Rrugët e ndarjes së mandateve, ja tre mundësitë

5 Janar 2013, 16:47Politika TEMA

Ndërsa Kolegji Zgjedhor, mes një vendimi të shumëdiskutuar nga juristët ndau vendin në ZAZ në pamundësi të një vendimmarrjeje në KQZ, një tjetër çështje që mbetet në ngërç është ajo e ndarjes së numrit të mandateve të deputetëve sipas qarqeve.

Për mungese konsensusi, çështja që kërkon shumicë të cilësuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka mbetur pezull, pasi nuk u ankimua as në Kolegjin Zgjedhor nga palët dhe afati për t’iu drejtuar gjykatës tashme ka skaduar. Por cilat janë rrugët për zgjidhjen e çështjes që ka dalë edhe tej parashikimit ligjor?

Mundësia 1

Demokratet patën bërë me dije pas skadimit të afatit të ankimimit se njëra mundësi është ajo e mbetjes në fuqi të ndarjes së mandateve në zgjedhjet e 2009-ës. Por Kodi Zgjedhor parasheh si të detyrueshme ndarjen e mandateve përpara zgjedhjeve parlamentare, duke përjashtuar nga ky detyrim ligjor në nenin 76 të tij vetëm rastin e zgjedhjeve të parakohshme.

Mundësia 2

Mundësia e dytë e artikuluar është ajo e ndarjes së mandateve nga parlamenti. Në kushtet e ezaurimit të shansit nga KQZ, është legjislativi që mund të bëjë ndarjen e mandateve ka qenë njëri nga opsionet e hedhura në tregun e zgjidhjeve të këtij ngërçi. Por në një opsion të tillë, rasti do të ishte analog me Kolegjin Zgjedhor që në kushtet e mungesës së një vendimi të KQZ–së për ZAZ–të, bëri vetë një ndarje të tillë. Në këtë rast Parlamenti do të kryente të njëjtën shkelje ligjore që bëri Kolegji, pasi parlamenti mund të miratojë vetëm aktin që KQZ miraton.

“KQZ-ja kryen llogaritjen për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në nenin 75 të këtij Kodi dhe ia dërgon menjëherë Kuvendit. Kuvendi, me procedurë të përshpejtuar, miraton me vendim ndarjen e mandateve”, thotë pika dy e nenit 76 e Kodit Zgjedhor.

Mundësia 3

Duke iu referuar të njëjtit nen, Partia Socialiste mbështet qëndrimin se nuk ka skaduar afati i ndarjes së mandateve nga KQZ. I kontaktuar nga Top Channel, përfaqësuesi i kësaj force politike në institucionin më të lartë zgjedhor, Genc Gjoçaj tha se është KQZ i vetmi institucion që ka të drejtën e ndarjes së mandateve.

“Në çdo rast numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore miratohet jo më vonë se 6 muaj përpara fundit të mandatit të Kuvendit. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore nuk rishikohet në rast të zgjedhjeve të parakohshme”, thotë pika tre e nenit 76 e Kodit.

Duke referuar kësaj pike, të nenit 76 të Kodit Zgjedhor dhe duke llogaritur se fundi i mandatit të këtij Kuvendi është shtatori, PS përmes Gjoçaj deklaroi se KQZ-ja ka të drejtë dhe afat ligjor ta rimarrë çështjen për shqyrtim deri në datën 7 mars, si afati fundor që Kodi përcakton.

“Drejtoria e Gjendjes Civile të japë sqarime për rritjen e popullsisë në katër komuna të Kukësit, shumëfish mbi mesataren e rritjes së vendit, dhe KQZ të bëjë ndarjen e deputeteve për çdo qark”, deklaroi për Top Channel përfaqësuesi i PS-së.

Mes këtyre mundësive që dy partitë e mëdha shohin si zgjidhje, mbetet qartësimi i LSI-së. Kjo parti në KQZ nuk e mbështeti kërkesën e PS-së për informacionin që kërkoi për shtimin e popullsisë në Kukës, por votoi pro PS në parlament në kërkesën për komision hetimor për këtë çështje. Qartësimi i LSI-së gjithsesi nuk pengon bërjen e shumicës parlamentare dhe as nuk e mundëson arritjen e saj as në KQZ, por do të rriste vetëm presionin për zgjidhje brenda mazhorancës nëse kjo forcë politike mbështet projektin për heqjen e një mandati në Berat, por në pakësimin e tij në Kukës./TCH

3 komente në “Rrugët e ndarjes së mandateve, ja tre mundësitë”

  1. historia says:

    Kenga e pirateve.
    Me koka te tilla qe komandojne KQZ-ne ne allbani gelon kenga e dy pirateve:Njehere hyp PS tjeter here PD,dy ajdute qe vjedhin pa bere ze.

  2. Arlind says:

    O “historia” e babaqemos, qe ben si i mencur me histori piratesh. Po ku krahasoet Lefter Llaftari me Denarin mo!!! I ke pare kur diskutjojn ne KQZ apo jo, cfare dallimi ka? Apo ti vetem flet se e ke mendjen te historite e kalamajve

  3. nora says:

    Ka burra kuksi ri ka ba ndryshime ka qit trenin nrruge makine!
    jane shtuar shume po lista a ka po PS a ka ne Kukes?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje