Në kuadër të 20 vjetorit të fillimit të aktivitetit, por dhe të prezantimit të një emisioni javor në versionin televiziv on line, DW në shqip do të zhvillojë në fillim të kësaj jave takime me ndjekësit e saj në Tiranë dhe në Prishtinë. Programi i parë radiofonik në gjuhën shqipe i këtij stacioni prestigjoz gjerman u transmetua më 1 qershor 1992 dhe që nga ajo kohë në mënyrë të pandërprerë DW ka vijuar me produktet e saj informative e tematike, duke mbuluar çështje nga rajoni, Europa si dhe eventet më të rëndësishme globale.
Filozofia e DW në shqip është “Vendosje urash – përtej kufijve europianë dhe ndërkombëtarë”. Kohë pas kohe stacioni është përshtatur në performancë duke u orientuar nga multimedialiteti i programeve, duke I kushtuar shumë rëndësi shërbimeve on line.
Më 24 nëntor 2011 DW në shqip në sinkron dhe me disa programe në gjuhë të tjera filloi transmetimin e formatit televiziv on line të emisionit javor 30 minutësh “Europa sot”. Për paraqitjen e produktit aktual dhe perspektivës së DW-së në shqip, në takimet e Tiranës dhe të Prishtinës do të jenë prezentë dhe Drejtori i Programeve, Christian Gramsch dhe Drejtorja e Departamentit peër Europën Juglindore e Qendrore, Verica Spasovska.
Për 20 vjetorin e programit shqip të Deutsche Welle-s Instituti Instituti i Shqiptar Medias në Tiranë ka botuar para pak kohësh dhe një libër që ka për autor korrespondentin prej 15 viteve të këtij stacioni, Arben Muka. Monografia “Ja si duhet të informohem!”, në mënyrë të tematizuar i kushtohet jo vetëm rolit dhe ndikimit të kësaj medie gjermane për shqipfolësit kudo jetojnë, por dhe kontributit të trajnerëve dhe ekspertëve të DW-së për kualifikimin e ekipeve të gazetarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës. Një pjesë e mirë e librit pasqyron mbi 150 opinione nga ndjekës të programit në shqip të DW-së në rajon e diasporë, për mendimet dhe raportet e tyre personale me shërbimet në versionin audio apo ato on line.