Në qoftë se sot dikush shkon dhe me dhunë ia ndalon tjetrit të flasë për diçka që nuk i pëlqen në një debat publik, përse nesër dikush tjetër të mos vijë e me dhunë t’ua ndalojë mësuesve t’u ligjërojnë nxënësve atë që atij nuk i pëlqen, me dhunë t’ua ndalojë deputetëve të flasin atë që nuk i pëlqen në Kuvend, ose me dhunë t’ua ndalojë televizioneve emetimin e lajmeve që nuk i pëlqejnë?
SA E BRISHTË mund të jetë shoqëria jonë besoj të gjithë patëm rastin ta kuptojmë fare cullak nga emocionet e dhuna që shpërtheu lidhur me paragjykimet për seksin, por edhe për fenë, lirinë, ligjin, sigurinë.
Është e dhimbshme gjer në palcë tek sheh se sa e lehtë është të biem në provim. Sa miopë mund të jemi, sa “trima”, sa frikacakë, sa kalkulues, sa dallaverexhinj, e pse jo, sa të ligsht.
Si është e mundur që në shoqërinë tonë shqiptare të Kosovës, e cila ka ndier në lëkurë diskriminimet nga më të skajshmet, përçmimet, urrejtjet, deri në tentim-vrasjet në masë, por ia ka dalë të mbijetojë, tash, pra, në vitin 2012, nga po kjo shoqëri të dalin individë ose grupe interesi që diskriminojnë, përçmojnë, urrejnë e duan të vrasin disa të tjerë, për arsyen e vetme – mendimin ndryshe?
Kalkulimi: vota apo shteti?
Fatkeqësisht, të gjitha këto i pamë të na shpërfaqen vrazhdësisht që nga dhuna e shkaktuar gjatë promovimit të një reviste që kishte temë qendrore të numrit seksin dhe sensualitetin, si dhe asaj që ndodhi më pas.
Sa është e turpshme dhuna e ekstremistëve ndaj atyre që mendojnë ndryshe, e veçanërisht pjesëtarëve të komunitetit LGBT, ndoshta edhe më i turpshëm është mosreagimi adekuat i institucioneve dhe përfaqësuesve politikë në vend.
A janë më të rëndësishme një grusht votash, apo rrezikimi i gjithë asaj për të cilën është luftuar për dekada me radhë të arrihet në Kosovë?
Fatkeqësisht, shumë nga liderët e vendit zgjodhën kalkulimin personal mbi votën, përpara se rrezikimin e së ardhmes së vendit.
Jo rastësisht, të parat reagime erdhën nga institucionet ndërkombëtare, pikërisht nga ato ku Kosova synon të anëtarësohet, si BE e OKB, e tek pastaj, (hiç ndonjë përjashtim të rrallë), aty-këtu e me gjysmë zëri nga kryeministri e Bashkësia Islame e Kosovës. A mjafton? Jo!
Pasi që me këto ngjarje e mosreagime kemi çuar sinjal të fortë negativ që flet shumë për mungesën e demokracisë te ne, emancipimin shoqëror, përkushtimin për rend dhe ligj. Këto janë ato rastet kur brenda një 48-orëshi mund të bëjmë dëme të mëdha, pavarësisht se me dekada kemi përsëritur refrene për vlera demokratike e perëndimore.
Nuk ka fare lidhje këtu për çka është shkaktuar dhuna, se kush ka gabuar e çka, se a po e tepron një grup apo një grup tjetër.
Të mos gënjehemi, edhe në demokracitë më të avancuara të botës mund të ketë incidente të këtilla, ka komunitete LGBT, parakalime e organizime të grupeve të ndryshme të shoqërisë, ashtu siç ka homofobë, fashistë, neonazistë e grupe të tjera të dhunshme. Por, ajo që dallon në vendet vërtet demokratike, është se ngjarje të tilla të shpërfaqjes së dhunës, karakterizohen pikërisht si – incidente. Pra, incidente, raste të izoluara, për shkak se marrja e masave nga institucionet e ligjit dhe reagimi qytetar, i bën që ato të klasifikohen vetëm si incidente. Në të kundërtën, në qoftë se këto ndodhi të dhunshme, nuk marrin përgjigjen adekuate sipas ligjit e qytetarëve, atëherë kemi të bëjmë për trend shoqëror në një shtet. Kemi të bëjmë me dorëzim të shtetit, të përmbledhjes së ligjeve të tij brenda një Kushtetute, kundrejt grupeve të ndryshme që i japin të drejtë vetes ta bëjnë ligjin dhe ta ushtrojnë atë me dhunë.
Është e tepërt të thuhet se ligji duhet të jetë i njëjtë dhe për të gjithë, pavarësisht se për çka dhe nga kush.
Në qoftë se sot dikush shkon dhe me dhunë ia ndalon tjetrit të flasë për diçka që nuk i pëlqen në një debat publik, përse nesër dikush tjetër të mos vijë e me dhunë t’ua ndalojë mësuesve t’u ligjërojnë nxënësve atë që atij nuk i pëlqen, me dhunë t’ua ndalojë deputetëve të flasin atë që nuk i pëlqen në Kuvend, ose me dhunë t’ua ndalojë televizioneve emetimin e lajmeve që nuk i pëlqejnë?
Jo gjithmonë mund të presim që të gjithë të pëlqejnë gjithçka që të tjerët kanë për të thënë ose për të bërë. Por, në demokraci, këto dallime rregullohen me ligj dhe nuk lejohet që kushdo për çkado të marrë ligjin në duar të veta, pavarësisht a përkrahen apo kundërshtohen pikëpamjet e veprimet e dikujt.
