Morati: Merkato e mirë, tani dua titullin

1 Shkurt 2013, 12:36Sport TEMA

Masimo Morati është shfaqur mjaft i kënaqur me lëvizjet e merkatos që ka bërë klubi i tij për t’u përforcuar pas largimeve të Shnajder e Kutinjo. Numri 1 i zikaltërve ka lavdëruar sidomos blerjen e mesfushorit 19 vjeçar kroat, Mateo Kovaçiç, i cili shpreson të bëhet shumë shpejt idhulli i ri i tifozerisë zikaltër.

“Ai është një lojtar me shumë cilësi, një blerje e mirë. Me të synojmë vendin e parë”, ishte komenti entuziast i Moratit që e ka takuar kroatin në zyrat e klubit.

“Kovaçiç është një lojtar i veçantë, i fortë dhe i ri. Ai ka gjithçka që nevojitet për projektin tonë. U takuam për 10 minuta në zyrat e klubit. Ai ishte shumë i lumtur dhe ashtu jam edhe unë. Ai është një futbollist i kompletuar, është interesant ta shohësh pasi do të na sjellë diçka të re”, tha presidenti i zikaltërve.

“Interi ka blerë lojtarë që mund të ishin të vlefshëm për lojën e skuadrës. Kishim nevojë për dikë në krahun e djathtë dhe Skeloto përfaqëson atë që dëshironte trajneri. Kuzmanoviç ka eksperiencë, edhe pse është i ri. Kush e ka ndjekur në stërvitjen e parë, është shprehur mjaft mirë për të”, përfundoi Morati.

Vetë Kovaçiç, që i ka kushtuar Interit 11 milion euro ka treguar se as ai vetë nuk e ka kuptuar se sa shpejt u mbyll kjo marrëveshje e mundshme.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt, isha në stërvitje me Dinamon dhe trajneri më lajmëroi se do të vija të luaja për Interin. E pyeta mos po tallej. Për mua kjo është një ëndërr dhe nuk arrij ende ta shpjegoj mirë atë që po ndodh”, tha Kovaçiç.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje