Qindra policë të Kosovës hetohen për vepra penale gjatë detyrës

25 Tetor 2012, 11:11Rajoni TEMA

 Inspektorati i Policisë së Kosovë gjatë këtij viti, deri në muajin tetor, ka hetuar 226 pjesëtarë të policisë nën dyshimin që kanë kryer vepër penale gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. Këta policë dyshohen për marrje ryshfeti, shpërdorim detyre, zbulim i fshehtësive zyrtare, falsifikim dokumentesh, kontrabandë me mallra, mundësim prostitucioni, lëndime trupore etj., dhe 14 prej tyre u është ndërprerë marrëdhënia e punës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Jetullah Aliu, drejtor i Departamentit të Hetimeve në Inspektoratin e PK-së, ka bërë të ditur se 226 policët e dyshuar u përkasin të gjitha njësiteve policore. Për 80 nga ta, sipas tij, janë ngritur kallëzime penale dhe janë dërguar në prokuroritë kompetente, ndërsa për 54 raste janë bërë raporte të veçanta.

“Janë 88 raste nën hetime të mbyllura në Inspektoratin e policisë (IPK). Pjesëtarë të arrestuar për këtë periudhë janë 15, ndërsa 43 zyrtarë policorë janë të suspenduar nga IPK-ja dhe janë nga të gjitha njësitë policore në krejt territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe njësitë e trafikut dhe patrullat”, ka thënë Aliu.

Sa u përket pjesëtarëve policorë që marrin ryshfet nga qytetarët gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, Aliu ka potencuar se ata pjesëtarë suspendohen deri në përfundimin e hetimeve dhe se ndaj tyre iniciohet kallëzim penal. Inspektorati policor informohet shpeshherë për këto raste nga qytetarët, por edhe përmes formave të tjera.

“Format e tjera janë kryesisht proaktive dhe me autorizimin e kryeshefit të IPK-së fillohet një hetim preliminar dhe po ashtu merren burime të tjera të informacionit”, ka thënë Aliu.

Ndërkaq Baki Kelani, zëdhënës i PK-së, ka bërë të ditur se, sipas të dhënave që ka PK-ja, nga janari deri në gusht të këtij viti janë larguar nga puna për marrje të ryshfetit dhe shpërdorim të detyrës 9 zyrtarë policorë. Ndërsa 5 zyrtarë të tjerë thuhet të jenë larguar për shkelje administrative.

“Gjatë vitit 2011 për shkelje të rënda administrative dhe vepra penale janë larguar nga puna 33 punonjës, ndërsa në vitin 2010 janë larguar nga puna  39 punonjës”, ka thënë Kelani.

Qytetarët shprehen se ka policë që “shumë lehtë korruptohen”, e sidomos ata të trafikut. Kohë më parë F.B., 38 vjeçar nga Prishtina, ishte nisur për disa çështje personale nga Prishtina për në Gjilan. Gjatë rrugës ai kishte tejkaluar shpejtësinë e lejuar me shenjë të komunikacionit dhe ishte ndalur nga policia pikërisht tek liqeni i Badovcit. Ai kishte dialoguar me dy policët që e kishin ndalur dhe kishte kërkuar nga ta që ta lëshonin pa ndonjë dënim. Një gjë të tillë ata ia kishin mundësuar në këmbim të 20 eurove.

“Ata më thanë se nëse dua të më lëshonin pa dënim duhej t’i qerasja diçka. Paratë më të imëta në gjep i pata 20 euro dhe ua dhashë”, ka treguar F.B.

Por me kaq nuk kishte mbaruar, ngase F.B. ishte bërë pishman.

“M’u duk se u dhashë tepër para. Aq do të më bëhej edhe dënimi dhe u ndala me një lokal e i theva 50 euro i bëra nga 10”, ka thënë ai.

F.B. ishte kthyer sërish tek pjesëtarët policorë dhe kishte kërkuar nga ai t’ia kthenin 20 euro.

“Ua mora 20 euro dhe ua dhashë 10 euro. Boll i kishin”, ka shtuar ai.

Për F.B.-në ky ishte njëri ndër rastet më “interesante” që i kishte ndodhur dhe jo i vetmi. Atij shpesh i rastis t’u japë ryshfet policëve për t’u shpëtuar gjobave në komunikacion.

Të njëjtën gjë kishte bërë edhe F.K., 40 vjeçar, nga Drenasi. Ai jeton në Angli dhe sivjet gjatë verës, përderisa ishte për pushime në Kosovë, ishte ndalur nga dy policë trafiku për tejkalim shpejtësie.

“Isha nisur nga Drenasi për në Prishtinë dhe në Sllatinë afër një mbikalimi më ndalën policia ngase kisha tejkaluar shpejtësinë”, ka thënë F.K., i cili po voziste mbi 100 km në orë. Pasi kishte ndalur veturën dhe kishte dalë që të bisedonte me policët, ata i kishin thënë se duhej të dënohej dhe t’i merreshin dokumentet. Meqenëse atij i duheshin dokumentet që të udhëtonte me veturë për në Angli, i kishte lutur që ta “falnin”. Por policët e kishin falur vetëm pasi ai ua kishte dhënë nga 10 euro që të dyve.

“Pasi ua dhashë 20 euro, u arrit marrëveshja”, ka thënë F.K./KD

1 komente në “Qindra policë të Kosovës hetohen për vepra penale gjatë detyrës”

  1. liquid says:

    Filluan edhe matane kufirit me rryshfete, ,,,,,,,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje