Revista më e famshme që flet për futbollin në botë, “France Football”, ka akuzuar hapur sot drejtuesit më të lartë të FIFA-s dhe UEFA-s se kanë manipuluar votimin për përzgjedhjen e Katarit si vendi organizator i Botërorit 2022, duke bërë që të mundej kandidatura e fuqishme e SHBA.
Sipas gazetës franceze, sheikët e Katarit kanë blerë me sukses votat që i nevojiteshin me mbështetjen e FIFA-s, UEFA-s dhe Federatave të Francës e Emirateve të Bashkuara Arabe.
“France Football” shkruan se personazh kryesor i kësaj ngjarje është Mishel Platini, si një nga përgjegjësit e negociatave të ndryshme. Gjithçka është diskutuar shumë hapur me 23 nëntor 2010 në një mbrëmje të organizuar nga presidenti francez i atëhershëm, Nikolas Sarkozi, princi i Katarit, Al Tani dhe Mishel Platini, ku është bërë marrëveshja për votat që nevojiteshin.
Që në atë moment, sheiku Al Tani premtoi se merrte përsipër të blinte PSZH dhe ta kthente në lavdinë e vet, duke ndërtuar edhe një kanal televiziv që do të mposhte hegjemoninë e transmetimeve sportive të “Canal+”. Si këmbim, Platini duhej të hiqte dorë nga mbështetja e hapur ndaj kandidaturës së SHBA, që ishte rivali më i fortë në këtë garë.
Praninë në këtë darkë e ka pohuar edhe vetë Platini. “U ftova nga presidenti Sarkozi dhe aty ishte edhe kryeministri i Katarit. Zoti Sarkozi nuk më kërkoi asnjëherë gjatë darkës që të votoja për Katarin. Më ftuan për darkë por e dinin që unë isha i pavarur dhe do të votoja për kë të dëshiroja”, është justifikimi i Platini, i cili menjëherë pas votimit të atëhershëm deklaroi se kishte zgjedhur Katarin pasi ishte momenti i duhur për të bërë një Botëror në atë pjesë të globit.
Në listën e personave të përfshirë në këtë çështje është edhe ai i presidentit të Barcelonës, Sandro Rosell, që ka shtyrë shoqatën e klubeve elitare të ndikojnë në Federatat vendase për të mbështetur Katarin, falë investimeve që ky shtet i ka siguruar ekipit katalanas. I përfshirë është edhe presidenti i Federatës Spanjolle, Angel Maria Vilar, i cili mbështeti kandidaturën e Katarit si shkëmbim i mbështetjes që ky vend do të jepte për organizimin e mundshëm të Botërorit 2018 në bashkëpunim me Portugalinë. Në marrëveshje përfshihej edhe një miqësore në Emiratet Arabe, nga e cila do të përfitoheshin shumë para. Është kurioz fakti se pikërisht me 6 shkurt, në Doha të Katarit luhet miqësorja mes Uruguait dhe Spanjës.