Portieri i kombëtares shqiptare, Saimir Ujkani, duket se do të luajë për Kievon duke filluar nga kjo javë. Sipas mediave italiane, Palermo ka arritur një akord me Kievon për t’ia dhënë Ujkanin borxh deri në fund të këtij sezoni portierin shqiptar, me detyrimin që në fund të sezonit, ekipi nga Verona të blejë gjysmën e kartonit të tij.
Ujkani e humbi vendin e titullarit tek Palermo, duke qenë se ekipi siçilian mori pikërisht nga Kievo Sorentinon, i cili tashmë është titular në ekip, ndërkohë që Ujkani pritet ta zëvendësojë atë tek Kievo.
Mediat italiane kishin bërë me dije se për Ujkanin kishin shfaqur interes edhe Interi, Lacio dhe Fiorentina, por sipas të gjitha gjasave, tashmë ai do të përfundojë tek Kievo, duke qenë se të dyja klubet kanë arritur një akord.