Komuna Lukovë rikthen në prokurori shitjen e 30 hektarëve në Kakome

21 Dhjetor 2012, 19:29Politika TEMA

290 mijë metra katror u shitën për 1219.7 lekë për metër katror! Prona është shitur në total për gati 3.4 milion dollarë kur ajo kushton minimumi 40 milion dollarë!

Komuna e Lukovës fiton një betejë lidhur me çështjen e shitjes përmes legalizimit të Gjirit të Kakomesë. Gjykata Penale e Tiranës urdhëruar rihapjen e hetimit për shitjen e rreth 30 hektarëve tokë në Gjirin e Kakomesë nga ALUIZNI për llogari të një kompanie private.

Prokuroria e Tiranës më 25 maj të këtij viti e mbylli këtë çështje duke u mjaftuar me 20 ditë hetime për të arritur në përfundimin se “nuk ekziston fakti”. Gjykata Penale e Tiranës e ka gjetur të drejtë kërkesën dhe ka urdhëruar rihapjen e dosjes.

Në kallëzimin e bërë nga kryetari i Komunës Lukovë, Vladimir Kumi, thuhet se shitja e sipërfaqes prej 29,07 hektarësh në Gjirin e Kakomesë ishte bërë në kundërshtim të plotë me ligjin “Mbi legalizimet” si dhe ligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”. Në kërkesë thuhet se ALUIZNI nuk mund të shesë për asnjë shkak një sipërfaqe të pandërtuar, për më tepër të përmasave të tilla, pavarësisht punimeve pjesore dhe në stade fillestare të kryera nga ana e firmës dhe të pa përfunduara dhe jashtë afateve të parashikuara në ligj. “Mund të verifikohet lehtësisht nëpërmjet fotove të ALUIZNI-t nëse deri në këtë afat ka pasur ndërtime në truallin e pretenduar, përkundrazi kemi një situatë krejtësisht natyrore dhe të paprekur të Gjirit të Kakomesë”, shkruhej ndër të tjera në padi. Sipas Kumit, ligji i vitit 2009 rregullon marrëdhëniet mbi truallin në zonat me përparësi turizmin vetëm në ato raste kur kemi të bëjmë me struktura ndërtimore të filluara dhe të përfunduara përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Problemet me aksionarët dhe pronarët në Gjirin e Kakomesë

Historia e projekti turistik në Gjirin e Kakomesë zë fill në vitin 2004, kur një kompani shqiptare kishte siguruar përdorimin e emrit të kompanisë së njohur franceze Club Med dhe kish siguruar nga qeveria shqiptare në kontratë koncesionare. Pra, arsyeja pse kompania shqiptare Riviera e mori këtë status ishte se ajo kishte partnere kompaninë e njohur franceze “Club Mediterane”. Kompania franceze u tërhoq përfundimisht në vitin 2007, duke e konfirmuar tërheqjen për shkak të konflikteve mbi pronësinë dhe pas kësaj kompania Riviera duhet të humbiste koncesionin.

Pas një sërë spekulimesh dhe përdorimi privat të shtetit, kompania arriti të mbajë të rrethuar territorin pa pasur letrat e nevojshme për të vazhduar punë. Edhe protestat e banorëve të zonës nuk arritën të ndalin kompaninë që përmes forcave speciale nga Tirana të ruanin kontrollin mbi zonën.

Në fillim të muajit mars, gazeta Tema botoi një dokument ku tregohej se ndërsa Shaban Memia ka qenë në prag të largimit nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, ka firmosur shitjen e tokës për llogari të një kompanie private në Gjirin e Kakomesë si një subjekt pa një status të subjektit turistik.

Legalizimi është bërë duke përdorur disa objekte ushtarake me sipërfaqe 888 metra katror, që janëë privatizuar me objekt strehimin e disa ish- ushtarakëve së bashku me tokën që zë 1000 metra katror. Duke përdorur këtë njollë është bërë legalizimi dhe shitja e 30 hektarëve tokë.

Toka figuron e blerë nga një bullgar 30-vjeçar në kontratën e shitjes që mban datën 23 mars 2012, mes zyrës së ALUIZNI-t, përfaqësuar nga ish-drejtori Shaban Memia, blerësi “Riviera Kakome” përfaqësohet nga shtetasi Jeko Petkov Kolev, i datëlindjes 1982. Kolev shfaqet si përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Bullgaro-Shqiptare, një shoqatë jofitimprurëse, regjistruar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me nr.vendimi 2701, datë 07/12/2009. Kolev është aty anëtar i Bordit Drejtues, bashkë me shtetasit e tjerë bashkëpatriotë: Bozhidar Mihaylov Todorov, Petyo Petkov Toshev dhe Martin Danovsky.

290 mije metra katrorë u shitën për 1219.7 lekë për metër katror! Prona është shitur në total për gati 3.4 milion dollarë kur ajo kushton minimumi 40 milion dollarë!

Në bazë të ligjit 8053 të dhjetorit 1995, banorët e zonave bregdetare duhet të kompensohen me tokë ose troje në rast se toka e tyre ka objekt ndërtimi prioritet turistike. Toka që i është dhënë kompanisë Riviera prej ALUIZNI-t, është tokë, e cila ka qenë në përdorim dhe shpërndarë për banorë të zonës, të cilët shpronësohen nga vendimi “de facto” i ALUIZNI-t që ia shet një kompanie, e cila e ka ende të paqartë statusin e saj si subjekt turistik.

Banorët e Kakomesë u kanë paraqitur gjykatave dhe parlamentit të Shqipërisë dokumente që sipas tyre vërtetojnë pronësinë e kësaj sipërfaqeje në favor të fshatit që në shekullin e 19-të. Në këtë dokumentacion, i cili është vendosur që të arkivohet në sekretarinë e këtij komisioni, paraqiten dhe të drejtat që këta banorë kanë mbi pronësinë e tokës si dhe akte të ndryshme shitblerje që kanë ndodhur në vite. Ata kanë paraqitur dhe dokumentet e shpronësimit të vitit 1947, me një listë të plotë të personave të shpronësuar. Banorët i referohen po ashtu një rezolute të parlamentit shqiptar, e cila ndalon procesin e tjetërsimit të pronës publike dhe private, në të cilën ka pretendime nga ish- pronarët.

Kumi: Do qëndrojmë deri në fund

Kryetari i Komunës së Lukovës, Vladimir Kumi, është i vendosur t’i shkojë problemit deri në fund. I pyetur nga gazeta Tema mbi vendimin e gjykatës penale të Tiranës, Kumi thotë se vendimi ishte logjik, pasi sado të korruptuara të jenë gjykatat, janë disa fakte mbi të cilat nuk mund të shkelet.

“Ekzistojnë gjithë provat që legalizimi është bërë në shkelje të ligjit. Toka është aty, fotografimi është aty, abuzimi me ligjin është flagrant. Janë shitur 30 hektarë në kundërshtim me ligjin. Ne nuk do të tërhiqemi deri në fund,” tha Kumi.

Kumi ka deklaruar në vitin 2009 se ai ka mundur t’i rezistojë presioneve fizike dhe financiare nga kompanitë private të interesuara në këtë çështje.

4 komente në “Komuna Lukovë rikthen në prokurori shitjen e 30 hektarëve në Kakome”

  1. Vlora says:

    e thjeshte.

    gjykata ja heq nanos, dhe ja jep berishes.

  2. baca i krimit says:

    Mero, une e lexova kete te Kakomese edhe te gazeta Dita qe ne mengjes. Edhe tek Tema ketu e kam nxjekur prej fillimit si histori sepse kam vete prona atje dhe me intereson. Ajo qe me ben pershtypje eshte qe si ka mundesi qe ne afera te tilla kaq te ndyra ku perzihen fitime miliardare per Familjen dhe ku personazhet jane bullgare te denoncuar nga vete amerikanet si gangstere te njohur, opozita nuk nderhyn?? A e dini qe mua me ngjan cici mice gjithe historite me “me the” te “thashe” qe ben Sali kroma me te tjeret ne Kuvend? Dhe me duken as me shume e as me pak, te qellimshme per te mbuluar thelbin e gjerave: qe eshte ABUZIMI ME PRONAT, sepse aty eshte paraja e madhe. U vra ai gjyqtari ne mes te Vlores u dogj si qen dhe asnje fajtor deri me tani??? Pse???

  3. bato says:

    Eshte klani Berisha o baca i krimit cdo gje eshte jashte kontrollit lejen e kane te gjithe ne xhep nese i preken interesa qeveria berisha eshte jashte kontrollit mjer ne shqipetaret.

  4. ALBATROS says:

    ESHTE CLUB MED QE FSHIHET PAS KESAJ DHE NUK ESHTE KLANI BERISHA, JANE BANKIERET ME TE MEDHENJ NE BOTE QE E KANE NE PRONESI FIRMEN ME TE MADHE TE RESORTAVE NE BOTE CLUB MED

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje