Po ai që e vodhi, nuk ka faj fare!?

5 Tetor 2012, 18:52Blog TEMA
Po ai që e vodhi, nuk ka faj fare!?

Nga Koli Bele

Batuta e famshme e Luftar Pajës në skeçin e Estradës së Fierit “Canes i kanë vjedhur lopën”, mu kujtua para pak ditësh kur mediat brenda oborrit të qeverisë dhe përfaqësues të maxhorancës, nisën një kundër-ofensive mediatike të koordinuar ndaj deputetit Shalsi, mbas denoncimeve publike të këtij të fundit, mbi miliardat e fondeve publike të shpërdoruara për reklama.

Si në raste të tjera të ngjashme në vitet e fundit, kur deputeti opozitar që “bën detyrën” kritikon qeverinë apo denoncon shkeljet e ligjit, edhe Shalsi u akuzua nga zëdhënëset apo vetë ministrat si shpifës, gënjeshtar, etj deri tek fyerje nga më banalet. Depozitimi i kallëzimit penal ndaj Ministrit Olldashi e Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve Andi Toma, mesa duhet e përshkallëzoi reagimin qeveritar, ku më deklaratën e zëdhënëses së kësaj ministrie të datës 2 Tetor, “udhëzohet” Prokuroria (citoj): Vetëm një hetim i plotë dhe i shpejtë i çështjes së depozituar në prokurori do t’i hapë më tej rrugë vënies përpara drejtësisë për shpifje të imbecilëve politikë që përfaqësojnë vagabondazhin verbal në mjedisin publik.

Thënë ndryshe, ministri i akuzuar nga opozita jo vetëm i tregon prokurorisë se cili do të jetë përfundimi i hetimit, “vënia para drejtësisë e shpifësit opozitar”, por kërkon nga drejtësia që të mbarojë punë sa më shpejt! Në fakt, ministri s’ka faj, sa kohë që gjithë kallëzimet penale për çështje evidente korrupsioni kanë përfunduar të pushuar, mos-filluara, apo pse jo, të humbura “si pa dashje, për efekt procedure” në gjykatë. Shembulli më i përfaqësues është vetë z. Toma, drejtori jetëgjatë i Rrugëve, ish-i akuzuar për atë që u quajt Rrugën e Kombit, por që deri tani ka rezultuar të jetë vetëm gropa e zezë e financave publike të kombit! Por kjo temë kërkon analizë të veçantë!

Në të njëjtën gjatësi vale, vijnë përgjigjet e zëdhënëses apo të vetë Ministrit të Mbrojtjes, Imami, ku denoncimeve më shifra e fakte të deputetit Erion Braçe për skandalet e shitblerjes së armeve kanë marrë si përgjigje, të njëjtat ofendime banale e kërcënime për ndjekje penale.

Mirëpo, shifrat janë kokëforta e flasin vetë, pavarësisht propagandës buçitëse të maxhorancës apo deklaratave të recituara me patos nga zëdhënëset e reja në moshë, që ndërsa tingëllojnë qesharakë, gjithsesi të bëjnë disi optimist për arritjet e kirurgjisë estetike dhe parukerisë në Shqipëri.

Duke u ndalur tek financimet e mediave, pavarësisht sesi e kush i ka marrë ato para, në një vend ku s’ka buxhet për spitalet e rimbursimin e ilaçeve, apo për shtresa në nevoja ekstreme si paraplegjikët, jetimet, ish-të përndjekurit, të pastrehët, etj, të harxhosh miliona dollarë për reklama e publikime mediatike, është papërgjeshmëri ose hajdutëri! Ose të dyja bashkë! Sigurisht “hajdutëri moderne”, ku lekët xhirohen me bankë me destinime si : reklamim, promocion, spot publicitar, etj.

Konkretisht, nga shifrat që Ministria e Punëve Publike i ka dërguar zyrtarisht grupit parlamentar të PS, në përgjigje të kërkesës për informim, rezulton se nga totali prej 161 milion lekësh të shpenzuara nga ky institucione në 7 vite, Rilindja Demokratike është financuar në 5 vitet e fundit, 2008-2012, në shumën prej 50 milion lekësh (të reja), nga të cilat shuma prej 15,870,000 lekë përkon me “vitin elektoral” 2009. Është e qartë se pagesa nga fondet publike e organit zyrtar të partisë me rreth 100 mijë dollarë në vit, është në fakt një skemë e mirëfilltë financimi në të kundraligjshëm të subjektit politik në që qeveris.

Fillimisht, kjo ministri në datën 22 shtator u justifikua duke deklaruar se pjesa kryesore e fondeve të dhëna nga D.P.Rrugëve për shpronësim publik janë botuar në të gjitha të përditshmet në vend duke i renditur (citoj), Panorama, Koha Jonë, 55, Tema, RD, Standard, Telegraf, Gazeta Shqiptare, Metropol, Expres, Mapo, Republika, Korrieri, Sot, Albania, Shekulli, Shqip, Ballkan.

Mirëpo vetë shkresa e firmosur nga ministri e përgënjeshtron sa më sipër! Nuk është ndonjë habi që nga Ministria e Punëve Publike ka dy të vërteta për të njëjtin fakt, pasi ky institucion me milionat e eurove që kanë pa u paguar bizneseve, këtë lloj “gënjeshtre të vogël” s’e ka hiç për turp!

Konkretisht, në 5 vitet e fundit njoftimet për shpronësim, përveç pjesë së luanit dhënë RD, pjesa tjetër ekskluzivisht është ndarë tek disa media që kanë qenë brenda ose kanë ardhur së fundmi në oborrin e qeverisë, ndërsa ato kritike si Gazeta Shqip, Shekulli apo Tema, s’kanë përfituar asnjë qindarkë. Mjafton të shikosh tabelën e pagesave klienteliste të Drejtorisë Rrugëve, për të kuptuar ndryshimin e pronësive apo linjës editoriale të ndonjë gazete që dikur nuk merrte fonde, e befas fillon të financohet me dhjetëra miliona! Sigurisht, që drejtorit Toma apo kushdo që menaxhon fondet në D.P.Rrugëve, nuk “i lindi në zemër” tia japë këto shuma të konsiderueshme gazetës RD, apo mediave pranë qeverisë si p.sh gazeta 55 apo Koha Jonë. Sigurisht, që në një shtet të centralizuar e me partishmëri si ky joni, këto punë bëhen me urdhra nga lart.

Por “qershia mbi tortë” e këtij skandali, u vendos përsëri nga Ministrit Olldashi, i cili në daljen publike të datës 3 Tetor, u përgjigj akuzave të opozitës më një qasje të re, e cila në fakt ishte pranim i tyre. Nëse do perifrazohej me një fjali, ajo që ministri ishte: Edhe ju kështu keni bërë, kur kontrollonit Bashkinë e Tiranës, keni financuar mediat pranë jush, duke shkelur ligjin, biles edhe më keq se ne, dhe jo aq “besnikërisht ndaj partisë” sa ne, që me “pjesën e luanit” kemi shpërblyer gazetën e partisë RD!

Pa bërë aspak oponencën e shifrave të Ministrit, që së paku për reciprocitet, ashtu si opozita i citon shifrat nga shkresa e tij, duhej së paku të citonte ndonjë dokument të lëshuar nga Bashkia ose së paku të thoshte m’i dërgoi zoti Basha me sms, le ti marrim për një moment të mirëqena ato shifra. Le të injorojmë për një moment edhe përdorimin e tyre si shantazh politik!

Problemi kryesor, ndoshta më i madh se 1.5 milion dollarët e keqpërdorur nga kjo ministri më buxhet vjetor qindra milion dollarësh, qëndron tek filozofia politike e përfaqësuesit të lartë të mazhorancës qeverisëse, kur i thotë opozitës me krenari: na lini të “shpërdorojmë” rehat fondet publike kur qeverisim ne, pasi edhe ju kështu keni bërë në kohën tuaj, a po kështu do bëni kur të vini në pushtet! Përndryshe do ju hapim edhe juve letrat e do ju çojmë në prokurori!!!

 

Dy fjalë për organet ligjzbatuese!

Në këtë panoramë kur opozita denoncon korrupsionin e vjedhjet ndërsa maxhoranca qëllon me baltë mediatike apo kërcënon me padi penale e civile, i vetmi opsion për opozitën është të vazhdojë të denoncojë politikisht edhe penalisht, duke përdoruar ato pak prova e shifra që arrin të marri zyrtarisht, apo që i vijnë në rrugë anonime nga ata punonjës e ish-punonjës publik që u dhëmb shkatërrimi e vjedhja e pasurisë publike.

Megjithatë opozita, thënë ne gjuhë popullore, mund të drejtojë gishtin, por jo të kapë hajdutin! Me një prognoze realiste, edhe kallëzimi i fundit penal për financimet e mediave qeveritare, me shumë gjasa do i shtohet listën e gjatë të atyre çështjeve penale që presin të hetohen (ose që janë mbyllur ndërkaq në heshtje), si tenderi 2 miliardësh i veshmbathjeve të ushtrisë, miliona eurot e groposura të sheshit Skënderbej nga Bashkia Tiranë apo koncesioni i parkimit tek Sheshi Italia, tenderi i licencës kombëtare nga Ministri Pollo, çështjet e koncesioneve minerare, etj,etj.

Në logjikën e organeve ligjzbatuese te vendit, fajtori i vetëm në këto dy mandate qeverisëse të PD-së, ngelet populli taksapagues, i cili lejon të vidhet përditë. Ashtu si dikur personazhi i krijuar nga i madhi Pëllumb Kulla, “Cania, që kishte faj se i vodhën lopën”!

5 komente në “Po ai që e vodhi, nuk ka faj fare!?”

  1. Kol Tivari says:

    Mos trego c’far kam ba,se te fus ne burg.Kjo thuhet hapur ne tv-te megafon te qeverise.Asht e vertete.Ne diktature,prokurori,gjykatesi,polici,ligji asht ne dore te diktatures.Por jemi ne Europen e 2012-tes.Diktatura nuk guxon me vra haptas,por kjo e jona vret,si me 21 Janar.Europa kurve,nuk ka si beson tek kjo qeveri,qe vrau njerez ne bulevard.Por kur shtetin e ka partia shtet,gjithcka lejohet.Opozita duhet ti kerkoje Europes dhe Amerikes,nese vriten demostrues ne vendet e tyre.nese grabiten pasurite kombetare sic i grabit familja diktatoriale Berisha.Nese po ,atehere jepjani statusin diktatorit tone psikopat.Ky asht diktatori i trete rresht,qe drejton kete komb,por ky asht ma provinciali,ma i pabesi e ma i pisti.Enveri dilte 2 here ne vit ne Tv,kurse kjo kurve plake,del 10 here ne dite,duke lehe si kurvat neper sheshe.

  2. Jam Salia d.v. diktator i shpaif says:

    O Koli Bele, po shyqyr qe niset te flisni mor te uruar. Ka lezet tu degjojme e lexojme se na cane veshet tam tamet e imameve e alldeleve. Koli, mos u lini kusur. Perdite denoncime. Le te mos veproje biondja e prokurvorirse. Ajo e ka radhen neser. Njerzia degjon, syte e veshet nga ju i mban. Shume popull i mencur nuk jane shqiptaret, po aq sa te kuptojne se ne c’hale i ka futur Salia me kriminelet e vet, eshte ne gjendje.
    Koli te lumte dora e mendja.

  3. kuzhinieri says:

    Ok, ke të drejtë! Këta janë hajdutë, megjithëse ligji i prokurimit, i hartuar midis të tjerëve edhe nga Gjiknuri juaj, përjashton publikimet në gazeta a TV nga zbatimi i procedurave konkurruese të prokurimit, pra shkurt – ai që do të publikojë, e vendos vetë ku do të publikojë pa tender.
    Problemi është që nëse pyetja që shtroni është “A duhet te merrte Shqip apo Tema pjese nga këto publikime?”, prisni që përgjigjia të jetë, pyetja “Po Shekulli pse ka marrë të gjitha publikimet e Bashkisë në intervalin Rama?”.
    Pra, duke ruajtur arsyetimin tuaj për etiketën “hajdut”, a legjitimohet ish-hajduti të bërtasë “Kapni hajdutin”?
    Ligjërisht po, por çështja nuk është ende ligjore, prandaj moralisht JO! Është fyerje për inteligjencën e shqiptarit mesatar kjo maskaradë deklarimesh mediatike, e zgjedhur ne vend të veprimit ligjor, duke e ditur që aty ligjërisht shkelje nuk ka.
    Nëse këta janë hajdutë (dhe janë vërtet, por jo për këtë akuzën e fundit), ju jeni njëkohësisht ish-hajdutë dhe hajdutë wannabes.
    Shqetësimet e mia si shqiptar i punësuar privatisht dhe që nuk kam biznes ku shteti është i përfshirë, të garantoj për këtë, për luftën tuaj të ardhshme kundër korrupsionit, përmblidhen në këto dy pyetje:
    Cili nga liderët e Opozitës nuk ka kontribuar sadopak në ngritjen dhe mirëfunksionimin e këtij sistemi hajdutërie?
    Cili nga liderët e Opozitës nuk ka patur mundësi më parë, të ideojë dhe drejtojë fushatën e premtuar të çrrënjosjes së korrupsionit, apo të bëjë diçka konkrete, sado e vogël qoftë ajo, në këtë drejtim?

    P.S. Të lutem mos e përfshi veten, nëse do të kosiderosh ti përgjigjesh pyetjeve.

  4. Kidi says:

    Te lumte pena Kol vellai, shkrim shume i forte,shyqyr qe u pajtuan Dhori me M,hajde deputet !

  5. komunar says:

    ka shkel apo jo ligjin Rama ne kte se dime, po Olldashi a Oldeja e kan kallxuar ne prokurori per gjera kot, e jo tani qe kane e gurin e aren.
    Sidoqofte nuk esht justifikim qe meqe vodhe ti po vjedh edhe une.
    Saper prokurorine shyqyr qe nje perafqsues nga opozita po i hapen syte, se saliu ben sikur i shan, po ceshtjet i mbyllem, me nje fjal i shkon tymi drejt atij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje