Uesli Shnajder, Arjen Roben dhe Rafael Van Der Vart janë lënë jashtë kombëtares holandeze për ndeshjen miqësore kundër Italisë pasi nuk kanë arritur të luajnë rregullisht me klubet e tyre. Shpjegimin e ka dhënë vetë trajneri Luis Van Gal, i cili ka treguar se për të njëjtën arsye, në këtë miqësore nuk do të figuronin as Xhon Heitinga, Gregori Van Der Viel dhe Marten Stekelenburg.
“Ishte e vështirë të respektonim kriterin tonë, por vetëm në rastin e Roben ekzistonte tundimi për ta grumbulluar. Por nuk e bëra një gjë të tillë dhe kjo do t’i japë mundësinë lojtarëve të tjerë të tregojnë se mund të shfaqin edhe në nivel kombëtareje formën që kanë treguar në nivel klubesh”, tha Van Gal para gazetarëve.
Trajneri holandez foli sidomos për situatën e Stekeneburg, i cili ka qenë titullar te Holanda para se të humbte vendin e tij në formacion te Roma dhe më pas të dështonte transferimi i tij te Fullhem.
“Kjo dritare e merkatos ishte e një rëndësie të veçantë për Stekelenburg dhe kombëtaren holandeze, por përfundimi nuk ishte pozitiv. Marten është padyshim portieri më i mirë holandez, por ai duhet ta tregojë një gjë të tillë dhe kjo nuk ka ndodhur prej shumë kohësh”, shpjegoi Van Gal i cili ka grumbulluar për herë të parë në kombëtare Dalei Blind, djalin e ndihmësit të tij, Dani Blind, ashtu si edhe Xhonatan De Guzman i cili po shkëlqen në këtë sezon me Suonsin në Angli./lajmeshqip