Me lugën e zbrazur

27 Dhjetor 2012, 12:50Politika TEMA

Shumica e bashkive në vend kanë marrë një buxhet të reduktuar për vitin 2013. Shenjë e qartë se kriza financiare është tek porta. Ministri i Jashtëm planifikon mbylljen e disa ambasadave për mungesë fondesh

Nga Renato Kalemi

Lajmi se Bashkia e Përmetit po i vinte kyçin derës sepse nuk kishte me ç’të paguante ata pak punonjës në administratë, ashtu si erdhi edhe u shua, në eter, pa bujë. Jo se kryetari i bashkisë i mbylli vërtet dyert e institucionit, por ajo ishte mënyra e goditur për t’i thënë të gjithëve se qe zhytur në borxhe aq të mëdha, saqë bashkia nuk i hynte më askujt në punë. Situata ishte e tillë për shkak të një borxhi të madh, i mbartur ndër vite, të Ujësjellësit ndaj “CEZ shpërndarje”. Qeveria kish miratuar një akt normativ që i detyron bashkitë të paguajnë borxhet e ujësjellësit ndaj CEZ-it dhe lejonte Ministrinë e Financave të bllokojë grantin e tremujorit Bashkive, si kusht për likujdimin e detyrimit. Historia koklavitej edhe më tepër kur kryebashkiaku i Përmetit, Gilberto Jaçe, shprehej se borxhi në fjalë nuk i takon atij, por pushtetit qendror, pikërisht pse borxhi ishte krijuar në kohën kur ujësjellësi nuk ishte në administrimin e bashkisë. Përtej debatit që mund të hajë kjo çështje, bashkitë duket se po jetojnë ditë tepër të vështira financiare, shumica prej tyre të zhytura deri në grykë në borxhe të vjetra e të reja, përballë pamundësisë së qeverisë qendrore për t’i ndihmuar të hedhin lumin.

Raste të ngjashme të ditëve të fundit tregojnë se situata në Bashkinë e Përmetit nuk ka si të jetë e vetmja. Shumë bashki të tjera kanë deklaruar, në një apo dy muajt e fundit, se janë në borxhe dhe s’mund të paguajnë për shërbimet që kanë blerë ose u duhet të blejnë, pikërisht pse kanë kohë që nuk marrin grantet nga buxheti i shtetit. Nga njëra anë, ka nga ata që mendojnë se mosdhënia e granteve lidhet drejtpërdrejtë me fushatën për zgjedhjet e 2013, në këtë rast qeveria ka penalizuar bashkitë e administruara nga e majta duke iu prerë ose shkurtuar burimet financiare dhe paralizuar shërbimet publike. Nga ana tjetër, çka është edhe më e besueshme për ekspertët e ekonomisë, shkaqet e kësaj situate fshihen në krizën ekonomike dhe mungesën e parave. Kjo situatë duket se është e lidhur ngushtë me rritjen e borxhit publik (në 62.6 përqind) në buxhetin e shtetit për vitin 2013, i sapomiratuar nga Kuvendi vetëm me votat e shumicës. E gjendur përballë faktit se nuk ka mjaftueshëm para, qeveria vendosi të rrisë borxhin publik pavarësisht kundërshtimeve të opozitës dhe çdo këshille të ardhur nga Banka Botërore dhe FMN-ja, të cilat e shohin si një hap të rrezikshëm për ekonominë shqiptare. Por, ato që do ta vuajnë më shumë këtë gjendje aspak të këndshme janë pikërisht bashkitë.

Situata e keqe ekonomike në të cilën kanë rënë dy-tre muajt e fundit shumica e bashkive nuk ka lidhje vetëm me aktin normativ të qeverisë për t’i detyruar të shlyejnë borxhet e Ujësjellësit ndaj “CEZ shpërndarje”. Analistë të ekonomisë për çështjet e qeverisjes vendore mendojnë se gjendja lidhet drejtpërdrejtë me pamundësinë e qeverisë për t’u dhënë atyre grantet tre mujore të parashikuara nga buxheti i shtetit për 2012. Për shkak të vështirësisë financiare, qeveria nuk është në gjendje të ndihmojë bashkitë, të cilat nga ana e tyre duhet të likujdojnë kompanitë ose firmat private që kanë investuar gjatë vitit në shërbime publike. Madje, duke iu trembur një rritjeje të madhe të borxhit publik, qeveria ka zgjedhur të mos lejojë bankat t’u japin grantet bashkive, duke i detyruar këto të fundit që një pjesë të shpenzimeve të tyre t’i mbulojnë nga të ardhurat e taksave. Por, kjo nuk mjafton. Sipas analistëve, një zgjidhje e tillë e qeverisë duket se ka ardhur edhe për shkak se ajo kërkon të ruajë nivelin e borxhit publik në atë shifër të deklaruar në buxhetin e vitit 2013, duke e ditur se niveli i borxhit do të ishte disa herë më i madh nëse ndihmon qeverinë vendore me dhënien e granteve. Kështu, nga njëra anë ajo ruan veten nga një borxh publik, i cili është më i madh nga ai që deklarohet, por nga ana tjetër ka krijuar vështirësi financiare për shumicën e bashkive të vendit.

Këtë situatë po e përjeton prej disa javësh edhe Bashkia e Korçës, të cilës qeveria i ka bllokuar dy grante prej 170 milion lekësh, çka ka paralizuar gjithë aktivitetin e saj, madje duke e çuar në buzë të kolapsit financiar, sipas asaj që thonë drejtuesit e saj. Në pritje të realizimit financiar nga bllokimi i fondeve të pakushtëzuara kanë mbetur edhe bashkitë e Ersekës dhe Maliqit, në po të njëjtën situatë. Për të zgjidhur çështjen e borxhit mes Ujësjellësit dhe CEZ-it, qeveria iu ka bllokuar bashkive dhe komunave në gjithë vendin, me një akt normativ, një shumë prej 12 milionë dollarësh. Ajo ka vendosur që detyrimet ndaj CEZ të zbriten nga fondet e pushtetit vendor, duke iu reduktuar kështu buxhetin për vitin 2013. Kjo u pasqyrua fort mirë edhe në seancën e votimit të buxhetit, ku opozita e akuzoi qeverinë se për shkurtimin e fondeve ka ndjekur një politikë diskriminuese, duke ua ulur bashkive të majta dhe favorizuar bashkitë e djathta. Deputeti socialist Bashkim Fino ka fajësuar qeverinë se po shkel autonominë vendore me anë të aktit që kushtëzon grandet e pakushtëzuara, duke ndërhyrë në kompetencat e pushtetit vendor. “Në fillim vendosi me ligj kushtin që 10 për qind e granteve të shkojë për mbjelljen e arrorëve. Kushti i dytë ka të bëjë me faktin se grantet e pakushtëzuar mund të përdoren deri në 15 përqind për pagat dhe tani kushti i tretë. Borxhet e ujësjellësit nuk janë parashikuar në ndarjen e buxhetit për qeverisjen vendore”, ka thënë ai. Kundër aktit normativ të qeverisë është pozicionuar edhe Bashkia e Sarandës, ku kryebashkiaku Stefan Çipa e ka konsideruar aktin si absurd dhe sipas tij reflekton hakmarrjen e qeverisë mbi bashkitë që menaxhohen nga opozita. Po ashtu, kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo, i cili pret një grant prej 980 milion lekë, ka pohuar se të ardhurat e bashkive vijnë nga dy burime; nga granti i miratuar në Parlament dhe nga taksat. Por, duke bllokuar burimin e parë, praktikisht bashkitë ndjehen të paralizuara financiarisht.

Situata nuk premton përmirësim as në bashki të tjera si ajo e Vlorës, ku kryebashkiaku Shpëtim Gjika shpeshherë është treguar i ashpër me politikën financiare që qeveria ka ndjekur kundrejt kësaj bashkie. Sipas tij, qeveria i ka bllokuar qytetit 870 milionë lekë, të cilat do të shkonin për shërbime publike. Në bashki më të vogla si Rrësheni, Gramshi apo Peqini, situata e muajve të fundit ka qenë po kaq e rënduar. Në Rrëshen janë bllokuar të gjitha investimet e planifikuara nga të ardhurat e bashkisë, madje edhe ndërhyrjet rikonstruktuese nëpër shkolla, për shkak të debisë prej 8 milionë lekësh që ujësjellësi ka ndaj CEZ-it. Në bashkinë e Peqinit punonjësit mbetën rreth tre muaj pa marrë pagat, ndërkohë që drejtuesit janë shprehur se arka e institucionit është zbrazur. Të njëjtin fat po vuajnë Bashkia e Librazhdit, Gramshit dhe Cërrikut. Në Kamëz, borxhi i Ujësjellësit ndaj CEZ-it është 300 mijë dollarë dhe është mbledhur që prej vitit 2008. Ditë të mira nuk parashikohen as për bashkinë e Lezhës, ku mospagimi i taksave nga subjektet ndërtuese duket se ka vënë në vështirësi arkën e institucionit.

Përballë kësaj krize për para, qëndron një buxhet i miratuar për vitin 2013, i reduktuar deri në detaje për një pjesë të mirë të bashkive. Vlen për t’u përmendur fakti se Bashkia e Beratit arriti të merrte një shtesë në fonde prej 500 milion lekësh, pas kushtit të vendosur nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, se ndryshe nuk do ta votonte buxhetin. Një reagim që tregon vështirësinë e qeverisë për të pasur mjaftueshëm para për të gjithë. E si të mos mungonin të gjitha këto, deklarata e Ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, se për shkak të krizës ekonomike dhe mungesës së fondeve, Shqipëria do të mbyllë disa ambasada shqiptare dhe misione diplomatike në të gjithë botën, vjen si një rrufe në qiell të hapur. Viti 2013, ai i fushatës zgjedhore dhe i zgjedhjeve kusht për integrimin, do të jetë i dhimbshëm për të gjithë.

4 komente në “Me lugën e zbrazur”

  1. Qemali says:

    Po pse cuditeni o milet. Buxheti do te jete troke ne 2013 e ne vazhdim.

    A e dini sa interesa te kredive do te paguhen ne vitet e ardhshme nga borxhet qe ka marre Saliu ?????? A e dini ???? 400 milion euro vetem ne vitin 2013 dhe me tej 450 milion 500 milion etj etj.

    Dhe natyrisht qe nuk do te kete pare as per bashkite, as per te perfunduar rruget e lena pergjysem, as per te bere rruge te reja.

    Mjer ai qe do e marri ne dorzim kete vend vitin tjeter.

    1. Horri i Bulevardit says:

      Lugen e zbrazur e zgjodhem vete, qysh kur pranuam qe te votojme perseri nje komunist karierist, nje ish sekretar partije, nje ish spiun te sigurimit famekeq te shtetit.
      Lugen e zbrazur e zgjodhem vete, qysh atehere kur nguruam te shkaterronim bllokun e vjeter komunist, gje qe do te sillte, qe kujt ti shkonte mendja te rindertonte nje bllok tjeter, te mendohej mire, se ci gjeti ata bllokmenet e vjeter, por ne nguruam dhe si pasoje sot kemi te rindertuar nje bllok gjigand blu, qe vlen mijra here me shume se blloku i vjeter komunist.
      Lugen e zbarzur e zgjodhem vete, se nuk vume kushtet qe te hapeshin dosjet, pa u shkaterruar ato nga ish sigurimsat qe erdhen ne pushtet, qe fshine te gjitha dosjet e tyre personale dhe ato qe nuk jane fshire, jane ne kasafortat e Sali Berishes, per tu perdorur si shantazh politik.
      Lugen e zbrazur e zgjodhem vete, se menduam te tregohemi njerez pa mllefe, duke mos i gjykuar bllokmenet dhe bllokqenet, po me togfjaleshin qe na denuan ata ne, Ne Emer te Popullit.
      Tani bllokqenet, kane marre situaten ne dore, ata mbrojten bllokmenet, qe i denuan per 50-kafe dhe mbas denimit, i dhane demshperblime per burgime te padrejta dhe ish denuarit e partise se bllokqenit Sali Berisha, rrine edhe sot e kesaj dite, duke shpresuar se zoti do ti jape dicka, per te mbajtur barkun me buke.
      Une jam nje nga ata qe u zmbrapsa nga meshira, kujtova se duhet te tregojme qytetari si shqiptare, por jam gabuar edhe une si shume te tjere dhe ne brezi jone qe ishim ne ato dite te vrullshme, duhet ti kerkojme falje, brezit te ri qe erdhi mbas vitit 90-te dhe e gjeti Shqiperine me keq se sa ne e gjetem.
      Gjithe brezi im qe ishin ne ato dite te stuhishme demokratike, duhet te kerkoje falje, se nuk arritem te sjellim ne Shqiperi, per femijet tane, demokracine qe kerkuam, por me meshiren tone, risollem neokomunizmin berishian.
      Duhet ta kerkojme kete falje, per ti bere te ditur, se ne gabuam, por mos gaboni ju, shembeni bllokun e rindertuar, meshira eshte fitorja e bllokmeneve, ne hoqem nje bllok, por padashur ndertuam nje bllok te ri dhe prandaj ne duhet te kerkojme falje, brezit qe erdhi.
      Na falni, menduam me te miren, por u gabuam.

    2. Sulo Haderi says:

      Edhe ne pensionistet boll e kemi. Berisha do na japi (nga fondi i Sheqeres) plot 20mije leke te vjetra (minus 2mije) per vitin e ri.
      Kaq marrin edhe norvegjezet dhe vendet e treta ne bote :p
      http://imazheshqip.blogspot.com/2012/12/gjeli-i-vitit-te-ri-2013.html

  2. SOS, SOS, SOS ..... says:

    E DHJATHTA KUDO NE BOTE PO BIE, PER
    SHKAK TE DEGJENERIMIT TE SISTEMIT SAJ
    SOCIAL-EKONOMIK, PRA DEMOKRACIA-KAPITALISTE,
    KETE E KA POHUAR DHE VETE BARAK OBAMA

    KORUPSION, DROGE, MARTESA NJETIT SEKS,
    LIRI E TEPRUAR, DEGJENERIM, RENIE BANKAVE,
    PAPUNESI, DIFERENCIMI TAKSAVE, LUFTERA ….

    ASNJE SISTEM NUK MUND TI REZISTOJE KOHES PER
    NJE KOHE TE GJATE ASHTU SI SOCIALIZMI.

    I VETMI SISTEM I QENDRUSHEM DERI ME SOT ESHTE
    SOCIAL-DEMOKRACIA.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje