Mesfushori i Real Madrid, Ksabi Alonso, ka pranuar se nuk ka asnjë lloj miqësie personale me Kristiano Ronaldon, por mes të dyve ka një respekt të ndërsjellë. Që nga fillimi i sezonit ka patur spekulime të vazhdueshme rreth situatës në klubin madrilen, sidomos pas deklaratës së Kristiano Ronaldos rreth “mërzisë’ së tij.
Ish-futbollisti i Liverpulit është nga emrat e fundit që ka zbuluar llojin e marrëdhënies së tij me portugezin, duke pranuar se miqësia nuk vazhdon përtej fushës së lojës.
“Mes nesh ka vlerësim dhe respekt profesional”, deklaroi mesfushori spanjoll për “ETB”. “Qartësisht, jo të gjithë personat brenda dhomave të zhveshjes janë miq të mi dhe jashtë tyre thuajse nuk ekziston një marrëdhënie mes nesh. Por në dhomat e zhveshjeve ne të gjithë shkojmë mirë me njëri-tjetrin. Kristiano nuk bën si yll”.
Megjithatë, Ksabi Alonso theksoi rëndësinë e lojtarit portugez për Real Madrid, si dhe foli fjalë shumë të mira për trajnerin Zhoze Murinjo.
“Ronaldo është një person ambicioz dhe ka vetëbesim të fortë. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për këtë skuadër. Murinjo? Unë mësoj gjithmonë nga ai, është shumë kërkues dhe kujdeset për çdo detaj. Njerëzit kujtojnë se e njohin, por ata shohin vetëm pamjen e jashtme të tij. Unë e njoh brenda dhomave të zhveshjeve dhe ai është krejtësisht ndryshe”, siguroi lojtari spanjoll.