Këshilli i Evropës do të mblidhet me datë 19 dhjetor për të diskutuar mënyrën sesi Sep Blater po udhëheq FIFA-n dhe për të shqyrtuar një hetim ndaj institucionit që drejton futbollin botëror. Organizata që është ndërtuar për të promovuar standardet ligjore dhe zhvillimin e demokracisë, ka bërë të qartë se do të hetojë në hollësi të gjitha çështjet që kanë hedhur hije dyshimi mbi mënyrën se si drejtohet FIFA.
Sipas faqes zyrtarë të Këshillit të Evropës, në këtë takim do të jetë i pranishëm ish-Presidenti i Federatës Angleze të Futbollit, Devid Trisman, ashtu si edhe Mohamed Bin Hamam.
Ky i fundit, ish-presidenti i Konfederatës së Futbollit Aziatik, u përjashtua fillimisht përjetësisht nga FIFA, por Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e hodhi poshtë vendimin duke bërë të ditur se nuk kishte prova të mjaftueshme.
Por FIFA insiston në dënimin dhe përjashtimin e tij, ndërsa të enjten deklaroi se Komisioni i Etikës kishte bërë një hetim për 63 vjeçarin dhe kishte shtyrë pezullimin e tij për një afat të pacaktuar ende, ndonëse ai ka bërë të ditur se do të rikandidojë për postin e Presidentit në FIFA.
Sipas Bin Hamam, ndëshkimi i dhënë ndaj tij vjen vetëm për faktin se ai ka vënë në dyshim drejtimin e Sep Blater dhe kjo është një hakmarrje e zviceranit ndaj rivalit të tij më të madh./lajmeshqip