Dhuna sjell vetëm dhunën, kaosin, anarkinë.
A është kjo ajo për të cilën jemi përpjekur?
“Vetëvendosje!”, Autostrada dhe “Kosovo 2.0”
NË TRI RASTE lehtësisht gjatë këtyre dy muajve të fundit ka mundur të shihet se si po dështojnë institucionet e ligjit në vend.
Në të tria këto raste, ndonëse të ndryshme, ka shumë hapësirë të flasim për standarde të dyfishta të organeve të rendit dhe të ligjit.
I pari ka të bëjë me protestën e lëvizjes “Vetëvendosje!” për kundërshtimin e bisedimeve me Serbinë. Aty policia intervenoi dhunshëm, duke u thirrur në atë që e quajtën dhunë të protestuesve. Policia u tregua e pakompromis në çdo çast dhe si rezultat mbi 60 protestues u arrestuan.
Kjo mbase do të mund të shihej si OK, në qoftë se policia do të reagonte në mënyrë të njëjtë edhe me rastin e protestës së dhunshme të veteranëve të luftës me rastin e ceremonisë përuruese të autostradës “Ibrahim Rugova”, më 27 nëntor. Edhe aty u demolua skena, u kërcënua siguria e liderëve institucionalë e politikë, u pamundësua mbajtja e programit solemn, por policia nuk intervenoi. Mirëpo, ky mund të konsiderohet pastaj standard i dyfishtë, meqë kësaj radhe nuk bëhej fjalë për aktivistë të një partie opozitare, por për veteranë lufte. Pra, nuk kemi respektim të njëjtë të ligjit, duke u nisur nga kalkulime jashtëligjore.
Dhe njëlloj nuk pamë të intervenohej me këmbëngulësi nga policia edhe me rastin e dhunës gjatë dhe pas përurimit të revistës “Kosovo 2.0”. Nga gjitha ajo dhunë e shkaktuar, pas gjithë atyre reagimeve ndërkombëtare, ne pamë se vetëm një person është marrë në pyetje në polici dhe më pas edhe ai është liruar.
Sërish, standard i dyfishtë?!
Cili mund të jetë rasti i katërt, i pestë, i dhjetë? Ku do të jemi ne pas rastit të dhjetë?
Komuniteti LGBT në Kosovë është frikacak
PËRFUNDIMISHT, NË KËTË rrëfim duhet shikuar edhe qasja e përfaqësuesve të vet komunitetit LGBT në Kosovë.
Secili pjesëtar i këtij komuniteti, i cili dëshiron që të arrijë lirinë e vet dhe ta sjellë atë në nivel të lirive me vendet e zhvilluara dhe demokratike të botës, duhet ta ketë të qartë se punën më të madhe duhet ta bëjë vetë.
Deri më tash kemi parë se thuaja asnjë pjesëtar i komunitetit LGBT në Kosovë nuk e ka pasur kurajën, p.sh. që të dalë publikisht në një televizion ose forum me audiencë të lartë, e të flasë hapur për orientimin e tij/saj seksual.
Nuk mund të fitohen të drejtat e tyre vetëm nëpërmjet të angazhimit të individëve ose grupeve që nuk i takojnë komunitetit LGBT, por që duan t’u ndihmojnë, kryesisht nisur nga besimi në liritë themelore të njeriut.
Asnjë liri nuk është fituar pa rreziqe e pa sakrifica. Besimi dhe ideali për çfarëdo lirie është i lidhur ngushtë edhe me rreziqet e sakrificat në rrugën drejt arritjes së asaj lirie. Njëjtë siç luftohet për liri kombëtare, për liri në arsim, liri racore, liri fetare, liri gjinore, njëjtë duhet të luftohet për liri të orientimit seksual, nëse individë ose grupe shoqërore këtë e shohin me interes.
E të gjitha luftërat për liri kanë heronjtë dhe të rënët e tyre. Njerëzit kanë rrezikuar jetën e tyre, janë nisur edhe në luftëra të armatosura me armiqtë e lirisë së tyre, duke mos e ditur se a do të dalin gjallë ose jo nga ato beteja. Mirëpo, gjithsesi se pa beteja të rrezikshme, vështirë se do të arriheshin idealet e lirive të synuara.
Edhe në shtete të tjera, ka pasur dhe ka beteja të përhershme të atyre që i përkasin komunitetit LGBT me ata që i stigmatizojnë. Mirëpo, pa përjashtim, në këto vende, në të cilat tashmë vlerësohet se është arritur nivel i kënaqshëm i lirisë për orientimet alternative seksuale, barrën kryesore e kanë marrë përsipër vetë pjesëtarët e komunitetit. E prej tyre ka pasur edhe të tillë që kërkimi i asaj që e kanë cilësuar si e drejtë u ka kushtuar me jetë. Por, kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetën e vet, në kërkim të lirisë individuale dhe të kolektivitetit me orientim të njëjtë.
Së këndejmi, fshehja e përhershme, mosballafaqimi, frika e kalkulimi vështirë se ndonjëherë ka çuar drejt lirisë. Cilado që të ketë qenë ajo liri.
Turme barbaresh nga azia e vogel dhe saharaja afrikane etc,etc,etc,etc, kjo eshte pergjigja Z.Kelmendi !!!!!!!!!
eshte njeri nder gazetaret me te mire, te lumt Adriatik…