Rama synon t’ia marrë votuesit Topit?!

8 Tetor 2012, 19:56Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

“Bamir Topi të dalë nga qypi… të mos flasë si miza në qyp… të na sqarojë nëse do të marrë vota nga të pakënaqurit me Saliun, për të shkuar prapë te Saliu, apo do t’i kundërvihet deri në fund qeverisë?” Këto fjalë janë të Edi Ramës, thënë para 3 javësh në emisionin “Tonight me Ilva Taren”. Dhe një javë më vonë, erdhi edhe kundërpërgjigjia e Topit, në të njëjtin emision: “Unë dola nga qypi, por ti [Rama] zbrit nga pema, lëri ciu ciut dhe zbrit në terren; vendi ka nevojë për opozitë”.

Ç’ndodhi pas kësaj kundërpërgjije? Rama, si gjimnazistët idhnakë të viteve ’80 që shkëmbenin kunja me njëri-tjetrin tek bordura përballë Hotel Dajtit, nuk mund ta linte kundërpërgjigjen e Topit pa një kundër-kundërpërgjigje të tijën. Të premten e shkuar, në emisionin “Debat” të Alfred Pezës, ai tha: “[Topi] është si ata kalamajtë e Tiranës që gjuajnë me llastiqe, por me gurin e Saliut…. kam shumë arsye të besoj se, pas zgjedhjeve, ai do të ishte i gatshëm të ribashkohej me atë pjesë të kalbëzuar të së djathtës, së cilës sot i është kundërvënë.”

Si në formë edhe në përmbajtje, sulmet e Ramës ndaj Topit ishin shumë malinje. Në mënyrë përçmuese për ish-presidentin, ai praktikisht u bëri thirje votuesve potencialë të FRD-së (partisë që kryeson Topi) që të mos votojnë për këtë parti, sepse, sipas tij, votat e tyre, në mënyrë të kamufluar, do të rikanalizohen në rezervuarin e Berishës. Por, siç kam argumentuar në një shkrim të mëparshëm, shumica dërrmuese e votuesve të ardhshëm të FRD-së janë votues të djathtë që kanë votuar për PD-në në të kaluarën. Dhe kjo të bën të mendosh se Rama, duke sulmuar Bamir Topin, po shpreson të tërheqë pikërisht këta votues të djathtë drejt vetes.  Déjà vu, “Përtej së majtës e së djathtës”…

Me këtë moto, Rama garoi në vitin 2009 kundër trinomit Berisha-Nano-Meta dhe, falë edhe “ndihmës” së KQZ-së së Ristanit, arriti të sigurojë për koalicionin e tij 45.3% të votës popullore. Një arritje e madhe kjo, po të kihet parasysh se i njëjti koalicion kishte marrë vetëm 41.3% të votës popullore katër vjet më parë, kur KQZ-në e drejtonte Çelibashi. Por pavarsisht nga rritja e ndjeshme prej 4%, dy pjesët e fundit të trinomit të mësipërm nuk e lanë Ramën të siguronte shifrën e artë të 71 mandateve parlamentare që do ta bënin kryeministër. Nano, nëpërmjet votave të PSV-91-shit, i hoqi 2 mandate, ndërsa Meta i hoqi 4 mandate. Dhe kështu, në postin e kryeministrit mbeti përsëri Berisha…

Ndoshta pa nxënë nga ky pësim, Rama, me sulmet e hidhura ndaj Topit dhe, në një shkallë më të butë edhe ndaj Kreshnik Spahiut, duket se ka ndërmend të futet kësaj rradhe në garë jo ndaj një trinomi, por ndaj një pentanomi. Pra, duket se ai shpreson që elektorati i majtë dhe një pjesë e elektoratit të djathtë do ta japin votën për koalicionin e tij, duke i dhënë kështu mundësinë t’i sigurojë 71 mandatet e shumëdëshiruara parlamentare vetëm me ndihmën e Gjinushit, Milos, Dules etj.

Ky do të jetë një bast personal shumë i rrezikshëm për Edi Ramën. E humbi një herë këtë lloj basti me “ndihmën” e Ristanit në 2009-ën dhe mund ta humbasë përsëri – kësaj rradhe me “ndihmën” e ‘Ristanes’. Por do ta ketë shumë të vështirë të mbijetojë politikisht në qoftë se humbet përsëri – ankesat e Ramës ndaj ‘Ristanes’ do të jenë një këngë e përsëritur që do t’i ketë lodhur veshët e partisë së tij…

Përtej bastit personal, Rama, në qoftë se vendos të garojë kundër të gjithëve, do të vërë edhe një bast të rëndë për të gjithë popullin opozitar, siç e quan ai. Një rimarrje e mandatit kryeministror nga Berisha në 2013-ën mund t’i pakësojë shumë gjasat për një rotacion politik të pushtetit në të ardhmen e afërt në Shqipëri – ndoshta pastaj do të na duhet të presim për një rotacion biologjik të pushtetit. (Kujtesë: Në moshën 86-vjeçare, Mugabe po rikandidon për një mandat të n-të presidencial në Zimbabue…)

Deri në ditën që do të zyrtarizohen koalicionet, sidoqoftë, do të rrjedhë ende edhe shumë ujë në politikën shqiptare. Dhe ndoshta Rama, duke ripeshuar në mendje sa më sipër, do të gjejë kësaj radhe ndonjë matematikan më të saktë se Kastriot Islami (që e siguroi se do të fitonte 72-75 mandate në 2009-ën), i cili mund t’i tregojë me detaje numerike sesi Berisha rierdhi në pushtet në 2005-ën, duke udhëhequr një koalicion që mori vetëm 41.2% të votës popullore…

*respublica.al

 

8 komente në “Rama synon t’ia marrë votuesit Topit?!”

  1. Alban H. says:

    Shume e sakte zoti Zaloshnja.
    Pikpyetje te medha lindin nga keto matrapazlleqe.
    Dhe te mendosh qe Meta as nuk do ishte deputet pa votat e falura nga PS ne Tirane!!!
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/06/presidenti-i-shqiperise.html

    1. ka mundesi says:

      O Zaloshnje!
      Ti je ne konflikt interesi me shkrimin per vete faktin sepse e ke deklaruar para 2-3 ditesh qe nuk voton per PD e per PS. Je duke pare se nga do te fryje era(ne fakt sipas teje era do shkoje nga Topi).
      Ti ne fakt je Deja vu per Bamirin,keshtu qe mos ki frike se te kape guri i llastiqeve te Ed Rames.

      1. fule says:

        E kujt i plasi se me ke eshte Zaloshnja, ndoshta as nuk voton fare. Konflikt interesi, futja pordh..

  2. tomori i beratit says:

    O Edi Rama.Kemi nje jete qe votojm ty por nuk kuptojm.Ne loje luhet me sulm,me mbrojtje por edhe me driblime.Saliu nuk kishte turp por beri aleanc me hysni milloshin.Po ju EDI.Te te them Trap nuk ta them se kam nje jete i majte e te jap voten.Ti nuk ke se çfar ti besh saliut dhe i hakerohesh Topit.ULE HUNDEN o i joni KRYETAR.Per te rezuar nje KRYEKRIMINEL,nje ANTISHQIPTAR te terbuar si viçidolsi duhet te BEJME KOALICION EDHE ME DJALLIN.Ti por edhe une te gjithe ne qe duam nje SHTET si kudo ne Europ po ta them keshtu popullorçe,duhet tu perulemi e tu kerkojm voten te gjitheve pa perjashtim.Vetem keshtu mund ta rezojm kete vrases hajdut nga pushteti.Pra qepe gojen e beje detyren qe te takon o kryetari yne .Mblidhe mendjen dhe ule sqepin.PS duhet te jete shtepia e te gjitheve atyre PA PERJASHTIM qe kerkojn rezimin e regjimit berishjan.Pra po te flas une nje anetar i perhershem i ps.Mblidhe mendjen dhe hyr ne loje ashtu si duhet hyre.VETEM TE BASHKUAR PER FITORE kunder BISHES berish.

  3. Era says:

    “Kundërpërgjigjia e Topit, në të njëjtin emision: “Unë dola nga qypi, por ti [Rama] zbrit nga pema, lëri ciu ciut dhe zbrit në terren; vendi ka nevojë për opozitë”.”

    Une s’kam c’shtoj me teper!

  4. Tepelena. says:

    Shumë e drejtë z.Zaloshnja…Rama duhet të kuptojë më në fund se në politikë luhet me të gjitha mjetet për të justifikuar qëllimin..(ose,qëllimi justifikon mjetin/et…!)-Mendoj se sot nuk është më Rama lideri i duhur…i opozitës.De jure është…por de fakto…nuk është…Sepse,pikërisht i ka munguar luajaliteti.Ka humbur luajaliteti i tij,sa nga strategjitë e buta të tij,aq edhe nga kredoja e lidershipit të partive të reja..FRD,AKZ…etj…Prandaj,mendoj se një veprim më i gjallë i Topit,më i vendosur i tij,por edhe më shumë integritet i tij…për të kapërxyer smirat e vockëla.Përqëndrimi i luftës së tyre jo ndaj njeri-tjetrit…por ndaj objektivit të përbashkët,ndërsa do të dobësonte kalanë e berishës,do të fuqizonte edhe solidaritetin.Pa qenë nevoja e nënshkrimit të ndonjë”memorandumi mirëkuptimi apo bashkëpunimi”edhe në letër(çka do ti mbante peng të njeri-tjetrit…dhe do shmangte objektivin e vërtetë luftën për pushtet..e rrotacion..)por moralisht do egzistonte një bashkëpunim i tillë,çka do të ishte shumë më efikas…Le të bëjë edhe Topi,atë që bën Kreshniku..dhe do shohim pastaj se si forcohet fronti opozitar…Do të ishte njëra nga qasjet më të mira të mundshme,pa dëmtuar forca në një luftë të kotë mes njeri-tjetrit..Fundja,qytetarët do ti besojnë vetëm atëherë kur të shikojnë se ndërsa bien dyshimet rreth tyre nëpër beteja politike për pushtet,ata do të arrijnë në timonin e qeverisjes së vendit,normalisht…!

  5. elda says:

    Te gjith te dyshimte jan vetem nje revolucjon qe nuk ka kush ta bej do e shpetonte ate vend.

  6. Din Kruja says:

    Ed Zaloshnja analiza jote eshte realiste, me kembe ne toke, ashtu sikunder edhe te tjerat. Por ne to kur flet per Ramen, i etiketon thjeshte si gabime manovrat qe ben ai per te humbur edhe zgjedhjet e 2013-tes. Bjeri drejte PS-ja ngelet perseri ne opozite per shkak jo te nje kali, por te shume kuajve te Trojes qe jane ne krye te saj. Ne rast se behen sot votimet, Rama merr aq sa mori komandanti i tij Papandreu, pra jo me shume se 15 %. I vetemi “nder” qe mund ti beje Rama elektoratit te majte do te jete dhenia e mundesise dhe krijimi i kushteve per formatimin e pjeses sa saj ne spektrin politik shqiptar.
    Ne analizen e e mesiperme Edi ke edhe nje gabim se Rama nuk eshte se perpiqet ti marre votuesit Topit apo Spahiut. Kjo sepse atij nuk i besojne pjese te gjera te elektoratit, por thjeshte qe keto vota te shkojne vetem per PD-ne.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje