Federata Shqiptare e Futbollit po ndërmerr hapin e parë të rëndësishëm drejt “bashkimit” të futbollit shqiptar me atë kosovar, duke i cilësuar futbollistët kosovarë si shqiptarët. Deri tani, në rregulloret e aktivitetit, futbollistët kosovarë cilësoheshin të huaj, për shkak se vijnë nga një shtet tjetër. Por pas kërkesës publike të grupimit “TifozatKuqeZi”, duket se FSHF ka pranuar të ndryshojë rregulloren, fakt të cilin e ka pranuar presidenti i këtij institucioni, Armand Duka.
“Po, lojtarët kosovarë nuk do të konsiderohen më si të huaj në kampionatin shqiptar. Ka ardhur koha që edhe ne ta bëjmë një ndryshim të tillë, ndaj do bisedojmë me homologët kosovarë për këtë çështje dhe me fillimin e sezonit të ri futbollistik, lojtarët kosovarë nuk do të konsiderohen më si të huaj. Përderisa lojtarët shqiptarë nuk shihen si ekstrakomunitarë në një vend të Bashkimit Evropian, si Greqia, tashmë që prej 2009-ës, mendoj se është momenti që edhe ne të rishikojmë qëndrimin tonë përkundrejt futbollistëve kosovarë që luajnë në kampionatin shqiptar”, ishin fjalët e Dukës në intervistën e tij për “Supersport” rreth kësaj teme.
Më pas, ai ka theksuar se për Ligën Mbarëkombëtare nuk ka një “jo” përfundimtare, por duhen parë të gjitha modalitetet e mundshme nëse synohet krijimi i saj.
“Kam thënë edhe më parë se ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë për krijimin e Ligës dhe në këtë kontekst do punojmë me Federatën e Kosovës për gjetjen e modaliteteve të nevojshme”, shtoi presidenti i FSHF-së.
Presioni për zhvillimin e “Ligës Mbarëkombëtare” është shtuar jo vetëm nga krerët e politikës shqiptare, por edhe nga grupimi “TifozatKuqeZi”. Këta të fundit kanë sugjeruar për FSHF-në që të anashkalojë rregulloret e UEFA-s dhe FIFA-s, duke regjistruar klubet kosovare në kampionatin shqiptar, siç ndodh me disa klube të vendeve të vogla në vende të ndryshme të botës./lajmeshqip
Kete varjant kam dite qe e kam paraqitur ne Tema,Duka duhet te jape dorheqjen,sepse kembengulte se eshte i parealizushem.
Me sa duket duhet te shkoj te rrite prodhimin e vezve.