Situata e Rafael Benitez te Çelsi është përkeqësuar pasi është rritur ndjeshëm presioni që po bëjnë tifozët e ekipit londinez ndaj tij. Iniciativa më e fundit e tyre për të larguar trajnerin spanjoll është një peticion që po qarkullon në internet dhe që po firmoset me shpejtësi prej mijëra tifozëve që duan t’ia dorëzojnë atë pronarit Roman Abramoviç duke kërkuar largimin e menjëhershëm të spanjollit.
Një deklaratë gjendet në faqen e internetit change.org, ku janë mbledhur që tani 2 mijë nga 2500 firmat që nevojiten para se ta dërgojnë atë te pronari Roman Abramoviç.
“Tifozët janë jeta dhe gjaku i çdo klubi futbolli. Si tifozë, e kemi bërë gjerësisht të qartë se Rafael Benitez nuk ishte i mirëpritur te Çelsi, por bordi injoroi dëshirat e tifozëve, duke shkarkuar nga puna një legjende të Çelsit vetëm pak muaj pasi na kishte dhënë Kupën FA dhe Ligën e Kampioneve”, shkruhet në këtë deklaratë, ku tifozët tallen me prononcimin e famshëm të Benitez kur përmendte shumë herë fjalën “fakt”.
“Le të shohim FAKTET: Kemi humbur në Botërorin e Klubeve përballë Korinthians të cilin mund dhe duhej ta kishim mundur. Dolëm nga Kupa e Ligës pa asnjë shenjë jete. Jemi 9 pikë më larg kreut të renditjes sesa në momentin kur Rafael Benitez u punësua. Forma jonë në kampionat është më e keqe sesa ajo e periudhës për të cilën Di Mateo u shkarkua. Taktikat e çuditshme si ndërrimi kokë për kokë i mbrojtësve kur po humbim, është kthyer në shenjën dalluese të trajnerit tonë”, shkruhet në deklaratën e cila më pas kërkon nga Roman Abramoviç dhe bordi i klubit që të shkarkojnë menjëherë Benitez, duke bërë të qartë se ky peticion është thjesht një mënyrë që të gjithë të punojnë në të njëjtin drejtim, për të mirën e klubit ku aktualisht drejton një trajner që “nuk do të pranohet kurrë nga tifozët e Çelsit”./lajmeshqip