PSZH-Arsenal, ideohet shkëmbimi i trajnerëve

20 Janar 2013, 15:39Sport TEMA

Paris Sent Zhërmen po bëhet gati që t’i ofrojë Arsen Venger një kontratë marramendëse prej 30 milion paund që të largohet nga Arsenali dhe të kthehet në kryeqytetin francez për të zëvendësuar Karlo Ançelotin.

Kontrata e Venger përfundon në vitin 2014 por me Pep Guardiolën që zyrtarizoi transferimin te Bajern Mynih dhe Zhoze Murinjon që ka bërë të qartë se preferon Anglinë, PSZH mendon se trajneri i Arsenalit është alternativa më e mirë e mundshme që ka mbetur në qarkullim.

Edhe tekniku italian do të ishte gati të kthehej përsëri në Londër, pasi mendon se ka ende për të dhënë në futbollin anglez, pas shkarkimit të parakohshëm nga drejtimi i Çelsit.

Pronarët e PSZH kanë vënë në tavolinën e bisedimeve një kontratë trevjeçare prej 10 milion paund në vit për teknikun francez, 3 milion paund më shumë sesa përfiton aktualisht te “topçinjtë”. Por Venger njihet për besnikërinë që ka shfaqur edhe në ta kaluarën ndaj klubeve ku është punësuar, ndaj parisienët me shumë mundësi do të duhet të presin edhe një vit derisa atij t’i përfundojë kontrata ekzistuese.

Presidenti i PSZH, Naser al-Khelaifi është një mik i Venger, pasi trajneri francez ka punuar bashkë me të për televizionin “Al Jazeera”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje