“Po mundohemi të përforcojmë skuadrën me ndërthurjen e kampionëve të rinj. Shpresojmë që të bëjmë edhe ndonjë goditje në merkato”. Këto janë fjalët e presidentit të Milanit, Silvio Berluskoni, i cili ka marrë pjesë në darkën e Krishtlindjeve të organizuar nga klubi kuqezi.
“Ky është një Milan tranzicioni i ideuar për të rindërtuar një skuadër kampionësh. Kampionët i kemi përjetuar për 26 vite dhe tani me pak durim do të përballemi me një periudhë 3 vitesh në mënyrë që të kemi përsëri aspirata për të qenë protagonistë në Itali, Evropë dhe Botë. Kemi një lojtar 15 vjeçar (Matsur) që pas një viti mund të luajë në Serinë A dhe po ndjekim me qindra fëmijë në skuadra të ndryshme, në kërkim të kampionëve të rinj”, shpjegoi Berluskoni strategjinë që po ndjek aktualisht klubi.
Presidenti i kuqezinjve ka shpjeguar edhe një herë se batutat e tij mbi Balotelin nuk do të thoshin detyrimisht se ai do të bëhej pjesë e Milanit, ndërsa ka konfirmuar se Robinjo kërkon të kthehet në Brazil.
“Jeni ju gazetarët që vazhdoni të flitni për Balotelin. Unë një herë thashë se kam ëndrra të tjera, pastaj që nuk e ëndërroj, ndërsa doli që ai është ëndrra ime. Unë nuk e kam ëndërruar dhe ai nuk hyn te planet e Milanit. Personalisht do të preferoja më shumë që të blija Xhokondën. Robinjo? Shpresojmë që të mundemi ta bindim të qëndrojë me ne, pasi është një lojtar klasi”, tha presidenti i kuqezinjve.