SHBA: Platforma serbe nuk ndihmon dialogun

14 Janar 2013, 12:22Rajoni TEMA

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ende nuk është deklaruar lidhur me rezolutën dhe platformën politike serbe për Kosovën të miratuar nga Kuvendi i Serbisë. Mirëpo, një burim i Departamentit të Shtetit tha për RTK-në se ajo jo vetëm që nuk ndihmon raportet, “por platforma si e tillë do të pengojë dhe dëmtojë dialogun në nivelin e lartë politik”.

Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar fuqimisht në mbështetje të dialogut që po zhvillohet në Bruksel nën patronatin e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

Analistë të tjerë amerikanë kanë deklaruar se rezoluta dhe platforma serbe në formën e miratuar “përpiqet të ruajë tendencën e sovranitetit formal në gjithë territorin e Kosovës”, ndërsa ka për qëllim “të krijojë një sistem ku serbët e Kosovës do të qeveriseshin ndaras”, raporton RTK.

Ajo edhe është quajtur një “ëndërr e Millosheviçit”, duke aluduar tërthorazi se në politikën serbe asgjë nuk ka ndryshuar nga ideologjia diktatoriale dhe shoviniste e kriminelit serb, ideologji që çoi në shkatërrimin e ish Jugosllavisë dhe nisjen e luftërave me sllovenët, kroatët, myslimanët e Bosnjës dhe me shqiptarët.

Profesori në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer ditë më parë deklaroi se më një qëndrim dhe platformë të tillë provokohen dhe “janë të mundshme edhe konfliktet e armatosura”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje