ky post i rëndësishëm i përfaqësimit të mbarë shoqërisë të shpëtohet nga pazaret politike dhe përsëritja e skenave pothuaj kriminale që janë parë me rastin e “zgjedhjes” së Behgjet Pacollit si kryetar i Kosovës. Asnjë meritë në lëvizjen paqësore, në luftën e viteve 1998-99 apo pas lufte nuk i jep të drejtë asnjë politikani apo ish-komandanti të UÇK-së ta varrosë demokracinë dhe pushtetin ta shfrytëzojë për pasurim vetjak dhe varfërim të popullit.

5 komente në “Yrneku i njëjtë”

  1. Burgaxhiu UK says:

    Me pak fjale rrumpalle si ne Tirane edhe ne Prishtine

    P.S
    Ju kerkoje ndjese per injorancen po ka ndonje lexues te me shpjegoje ca do te thote “YRNEK”???????????

  2. dritani says:

    Une i mora vesh te gjitha por si Burgaxhiu UK nuk mora vesh fjalen YRNEK.

    Heeeeeeeeeeeeeeeeeeeeelp!!!!!!!!!!!!!

    1. ABC-ja says:

      FGJSH thote: Gjedhe, model, mostër; shembull per dikë a diçka.

    2. Shkodrann says:

      Yrnek eshte model. Eshte fjale nga turqishtja.

  3. DRINI says:

    Rralle mund te lexosh,ne gazetat tona, nje shkrim te ketille:te guximshem,te paanshem,realist dhe me interes kombetar.Ky shkrim eshte nje,çjerrje e maskave,te atyre qe i mbajne dhe mendojne se,populli nuk po i njeh !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje