Një debat në distancë është ndezur mes ish-mbrojtësit të Interit, Marko Materaci dhe trajnerit të Çelsit, Rafael Benitez, i cili e ka drejtuar dy vite më parë të zikaltërit. Pas shumë kohësh në heshtje përballë batutave të ish-futbollistit, Benitez në fund ka shpërthyer duke iu kundërpërgjigjur shumë ashpër fjalëve të tij.
Gjithçka ka ardhur pas deklaratës së radhës së Materacit për trajnerin spanjoll. “Rafael Benitez nuk është trajneri im ideal. Nëse unë do të isha presidenti i një klubi, nuk do t’ia besoja kurrë skuadrën time. Ajo që nuk më pëlqente te ai është mënyra se si u prezantua para grupit. Një trajner i madh si Zhoze Murinjo apo Marçelo Lipi, i diskutonte rregullat bashkë me lojtarët, por Benitez dëshironte t’i shkruante vetë 10-12 rregulla. Ishte si të drejtojë trafikun apo të ktheheshe përsëri në shkollë”, ishte deklarata e mbrojtësit, i cili më parë kishte thënë edhe se trajneri spanjoll e kishte bërë të hiqte nga dhomat e zhveshjeve fotot që kishte dalë me Kupën e Botës dhe Ligën e Kampioneve.
Përgjigja e Benitez këtë radhë nuk ka vonuar. “Ai po gënjen. Ai po gënjen. Ai po gënjen, thjesht gënjen. Çdo gjë që ka thënë është një gënjeshtër, është shumë e thjeshtë. Çdo gjë që flet rreth meje janë gënjeshtër, si gjërat që tha rreth meje kur po fliste me Murinjon, pasi askush nuk e dinte që unë po shkoja te Interi. Edhe puna e fotove është një gënjeshtër. Ai është thjesht një gënjeshtar”, ishte shpërthimi në konferencë për shtyp i Benitez që njihet për karakterin e tij të qetë. Por ashtu si edhe Zidan në finalen e Botërorit 2006, edhe nervat e spanjollit nuk kanë mbajtur përballë provokimeve të italianit.