Burime të gazetës nga veriu i Mitrovicës kanë theksuar se hedhja e koktejit të molotovit të dielën në Mitrovicë ka motive të paralajmërimit të kryetarit ilegal, Kërstimir Pantic, si dhe “legalizimin” e veprimit të “Mbrojtjes civile serbe”.
Sipas burimeve të gazetës, grupet radikale serbe janë shumë të hidhëruara në kryetarin Pantic, për shkak të “paaftësisë së tij për negocim rreth marrëveshjes së IBM-së”.
“Pantic nuk i ka mbrojtur interesat e serbëve të Kosovës, por interesat e Qeverisë së Beogradit. Hedhja e koktejit të molotovit ka qenë vetëm një paralajmërim për Panticin, i cili i ka tradhtuar interesat e serbëve, pasi tani serbët e veriut në bazë të marrëveshjes duhet të paguajnë zhdoganimin dhe akcizën për mallrat që i fusin në Kosovë”, ka thënë burimi i gazetës nga veriu i Kosovës.
Një burim tjetër i ka thënë “Kohës Ditore” se incidenti me koktej molotovi ka qenë i përgatitur nga strukturat ilegale serbe me qëllim të funksionalizimit, pra legalizimit të “formacionit paraushtarak serb ‘Mbrojtja civile serbe’, e cila që nga e hëna ka marrë në ruajtje objektin e Komunës paralele serbe tek Tre rrokaqiejt”.