LeBron Xhejms ka vendosur rekordin e radhës në karrierën e tij të jashtëzakonshme, duke u bërë lojtari me moshën më të re në historinë e NBA që arrin kuotën e 20 mijë pikëve të shënuara. Ylli i Majemit njëkohësisht kaloi edhe 5 mijë pasimet në karrierë, në natën kur skuadra e tij fitoi 92-75 në fushën e Golden Steit.
Xhejms e mbylli takimin me 25 pikë, 10 pasime dhe 7 topa në tabelë, ndërsa dhuroi një paraqitje mbresëlënëse bashkë me Duejn Uejd, në një natë ku të dy dhanë spektakël para publikut me veprime spektakolare. Diferenca mes dy skuadrave ishte aq e madhe sa në periodën e tretë shkoi në 34 pikë dhe “detyroi” trajnerin e Majemit, Erik Spoelstra, të aktivizonte zëvendësuesit gjatë të gjithë periodës së katërt.
LeBron Xhjems vendosi rekordin e ri të 20 mijë pikëve, duke u bërë lojtari më i ri me moshën 28 vjeç e 17 ditë që arrin këtë kuotë, ndërsa para tij, rekordi mbahej nga Kobi Brajant që ishte 29 vjeç e 122 ditë kur e shënoi atë. Xhejms është gjithashtu lojtari me moshën më të re që është shpallur “Debutuesi i Vitit”, shënoi një dhjetëshe të trefishtë, shënon nga 1 mijë pikë, 10 mijë pikë dhe fiton MVP në “All-Star Game”. Ai është lojtari i 38-të në historinë e NBA që arrin këtë shifër, ndërsa është i 13-ti që e kombinon atë me 5 mijë pasimet, ku mes lojtarëve aktivë, vetëm Brajant dhe Kevin Garnet e kanë arritur këtë statistikë të dyfishtë./lajmeshqip