Federata Shqiptare e Futbollit nuk do të pranojë më të bëhet pjesë e shantazheve të futbollistëve të ndryshëm që shfrytëzojnë interesimin e kombëtares kuqezi për të përfituar ftesa nga kombëtaret e tjera evropiane në vendet ku luajnë. Situata të tilla janë përsëritur shpesh në vitet e kaluara, edhe me futbollistë që kanë veshur apo veshin fanellën kuqezi dhe tashmë është vendosur që fenomene të tilla të mos lejohen më.
Në mbledhjen e parë të vitit 2013, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka vendosur me votim unanim që të miratohet një rregull i veçantë për futbollistët që thirren në ekipet kombëtare.
“Nëse një futbollist nuk i përgjigjet pa asnjë arsye ftesës për t’u bërë pjesë e ekipeve kombëtare, nuk do ta ketë më këtë mundësi në të ardhmen”, shkruhet në vendimin e marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së.
Ky fenomen ndeshet shumë shpesh në kombëtaret e moshave, me futbollistët që luajnë jashtë territorit shqiptar, të cilët kanë refuzuar pa asnjë arsye konkrete ftesat e ardhura nga përfaqësueset. Në kombëtaret e moshave kjo gjë bëhet në mënyrë që lojtarët e rinj të përfitojnë ftesa nga kombëtaret e një moshe më të madhe për të rritur prestigjin e tyre dhe normalisht për të bërë emër në klubet që militojnë. Të tjerë lojtarë i përdorin refuzimet për të negociuar me kombëtaret e vendeve ku luajnë, ngjarje të cilat kanë ndodhur me rregullsi sidomos në Greqi e Zvicër.
Por një gjë e tillë ka ndodhur në të kaluarën edhe në kombëtaren e madhe. Dy rastet më të njohura janë ato të Besart Berishës dhe Mergim Mavrajt, të cilët refuzuan disa herë ftesën e kombëtares shqiptare dhe e pranuan atë vetëm pasi nuk arritën të siguronin një ftesë nga kombëtarja gjermane e futbollit, duke lënë për një kohë të gjatë në pritje Federatën Shqiptare të Futbollit.
Vendimi me i drejte qe eshte marre deri tani nga FSHF.