Europa jonë dhe integrimi

11 Tetor 2012, 09:30Blog TEMA
Europa jonë dhe integrimi

Nga Leart Kola

Nëse ka diçka që popujt e Europës e mësuan mirë gjatë këtyre viteve të fundit, është se nuk ka institucione funksionale pa buruar nga populli, e që burokracia nuk është e mjaftueshme për të materializuar një ëndërr. Parlamenti Europian mbeti rudimentar dhe ata që janë sot mbi 50 vjeç në Europë, sa herë paguajnë në euro, akoma me mend bëjnë llogari me monedhën e vjetër. A është kjo një konservatorizëm i tepruar i një territori të lashtë sa vetë bota? Ndoshta, por jo vetëm. Ëndrra e një Europe të bashkuar lindi nga një traktat ekonomik, por brenda vetes kishte vlera të cilat traktatin e linin krejt në hije, vlera universale si paqja p.sh, që do garantonte një prosperitet të vazhdueshëm në një territor që kish njohur vetëm luftëra të përgjakshme. E pikërisht kur këto vlera reduktohen në thjesht marrëveshje hegjemonike mes qeverive më të pushtetshme në dëm të atyre më pak të pushtetshme, kjo ëndërr zhbëhet dhe fillojnë problemet. Për t’i zgjidhur këto probleme nuk duhet që të diskutojmë për borxhin e jashtëm, mjafton të kthehemi pas te ajo ëndërr që 60 vjet më pare nuk ishte thjesht një marrëdhënie matematikore, por diçka më shumë…

Partia Socialiste para disa ditësh prezantoi në Bruksel disa harta të vjetra të Europës, ku në to qartazi Shqipëria ishte pjesë e pandashme. Më shumë se për të treguar pozicionin tonë gjeografik ku për këdo të interesuar ka një informacion kollaj të aksesueshëm, këto harta mendoj që kishin një efekt të dyfishtë, si për shqiptarët ashtu dhe për përfaqësuesit e vendeve europiane në takim.

Për ne, Europa ka qenë gjithmonë diçka e largët, një vështrim melankolik nga deti, një dimension që në gjuhën e përditshme e quajmë “jashtë shtetit”. Kjo sindromë prej Robinson Kruzoje, ky izolim, gjithmonë na ka bërë të dukemi ndryshe, jo vetëm në sytë e europianëve, por dhe në mendimet tona. Ne nuk ishim si “ata” edhe pse ishim brenda “tyre” në sensin gjeografik. Intelektualë të shumtë e historianë janë munduar të ngrenë teza e bëjnë diskutime të pafundme për të vërtetuar përkatësinë tonë europiane, sa në fund pati dhe një debat mes Ismail Kadaresë e Rexhep Qoses për këtë arsye. Kur në fakt,gjithçka ishte shumë e thjeshtë, mjaftonte të deshifronim mesazhin e pasforcuar të studentëve të 90-ës, ”ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. Pra të ndërtojmë Europën brenda territorit tonë, ashtu siç dukej në ato harta të prezantuara në Bruksel.

Për të bërë këtë duhet të kuptojmë që Europa nuk qëndron as në plotësimin e 12 pikave e aq më pak në marrjen e statusit, por është diçka përtej tyre, që sot e gjithë ditën shfrytëzohen nga qeveritë me radhë për t’i hedhur hi syve popullit. Duke krijuar një imagjinatë të rreme sikur punët me të marrë statusin do na shkojnë si mos më mirë. Nuk mundesh që të bësh Shqipërinë si gjithë Europa, nëse me duart poshtë tavolinës firmos marrëveshje korruptive për t’u dërguar armë në Jemen diktatorëve e përballë mikrofonave flet për integrimin. Ne sot kemi një qeveri hajdute me pamjen e sekserit të integrimit, që i ofron kështu shqiptarëve një ëndërr të rreme.

Ne nuk kemi nevojë për këtë, por për të zhvilluar ekonominë vendore, të punësojmë njerëzit, të mbajmë pasuritë publike në shërbim të popullit e të garantojmë një shpërndarje të drejtë të të ardhurave në vend. Nëse gjykatat tona janë të drejta me të gjithë e jo vetëm me ata që kanë para, kjo është Europa që aspirojmë. Kur nëpunësi publik mos ta llogarisë rrogën në bazë të korruptimit atëherë asgjë më pak nuk do kemi se çfarë ka në Europë. Kështu do ndërtojmë Europën në Shqipëri pa pika e presje, pa 12 rekomandime e 1 mijë takime, por ashtu si në ato harta, krejt natyrshëm. Sepse natyra na ka bashkuar, e për fat të keq politikat anti-popullore na kanë ndarë.

Ne nuk duhet të lemë kurrsesi që ëndrra jonë e përbashkët të transformohet në gënjeshtrën e përveçme të një grupi pushtetarësh, të cilët janë të gatshëm të shfrytëzojnë çdo gjë e çdo kënd, mjafton që të shtynë ditët e tyre vegjetative në karrike të cilat i përdorin vetëm për të mbajtur peshën e trupit të tyre që majmet nga vjedhja e përditshme që i bëjnë asaj që ua garantoi këto karrige, Shqipërisë.

Europa jonë fillon te ndërtimi i spitaleve në veri e i shkollave në periferi. Fillon pikërisht te kjo dashuri për tjetrin që ishte në krye të listës së prioriteteve të ndërtimit të Europës së bashkuar, e cila nuk është thjesht dhe vetëm një tërësi marrëveshjesh ekonomike, por traktati më i lartë i humanizmit ndonjëherë krijuar. Kështu më pëlqen ta lexoj atë ekspozitë hartash, si një formë reflektimi, një kthim tek ideja fillestare, si për ne që e duam, por nuk e kemi, ashtu dhe për ata që të cilët e kanë dhe nuk e duan.

4 komente në “Europa jonë dhe integrimi”

  1. Komplimente Leart, shkrim konciz, i mireorganizuar dhe i sakte!

  2. Eni says:

    O Leart vazhdoni me Mjaft-in e G 99, dhe mos ju varni PS-se ne qafe, se nuk ju do asnje. Jeni njerez kot, parazite qe mbaheni me kontributet dhe djersen e socialisteve.

  3. Ivani i madh says:

    Leart shume mire ben qe shkruan po cu be Mjafti qe ishte aq i pa permbajtur per te rezuar hajdutin dhe kumarxhiun Nano dhe sndiet tani qe vellai i tij semez gjakatar. tradhetar , mafioz e kriminel po i ben gjemen ketij vendi e populli .Sja u mban se krimineli te vret e pasaj te ben fajtor kete besoj mendoni qe sdilni te protestoni ne mbrojtje te grevisteve . AJO DORRA E ATEHERSHME E VENDOSUR NE BEZE , BULEVARDIT A MURET E MINISTRIVE ESHTE ME AKTUALE SE CDO HERE TJETER SE AJO JO VETEM PO LESHON GJAK PO PO DIGJET NGA KY KRIMINE E KLANI I TIJ VRASTAR .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje