Liga mbarëkombëtare, domosdoshmëri apo rrezik?

5 Janar 2013, 18:15Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Kur përpiqesh të shkruash diçka, e cila në brendinë e saj flet edhe për Kosovën, të kap një ndjesi e fuqishme sepse e di që do përballesh me komente të shumta. Dhe, kur ajo që do të thuash mund të jetë në kundërshti të fortë me shumëçka mendojnë të tjerët, atëherë duhet ta bindësh fort veten dhe t’i marrësh parasysh edhe “pasojat”.

Nuk kam shkruar asnjëherë në lidhje me zhvillimet e ndërsjella Shqipëri- Kosovë, kësisoj vendosa ta hedh edhe këtë hap në këtë zonë të “minuar”. Shkak u bë deklarata e kryeministrit Berisha në mbledhjen e fundit të qeverisë i cili autorizoi ministrin tonë të Kulturës për të hedhur hapin e parë për bashkimin e ligave të futbollit Shqipëri-Kosovë: “Zoti ministër i Kulturës, këtë vit duhet të fillojë veprimtarinë liga mbarë kombëtare e futbollit. Uluni dhe bëni projektin bashkë me ministrin kosovar. Ta quajmë mbarëkombëtare. Tifozi i Mitrovicës të vijë në shohë ndeshjen Flamurtari- Mitrovica. Të përfshihen të gjitha skuadrat. Kjo është rruga për të shpalosur të gjithë potencialet dhe talentet në futboll. Ta nisim me futbollin dhe të fuqizojmë tregun e futbollit për të ndjekur një numër sa më të madh yjesh”.

Kjo iniciativë pason në fakt një nisëm të mëparshme të Aleancës Kuq e Zi të quajtur “Një komb, një kampionat”. Pra, që të dyja kanë si emërues të përbashkët njësimin e kampionatit të futbollit.

Në pamje të parë duket si ide shumë pozitive dhe e mirëpritur nga sportdashësit anembanë, brenda e jashtë Shqipërisë. Por, barriera e parë që do ta konkretizonte këtë bashkim nëpërmjet sportit, janë dy organizatat e mëdha futbollistike, UEFA dhe FIFA. Le ta marrim të mirëqenë se të dyja ato e miratojnë. Le të pranojmë që edhe vetë skuadrat do arrijnë ta përballojnë financiarisht koston e shtuar që vjen nga largësia (transporti, ushqimi, fjetja). Duke i hequr si pengesa këto aspekte, që këtu nis argumenti im, le të themi “kundër” këtij bashkimi.

Futbolli, për të gjithë ata që janë të apasionuar pas tij, është një lojë zbavitëse që të jep emocione të fuqishme. Këto të fundit, në të shumtën e rasteve, e rrisin nivelin e adrenalinës në nivele të atilla të cilat e kthejnë futbolldashësin në një tifoz të sëmurë të ekipit të tij të zemrës. Dhe kur ky individ inkuadrohet në stadium me një grup të stërmadh tifozësh, kthehet në një kërcënim për lojën e bukur të futbollit.

Shpeshherë jemi ndeshur në kampionatin tonë, bile edhe në SuperLigë (e cila është shkalla më e lartë e kualitetit sportiv), me gjeste ekstreme që vijnë nga të gjitha anët. Për shkak të një arbitrimi të dobët a të njëanshëm të ndeshjes, për shkak të një lojë të rëndë nga lojtarët kundërshtarë e shumë arsye të tjera, lojtarët vendas, trajnerët, presidenti i ekipit, kryetari i bashkisë, janë zënë me shkelma e grushta, apo goditur me këpucë kokës lojtarët e ekipit mik. Më tej, tifozeria në shkallët e stadiumit, në rastin më të mirë ka sharë e ofenduar në kor me ‘libër shpie’ lojtarin, ekipin apo qytetin që përfaqëson skuadra me të cilët ndeshet ekipi i tyre dhe, në rastin me të keq, drejt tyre kanë fluturuar gurë, shishe, stola e gjithçka tjetër që u ka zënë dora, duke çuar edhe në plagosje lojtarësh në fushë. Nuk dua të përmend stadiume qytetesh ku kanë ndodhur këto pasi dihen shumë mirë nga të gjithë.

Tani le të kthehemi te ajo që mund të ndodhë nesër, kur ligat shqiptaro- kosovare të jenë bërë një. Në këtë rast unë po e paragjykoj situatën, por e di që është një paragjykim që do bëhet realitet.

Fillimisht tifozeritë do jenë miqësore me njëra- tjetrën, do duartrokiten edhe kur skuadra vendase do mundet nga skuadra e një prej qyteteve të Kosovës. Por, atëherë kur kampionati të jetë nxehur, kur njëra skuadër rrezikon të bjerë nga kategoria e tjetra lufton për titull kampion, pikërisht ai është momenti që unë i druhem më shumë. Aty ndjenjat patriotike do ia lënë vendin “urrejtjes” që shpreh çdo tifoz në stadium kur skuadra e zemrës është duke humbur. Unë i druhem pikërisht atyre skenave që parashtrova më sipër, të cilat ndodhin rëndom në kampionatin tonë. Një lëndim a plagosje e një lojtari kosovar, një ofendim në kor i tij, i skuadrës, qytetit a Kosovës në tërësi, do jenë mjaft tronditëse. Një braktisje e lojës apo edhe e kampionatit pas kësaj prej skuadrave kosovare, do të jetë fatale. Sado që të dënohen lojtarët apo fushat e lojës, realiteti na ka mësuar se ato s’janë evituar dot.

Ne në Shqipëri jemi mësuar me njëri- tjetrin me këtë situatë. Lëkura na është regjur e bërë shollë opinge e s’na bën më përshtypje. Por një sjellje e tillë e pashmangshme ndaj skuadrave kosovare, do parasillte një efekt negativ në atë që, a jemi ne gati për një bashkim më të madh mes nesh? Dhe unë këtu parashtrova atë çka mund të ndodhë tek ne, pa e bërë pjesë të këtij shkrimi se çfarë mund të ndodhë në Kosovë si kundërveprim.

Si një ndjekës i rregullt i futbollit në stadium, unë e shoh shumë të errët perspektivën e këtij bashkimi futbollistik. Për këtë arsye unë nuk jam partizan i kësaj ideje dhe mendoj se duhet të vijohet kështu siç është. Nesër vërtet mund të jetë shumë vonë.

Nëse kam qenë ndonjëherë i pavendosur në parashikim, kësaj here jam më i bindur se kurrë. Dhe për këtë arsye, as nuk dua ta theksoj shprehjen: “qofsha unë i gabuar”!

16 komente në “Liga mbarëkombëtare, domosdoshmëri apo rrezik?”

  1. dritani says:

    Pas atij artikullit halucinant per Kosta Xhepistin ky mendoi te provoje te jape ndonje mendim te vyer per Kosoven dhe futbollin.
    E beson se do ta lexoje ndonjeri?!

    1. Din Kruja says:

      Ke te drejte o Dritan. Eshte pak ti thuash halucinant, keto jane thjeshte shkrime me porosi nga faktore antishqiptare. Edhe ajo per Barjaben ishte e porositur nga Fondacioni Kokkalis te cilet edhe e kane promovuar si shume te tjere ne politike. Ne menyre aspak te habitshme shumica e tyre ndodhen ne kreun e Partise Socialiste.
      Argumentat qe jep Ketro kunder nje lige mbare shqiptare te futbollit jane nga me qesharaket. Thote se me rritjen e distancave do te rriten edhe shpenzimet. Po ne shtete te te tjera, nuk flas per Gjermani, Framnce , Itali, por per ato ne Ballkan, si Bullgari, Rumani etj, si e heqin kete hall. Ketro harron se me shpejt sot shkon nga Tirane ne Kosove se sa ne Korce, nuk po them Gjirokaster, Permet.
      Thote do te thyhet uniteti kombetar se do te shahen, grinden dhe rrihen tifozet. Keto probleme jane ne te gjithe boten, pra si i kapercejne ata ashtu do tja bejme edhe ne.
      Z. Mero tu botosh shkrime antishqiptare autoreve te tille si ky Ketri eshte nuk i sherben aspak diversitetit te mendimeve dhe opinioneve opinioneve, perkundrazi do te te ule dinjitetin gazetes tende.

      1. shkupi i madh says:

        koment me vend,se nder gazetare aq ,,huqa,,qe ka sekam dit.ne vend te inkurajimit te kesaj ideje ku kampionati do behej me interesant ,me konkurence ky thot budalleqe

    2. fl says:

      Artikulli eshte 100% i sakte. Ketu kampionatin nuk ndjek me njeri prej vitesh. Ndeshjet nga fundi fillojne e behen maskarada dhe kercet dhe dajaku. Pse te perzish ne llumin tone dhe Kosoven?

      Ne rast se zagari Tropojes do te beje patriotizem le te perfundonte projektin e interkonjeksionit per energjine elektrike. Kurse syleshet e tij le hapin veshet ?

  2. ILIRET says:

    Pengese kryesore eshte UEFA dhe FIFA , dhe me e madhe akome eshte Serbia. Ne se keto nuk japin miratim as qe duhet te te shkoje mendja per nje kampionat te tille.
    Po ky budallai yne, pa asnje studim, bisedim apo konsultim i shpall keto ide. Sa edhe Bumci u kap gafil dhe tha me vete: Po ky i marre,cfare po flet?.
    Ne se nuk te njeh UEFA, bej po deshe edhe kampionat fshatrash. Supozojme se Prishtina doli kampion. Nuk e lejon kush ne kupat e Europes. Ke perfaqeson ? Sepse jane dy shtete…

  3. Tifozi Kuq e Zi says:

    Nje komb, nje kombetare = Liga mbarëkombëtare!
    http://fashionguests.blogspot.com/2012/10/blog-post.html

  4. Saleh Berishoviç says:

    He mer sa te kane paguar serbet per kte shkrim? ?
    Ptu zagar i keq! Sepse paska ndodhur 2-3 here ndonje gje “ekstreme” nuk u dashka te behet kampionati i perbashket eh?

  5. ka mundesi says:

    Pershendetje Altin qe more persiper te shkruash per kete rast!
    Si gjithmone, I pari ka vlerat e tij per tu admiruar e ne kete rast ti si fillim ke admirimin tim.
    Doja te replikoja pak me ty,nese me lejohet,sepse edhe une jam ndjekes I futbollit si atij kombetar por edhe atij nderkombetar me shume. Dua ti kap sipas pikave qe edhe ti I ke rreshtuar me siper problemet qe mendon se do te lindin pas kesaj ngjarje te priteshme.
    1-Bashkimi I dy ligave ne nje te vetme eshte nje burokraci qe kalon shume shpejt dhe nuk ka pengesa,perkundrazi,ka precedente positive(rasti ne USA dhe Kanada)
    2-Per kostot financiare,mendoj se nuk jane pengesa te medha pasi edhe sot,ekipet kane shpenzime te tilla,por me kryesorja do te thoja une,po sikur keto dy liga te ekzistonin me perpara,pra marrim te mireqene rastin sikur Shqiperia dhe Kosova TE ISHIN TE PANDARA,a do te zhvillohej ky kampionat? Une them se po,po te kemi parasysh qe vende te tjera qe jane edhe me poshte se ne financiarisht dhe kane nje shtrirje me te madhe territorial si ja bejne qe kuajne ne distance aq te largeta?
    3-Sa per tifozerite,ka ikur koha qe mund te mendojme se si do te mundim ti bejeme zap grupet e tifozeve kundershtare. As me shume e as me pak se cbejne neper vende te tjera qe futbolli eshte ne nivel me te lart se te ne,dhe nderkohe,tifozerite po ashtu jane me “agresive”fale dhe rivalitetit te madh qe ekziston.
    Kjo sa per rastet e “rrezikut”qe ti parashikon ne nje rast evident te bashkimit.
    Une me teper do ta shikoja ne aspektin politik te problemit. Pra te te ashtuquajturit protagonist te thirrjes per bashkim.Sepse tek e fundit,njerezit e pare qe kane ngritur si domosdoshmeri te tille,jane nga politika dhe kerkojne te fitojne ne kete aspect.Kete shikoj une si ane negative te diskutimit,pra te marrje se flamurit kush e kush I pari.Nje dite bashkimi I dy trojeve do te behet,duam apo sduam ne te dy. Lufta per te qene fitimtare politike,nuk do na pelqente te dyve.
    Te pakten keshtu mendoj une!

    FALEMINDERIT.

  6. Bashkim says:

    Po te nisemi nga arsyet e srtikullshkruesit,do nxjerrim dhe shume te tjera,por keto nuk jane arsye per te mosfilluar nje kampionat te perbashket,nen drejtimin e federates shqiptare te futbollit.
    Ekipi i Prishtines do luaj si çdo ekip shqiptar,i federuar ne FSHF.
    Kush do ta pengoi nje ekip shqiptar te luaj ne kupat e Europes ? Asnje !
    Ekipi i Prishtines nuk mund te luaj si ekip kosovar,por jo si shqiptar.
    FSHF eshte antare e forumit nderkombetar,si e tille , te gjitha skuadrat e federuara brenda saj,gezojne te drejten per te luajtur ne te gjitha kupat e Europes.
    Ky kampionat bashkon shqiptaret dhe ngreh cilesine sportive.

  7. sami says:

    Berisha hedh nje gur pus e ….Aldo Bumcit mund ti jap urdher ne mbledhje qeverie , por ministrin kosovar nuk urdhon dot.Fillimisht bihet dakort midis dy qeverive,pastaj veprojne te tjeret.

  8. Tiransi prej Prishtine says:

    Ideja per te bere nje lige futbollistike eshte nje ide jo e keqe per te ngritur futbollin Shqipetar ne arenen nderkombetare.
    Mendoj se fillimisht ne mund ta provojme menjehere me nje lige te perbashket te sporteve sekondare si Liga Kombetare e Basketbollit dhe ajo e Volejbollit,ketu duhet te financojne projektin Dy qeverite Shqiptare.
    Me te pare dhe impaktin qe do te japin keto liga per te thithur sa me shume interes publik dhe marketingu,atehere sigurisht dhe futbolli si sporti me i financuar dhe me popullaritet do te bashkohet vetvetiu per nje konkurence me cilesore.
    Deshira dhe ideja per te patur liga mbarekombetare shqiptare sigurisht e ka burimin tek Ambjenti Sportiv i Shqiptareve,atyre qe jane prane te gjitha llojeve te sporteve.
    Politika Shqiptare nuk eshte se e ka per qejf sportin dhe mbeshtetjen ndaj tij,kete mund ta shihni tek Buxheti Vjetor i Qeverive tona,sa jane shumat e planifikuara aty per te gjitha llojet e federatave.Do te shikoni se shumat e vene ne dispozicion te tyre jane vetem disa therrime per te mbajtur ne pune disa te aferm partiake.Shikoni Axhensine e Sporteve qe ndodhet tek kompleksi stervitor “DINAMO” pasi mori dhurate gjithe ambientet aty,investimet e saj ne drejtim te sportit, qene disa projekte ne leter te cilave ju ka dale boja aty ku i ekspozuan ne fasaden siper deres se hyrjes ne te,dhe e dyta ngritja e nje bar kafeje ne lulishten perpara saj.
    Shikoni Sjelljen e qeverive nder vite ndaj Klubeve Sportive dhe Ambjenteve te tyre,fushave sportive te lagjeve te Tiranes, te gjitha jane kthyer ne BETON,fushat e pallatit te Pionereve,klubi Partizani,fusha e “Zeze” tek 21 Dhjetori,Fushat stervitore tek Ali demi..etj..etj
    Keto thirrje patetike para fushatave elektorale jane nje tullumbace e shfrure per sa i perket interesit te Shtetit Shqiptar per Sportin.

  9. Taulant/Tirane says:

    Veshtiresi nuk ka dyshim qe do kete.Do kete veshtiresi dhe nese liga e pare bashkohet ne nje lige me superioren.Une kete llogjike te dorezimit ,nuk e kuptoj.Pse nuk gje nje seri gjerash ,veprimesh qe ta bejme te mundur kete “te pamundur”.
    TE PAMUNDURAT, SIPAS TEJE,JANE:
    1-jURIDIKE
    Ekipi I Prishtines ka pranuar sakrifica te tilla qe te mund te njihet juridikisht si ekip I Kukesit apo Tropojes,vetem qe te luaj ne” memedhe”.
    2-DISTANCAT
    Ekipet kane sponsora dhe mesa di une kane dhe auutobuzat e tyre.Pra kostua ekstra eshte ca litra benzine me shume.Dhe nese luajne nga Prishtina ne Gjirokaster dhe ndeshja luhet 2-4pm ka kohe qe mbas ndeshjes te arrijne po ate nate ne Prishtine.Fundja Shkodra nuk eshte shume me afer.Po nese Kukesi hyn ne te paren ,si I behet???Kukesi nga Prishtina eshte vetem nje ore larg.

    3-TIFOZAT
    Nes do kete tifoza nga ndonje qytet qe do shahen ,sic the dhe ti,sa ndikon kjo ne “urrejtjen” e shumices se qytetareve te ketyre qyteteve.PSH ,di ndonje sondazh sesa urrehen vlonjatet ne Korce per shkak te “incidenteve sportive” apo anasjelltas.(stadiumet tona jane boooshhhh)
    E ke vrare mendjen se c’mund te bejme per ta zbutur kete”urrejtje” ne stadiumet tona.E di qe nuk ka me Organizata Partie,Bashkime Profesionale etj qe te punojne per kete gje,por menyra te tjera nuk diskutohet qe ka.
    PO SIKUR KRYETARI BASHKISE TE VIJE VET NE STADIUM,po te vije dhe deputeti I zones ,PO SIKUR TE BISEDOJE ME PRESIDENTIN E KLUBIT DHE TE TAKOJNE VET TIFOZET ,A MUND TE REZULTOJE ME MIRE PER TE MOS PATUR INCIDENTE???

    PER KETE VRITE MENDJEN,I NDERUAR AUTOR DHE MOS GJEJ RRUGEN ME TE SHKURTER,SE ATE E DIME TE GJITHE.NESE KA DESHIRE ,KA NJE MENYRE PER TA ZGJIDHUR.

  10. demokrat says:

    Berisha nuk eshte idiot si politikan, eshte i zgjuar deri ne diabolizem, pak per mos te thene askush nu e ka si ai sensin e momentit. Momenti eshte qe ka nje ndergjgjesim nacional, dhe ai do ta shfrytezoj. Si? Nuk eshte nje ide e re qe kerkon te vihet ne praktike, eeshte nje praktike qe kerkon perpunim vetem ligjor. Si te leme 2 milione shqiptare te Kosoves te mbyllur, pa asnje komunikim me evropen dhe boten sportive? Cfare eshte ky trajtim cnjerezor qe u pengon njerezve qe fituan me gjak lirine te ndihen te perbuzur nga nje organizate qe ka per qellim bashkimin e njerezve nepermjet sportit? A duhet lene aspiratat e 2 milione evropianeve peng i psikopatit platini dhe nje burokrati qe u zgjidh me vota te blera si blater? ligjet jane per tu zbatuar por kur keto ligje dhe organizata cojne ne politike segregative atehere keto ligje ndryshohen dhe kur nuk mund te ndryshohen atehere refuzohen ne baze te principit te lirise. Kosova po mbahet peng jo nga serbia , por mbahet peng nga Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro. E njejta rruge qe u ndoq per te fituar lirine e njejta te ndiqet per ta afirmaur dhe nxjerre kete pjese te shqiptarise nga i njejti izolim qe u diktua mbi shqiptaret per rreth 45vjet. kete radhe esht enje dritare, shfrytezojeni dritaren, Shqiperine per ta bere NUL opsionin serb te zvarritjes. Nje LIGE e PERBASHKET, SOT jo NESER. Sa per keto artikuj, pa merak njehere Andonet, heren tjeter Lubonjat dhe vone ndonje tjeter si ky tipi me siper do ta bejne faqen e zeze per nje kulete plot. Ka jo pak racionalitet dhe realizem ne direktiven e Berishes, ai mund ta beje pasi ne steke eshte dicka me e madhe, pushteti, dhe per pushtetin ai sndalet para asgjeje, ajo qe fitojne shqiptaret eshte jo pak, ngelet per tu pare a do te perfitoje Berisha, deri atehere le te shfrytezohet kjo mundesi qe shteti shqiptar ofron.

  11. hasan says:

    Ne Shqiptaret jemi te shquar per gjera te prapta dhe te shpejtuara.Asnjehere nuk kemi bere si shoket.Qe jemi ca patriote te thekur e di kushdo.Po jemi aq patriote budallenj sa qeshim kur i shesim gjerat tona tek fqinji per interesin e njerit nga ne.Na shiten ,troje ,burime minerare te mira materiale dhe nuk flasim nuk protestojme.Hedh nje budalla nje gur ne lume ne emer te patriotizmit dhe ne “patriotet” hidhemi si delet nje nga nje per tu mbytur ne emer te patrotizmit.Po a jemi ne me te mençur,me te pasur e me patriote se anglezet e skocezet qe e bejne kampionatin me vete?Kur jemi dhe dy shtete te ndara?

  12. Takniku says:

    Pa i hyre ceshtjes ne terma sportive, eshte GABIM GABIM GABIM te bashkohen keto dy federata qe jane sot! FSHF eshte bere si shpella e Ali Baba-se, ku Ali Baba eshte Duka. Eshte bere nje fole korrupsioni qe nuk nuk duket te kete vullnet/deshire/interes te ndryshoje. Federata e Kosoves nuk eshte akoma e konsoliduar dhe ka shume gjasa qe, po i futi duart Duka, te krimbet edhe ajo deri ne palce si FSH.
    Pra dhe njehere JO! bashkimi i kampionateve eshte nje gabim shume i madh per futbollin shqiptar.

  13. Aldo says:

    Altin

    Shkrimi yt ngre nje problem (apo disa) qe lidhen me tifozin e semure.
    Jam pak a shume dakord me ty! Por nuk dal ne perfundimin tend, sepse une nuk e shoh se si shtimi i skuadrave nga Kosova na prish pune!
    Nese tifozerite rrihen tani do rrihen edhe atehere. Nje here do rrihen Prishtinaket ne Peqin e pastaj do rrihen Peqinaket ne Prishtine.
    Ca kohe do zgjase edhe inati se kur Prishtina te mund Kavajen e Peqini te shpetoje nga renia nga kategoria Prishtinaket do te behen miq te nderuar te Peqinit e anasjelltas.
    Keto ndodhin ne gjithe boten. Kemi Italine qe plas lufta ne shehse, ne Angli deri pak vite me pare ishte tmerr. Sot pas nderhyrjes se ligjit Anglia eshte tjeter.
    Kjo ne fakt eshte edhe ajo qe na mungon per nje bashkim te vertete. Te njihemi e ti mesojme huqet njerit-jetrit sic i mesojme virtytet.
    Per sa i perket FIFA apo UEFA zgjidhja eshte shume me e thjeshte nga c’e bejne burokratet ne Tirane.
    Kujtoni Superkupen e Italise ku u luajt? Ne Pekin!! Po sikur Vllaznia tash e tutje ti bente ndeshjet ne Prishtine kush e ndalon askush.
    Po sikur skuadrat kosovare te regjistorheshin ne FSHF si skuadra te Sarandes, Gramshit, Kukesit, Tiranes etj, por te luanin ne Stadiumet e qyteteve te tyre!

    Aldo

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje