Kombëtarja shqiptare e futbollit U-21 do të ketë një grup shumë të vështirë në eliminatoret e Euro 2015, pasi në grupin e saj do të ketë atë që quhet skuadra elitare e kësaj grupmoshe, Spanjën.
Kampionët në fuqi të këtij aktiviteti janë vënë në kreun e grupit 4 pas shortit të hedhur sot, i njëjti grup ku përveç Shqipërisë janë caktuar edhe Hungaria, Bosnje Hercegovina dhe Austria.
Fakti që në këtë grup me 5 skuadra ka shumë ekipe të forta, tregon qartësisht që shanset e kuqezinjve për kualifikim janë minimale, ndërsa do të tentohet si zakonisht që në këto ndeshje të përgatiten lojtarë të cilët në të ardhmen mund të bëjnë tranzicionin në kombëtaren e madhe.
Pas hedhjes së shortit është përcaktuar edhe kalendari i ndeshjeve, të cilat për kuqezinjtë fillojnë në qershor me sfidën kundër Hungarisë në vendin tonë.
Datat e ndeshjeve të përfaqësueses U-21 në Euro 2015:
07.06.2013 Shqipëri-Hungari
11.06.2013 Bosnje Hercegovinë-Shqipëri
04.08.2013 Shqipëri-Austri
09.09.2013 Spanjë-Shqipëri
15.10.2013 Shqipëri-Bosnje Hercegovinë
14.11.2013 Hungari-Shqipëri
18.11.2013 Shqipëri-Spanjë
05.03.2014 Austri-Shqipëri