Thellë në perëndim të Kosovës, midis një lokaliteti ku banojnë serbët, ndodhet një përmendore, e cila lartëson burra që bënë krime ndaj shqiptarëve në luftën e zhvilluar gjatë viteve 1998-1999. Njerëzit që e kanë ngritur, në të, e përshkruajnë veten si të gjallë të vdekur.
Përmendorja e shtrirë në rreth një ar hapësirë, rri e ngritur në cep të rrugës që përshkon fshatin Gorazhdec të Pejës, i banuar me serbë. Uji në një fontanë të vënë aty, ishte ngrirë të mërkurën, sikurse edhe në një çezmë aty pranë. E nacionalizmi nxehet nga përmbajtja në pllakën përkujtimore dhe nga flamuri i Serbisë që i rri sipër, i vendosur në një kryq të metaltë.
“Nuk është aq e tmerrshme të vdesësh, sa është e tmerrshme të jetosh i gjallë i vdekur”, shkruhet në pllakën e përmendores.
Pasohet me një rresht tjetër, sipër emrave të gravuar të burrave dhe një gruaje, të cilëve u është bërë lapidari. Ka këtë përmbajtje: “Viktima të terroristëve shqiptarë”.
Pllaka përmbyllet sërish me një fjali. Në të shkruhet: “Keni vdekur duke na mbrojtur neve”.
Nuk është vetëm ky në Kosovë. Ka shumë të tillë. Ndër më të mëdhenjtë është edhe një i ngritur në brigjet veriore të lumit Ibër në Mitrovicë, aty tek ura kryesore e qytetit që lidh pjesët e ndara etnikisht./KD
spaskan nje bombe atje ?