Kryeministri iluzionist

7 Janar 2013, 18:30Blog TEMA
Kryeministri iluzionist

Nga Xhovani Shyti

Shqipëria është nga shtetet e rralla në botë që ekzistencën e ka të ngritur mbi realitet të dyzuar. Referuar këtij realiteti, Shqipëria del të jetë e njohur edhe si vendi më i varfër i Europës, por edhe si vendi më i pasur. Por propagandohet edhe si vendi me demokraci më të konsoliduar, nga gjithë shtetet e ish lindjes komuniste, por njëherësh njihet edhe si vendi me demokraci hibride e udhëheqësi psiko-vampire. Pra, me qeverisës të cilët i shkaktojnë taksapaguesve trauma psikike të gradës kriminale.

Por Shqipëria përmendet edhe si një vend me korrupsion tepër të lartë, por njëherësh propagandohet edhe si vendi ku lufta kundër korrupsionit është po në shkallë tepër të lartë. Por Shqipëria figuron të jetë, njëherësh, edhe vendi ku konfliktualiteti politik, prej dekadash, mban peng kryerjen e reformave administrative, por edhe vendi që ka ndërmarrë reforma radikale. Sikurse figuron e tillë, pra ekstremisht e dyzuar edhe në kategorizimin e jo pak sferave të tjera të jetës, që në të njëjtën njësi kohore shfaqen, njëherësh me tregues shumë bardh, por edhe shumë zi. Ndodh kështu nga që edhe tejqyra e spektrit politik të vlerësimit të parametrave ekziston e dyzuar. Madje ekstremisht e kundërt. Domethënë, ndryshe e sheh opozita dhe pjesa dërmuese e institucioneve ndërkombëtare, realitetin zhvillimor të vendit, nën qeverisjen e kryeministrit Berisha, dhe krejt ndryshe e vlerëson këtë realitet maxhoranca qeverisëse, d.m.th, vetë unitari Berisha. Deklarimet vlerësuese të të cilit më tepër i referohen realitetit iluzivë, se sa atij të vërtetë, që prodhon jeta shqiptare.

Shpërfaqja më e fundit e realitetit iluzivë kryeministror ishte deklarimi që Berisha bëri në mbledhjen e pare të qeverisë për vitin 2013, ku vitin 2012, që sipas ekspertëve ishte një nga më të vështirët, e vlerësoi si të mbarë. “Viti që lamë pas, në dhjetë muajt e parë, rezulton të ketë pasur rritje të xhiros së përgjithshme të sipërmarrjes së vendit, 101 miliardë lekë. Të gjithë ata që deklarojnë se është ulur fuqia blerëse gabojnë. Ka rritje solide të xhiros së përgjithshme të sipërmarrjes së vendit. Rritje që përjashton idenë e rënies së fuqisë blerëse”. Ky është realiteti 2012, sipas Berishës. Realitet që, sipas INSTAT-it,por edhe Bankës së Shqipërisë, pra dy institucioneve zyrtare shtetërore, del të jetë karakterizuar nga rënie e konsumit dhe investimeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011.

Kjo deklaratë iluzive e Kryeministrit erdhi, ndërkohë që para saj, në seancën e fundit plenare të Parlamentit, në kundërpërgjigje të akuzave të opozitës, për keqqeverisje me pasojë futjen e vendit në kolaps gjithëpërfshirës, Sali Berisha e renditi Shqipërinë në vendin e katërt në botë për shtimin e rritjes ekonomike. Rritje që sipas tij ka prodhuar mirëqenie për shqiptarët. Për të përligjur këtë “sukses”, Kryeministri, i shquar për gërmim ndër kanalet ndërkombëtare të informacionit, në gjetje të ndonjë shifre që e prezanton pozitivisht qeverisjen e tij, citoi listën e një agjencie të huaj, duke harruar jo pak raportime të tjera. Agjenci dhe institucioni prestigjioze ndërkombëtare, që pohojnë krejt të kundërtën. Domethënë realitetin e vërtetë të jetës që po përjetojnë shqiptarët dhe Shqipëria e rreshtuar, ndoshta me të drejtë, në vendin e katërt për rritjen ekonomike, por jo atë sociale. Jo rritjen e mirëqenies së pjesës dërmuese të taksapaguesve,që vazhdojnë ta shtyjnë jetën me 2-5 dollarë në ditë, por të vetëm 55 personave multimilionerë, të cilët, sipas raportit 2012 të kompanisë prestigjioze “Wealth X”:zotërojnë në total një pasuri prej 7 miliard dollarë.

Rreshtimi i Shqipërisë në vendin e katërt me rritje ekonomike ka mjaftuar për të kënaqur, por edhe stimuluar shpërthimin e realitetit iluzivë kryeministror, para të cilit bëhet hi varfëria, kriza, korrupsioni e reformat, që në vend ta bënin më elegante e më shërbestare administratën zyrtare e kanë stërfryrë me militantë,me familjarë, soj e sorollop të padijshëm, që vetëm zhvasin e nuk japin. Që vetëm paguhen me paga mujore, me shpërblime e dieta, të rrjedhura nga kontributet publike, pa dhënë kurrfarë produktiviteti tjetër përveç qehajaizmit e lakeizmit partiako-klanor.

Por, realiteti i mësipërm shqiptarë, i dalë nga iluzionizmi kryeministror, nuk është as i pari e as i fundit. Pak përpara deklarimit të bërë në seancën e fundit parlamentare, Kryeministri, njëherësh dhe kryetar dinastik i partisë së maxhorancës qeverisëse, nuk ngurroi ta vendoste ekonominë e Shqipërisë përkrah asaj të Gjermanisë. Veç, pa përmendur kolapsin financiar. Pa përmendur situatën e keqe, të karakterizuar nga rritja e kostove të jetesës dhe pagat e ulëta, që, nga muaji në muaj, rrezikohen të merren. Por, pa deklaruar as edhe papunësinë kronike, rritjen e saj galopante drejt 30 %. Por pa përmendur as dështimet e mëdha qeveritare në privatizimin e ndërmarrjeve strategjike, as krizën e kompanive e firmave të ndërtimit, që ka sjellë si pasojë mosshitjen e rreth 12-15 mijë apartamenteve, as qindra falimentime biznesesh të mesme e të vogla…

Nëse do t’i referohesh realitetit të vërtetë të jetës shqiptare, dhe jo atij iluzivë kryeministror, duhet pranuar se, veçanërisht këto dy vitet e fundit, Shqipëria ka ecur sipas stilit të gaforres, për së mbrapshti. Ka bërë hapa pas në pjesën dërmuese të sektorëve jetikë. Por edhe në ruajtjen e individualitetit e të pavarësisë së katër pushteteve. Madje ka bërë hapa pas edhe në luajalitetin politik, edhe në drejtësi, edhe në funksionalitetin e demokracisë. Duke u bërë rreshtueshmërisht e shqueshme jo vetëm në listën e vendeve me korrupsion të thelluar, por edhe me drejtësi të munguar e njehsim të katër pushteteve në unipushtetin. Në pushtetin kryeministror, që, duke qenë skajshmërisht e kundërta e asaj çka kërkon standardi perëndimore pengon ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Pengon shtrimin e dialogut politik midis forcave kundërshtare, duke stimuluar konfliktin e krizën. Krizën që, falë iluzionizmit kryeministror,nuk është pjesë e realitetit shqiptarë, por shpikje e opozitës dhe e kreut të saj Edi Rama, i cili, po për të njëjtën arsye kryeministrore, bëhet përgjegjës i vetëm, për gjithë dështimet e politikave qeverisëse. Por edhe për konfliktualitetin politik, edhe për mosmarrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në BE.

I ndikuar nga efekti iluzionist, Kryeministri (dukuri e shqueshme kjo tek banorët e malësive të thella, nga vjen kryeministri, të cilët për shkak të privimeve që u sjellë realiteti i jetës së mbyllur midis maleve, e krijojnë atë sipas asaj që ata përfytyrojnë të jetë), e ka po ashtu të vështirë të pranojë realitetin zyrtarë të duarve të pista. Të duarve për të cilat në garimin drejt pushtetit tetë vite më parë,u zotua se do t’i pastronte. Se do qeveriste me duar të pastra. Gjë që nuk ndodhi. Dhe këtë nuk e thotë vetëm opozita, që për çdo ditë publikon afera korruptive, por edhe institucionet ndërkombëtare. “Më shumë se 1.3 miliard dollarë,një shumë e barazvlefshme me një të tretën e buxhetit vjetor të Shqipërisë, ka dalë nga vendi gjatë pesë viteve në mënyrë të kombinuar, përmes korrupsionit, evazionit fiskal dhe aktiviteteve ilegale”, shënon ”Global Financial Integrity”, grupi i avokatisë anti- korrupsion me qendër në Uashington, duke shtuar se nxjerrja e shumës së mësipërme është bërë nga elitat e korruptuara shqiptare. Gjatë periudhës kohore 2005- 2010, që përkon me hipjen në krye të qeverisjes të Sali Berishës. Të Kryeministrit, që për hatër gjendjes nën iluzion, Shqipërinë e duarve të pista, për hatër të qeverisjes prej tij, e thërret “E bukura e dheut”, dhe që ka nisur të besoj se rrjedh nga familje fisnike. Me traditë kalërimi e koleksion armësh, por edhe se është burrë i madh shteti, i njëjtë si Ahmet Zogu I dhe Enver Hoxha.

6 komente në “Kryeministri iluzionist”

  1. Ben Chicago says:

    po edhe ne ato qe flasin mire per saliun shifrat jane ofruar nga vete sali

    1. fl says:

      Problemi eshte se pervec atye qe e ndjekin prej interesit ka dhe nje shtrese te tere te fandaksurish ne injorance dhe prapambetje qe e besojne akoma. TE pakten tek LSI kjo shtrese e dyte votusish nuk ekziston.

      E nisi duke thene se na beje superfuqi energjitike me central berthamor.
      Pastj tha se mesatarisht sot na takon 9 mije $ per fryme ne vit.
      Se fundimi tha se jemi ne podium (te vendet e para) per rritje ekonomike ne bote.

      Me thoni ju tani a ka njeri normal sot qe jashte interesit, ta besoje realisht kete qenie dhe ta votoj per here te 8 a 9?

  2. fox says:

    Kur mbaron se mbaruari kete artikull dinjitoz kuptohet se mund te vihet dhe nje titull me i sakte:
    Kryemistri psiko-vampir qe i shkaktojë taksapaguesve shqiptare trauma te grades kriminale.
    Por faji eshte i nje tjetri banori te malësive të thella…qe eshte bash nga shoshaj i tropojes dhe qe komandon per 22 vjet me pult nga amerika kete krijese te frikeshme dhe te neveriteshme..eshte serbishtfolesi elesh biberaj qe e shkerdheu ate vend si hakmarrje komitesh..Bravo zoti Shyti.

  3. ILIRET says:

    Kontradikta me e madhe.
    Disa hane sa dhjesin, disa nuk kane c’te hane dhe vdesin…

  4. G.Ylli says:

    realitet alla shqiptar.
    Shqiperia eshte nje truall ku qeverite brenda 100 viteve pasurohen dhe largohen, duke ju dhene femijeve te tyre pasurine popullit.Nderkohe populli eshte nje kope njerzish qe s’dijne c’eshte drejtesia,liria,prona, dhe dinjiteti njerzor.
    Nga kjo pa dituri e popullit perfitojne pseudopolitikanet e tiranes qe jane pajtuar nen rogos per tretjen e Shqiperise ne finale.Kjo i mban edhe ne fron per tu pasuruar.

  5. Elezi says:

    I fandaksuar thuaj i nderuar autor i shkrimit,kryeminister i fandaksuar dhe paranojak i shejtanizuar themi ne shqiptaret per te tille njerez qe duke e kuptuar se kane para bageti dhe jo popull nuk kane frena per te ndalur genjeshtrat e tyre.Mjere ne qe kemi nje te tille kryeminister,por mjerisht dhe nje tufe njerezish e opozitare qe vetem bejne gam-gam-gam duke mos patur kurajon te kundershtojne rrugeve e shesheve sic bente dikur dhe eshte gati te beje i fandaksuri kryeminister i yni.Nje shkrim dinjitoz…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje