Gjyqtari Kevin Friend ka një armik të përbetuar që do ta mallkojë gjatë të gjithë jetës së tij, atë që tashmë në Angli cilësohet si bastexhiu më i pafat i historisë. Gjyqtari anglez nuk ka bërë një faj të madh, thjesht i ka rënë bilbilit një sekondë më shpejt në fundin e ndeshjes Lids-Totenhem të Kupës FA që u luajt të dielën, por ajo vërshëllimë i ka kushtuar bastexhiut 500 mijë paund.
Bastexhiu nga Oldham ishte shumë pranë realizimit të bastit më të bujshëm duke parashikuar me rezultat ekzakt të 3 surprizat e Kupës FA të ditës së diel, si dhe atë të Sëlltik në Skoci, ndërsa kishte vënë bast vetëm 3 paund. Skedina e tij kishte 4 rezultatet Brentford-Çelsi 2-2 (koef. 18), Lids-Totenhem 3-1 (koef. 25), Oldham-Liverpul 3-1 (koef. 80) dhe St. Mirren-Sëlltik 3-2 (koef. 50).
Por ai nuk ka mundur t’i gëzohet fitimit të shumës prej 506562 paund, pasi gjyqtari Friend i ra bilbilit para se topi i gjuajtur nga distanca nga Randolf Austin të ndalej në rrjetën e portës së boshatisur dhe takimi Lids-Totenhem u mbyll 2-1 e jo 3-1 si kishte parashikuar ai. Si rrjedhojë, ai përfitoi vetëm 17055 paund, një ngushëllim i vogël në krahasim me shumën që do të fitonte nëse gjyqtari do të kishte duruar edhe 1 sekondë më shumë.
Këtë fakt e ka pranuar edhe përfaqësuesi i kompanisë së basteve sportive “Ladbrokes”, Aleks Donohue. “Gjyqtari ka shkatërruar ëndrrën e klientit tonë. 17 mijë paund është një shumë e konsiderueshme, por ai ishte me kuptimin e plotë të fjalës vetëm një sekondë larg asaj që do t’i ndryshonte përgjithmonë jetën”.
Kompanitë e basteve e kanë cilësuar të dielën si një nga ditët më tronditëse për bastet sportive, pasi të tre skuadrat e Premier Ligës angleze nuk arritën të fitonin kundër kundërshtarëve që vinin nga kategori më të ulëta.