Trafikuesit dhe kontrabandistët shqiptarë i kanë braktisur metodat e vjetra të trafikimit të qenieve njerëzore për në Angli, duke gjetur formën më të mirë të mundshme.
Duke iu referuar raporteve të policisë kufitare franceze dhe asaj britanike, të cilat citohen nga “Daily Mail”, grupet shqiptare kanë nisur të paguajnë pronarë jahtesh luksoze për të sjellë emigrantë të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Policia kufitare britanike pranoi se, kontrabandistët shqiptarë paguajnë pronarët e jahteve luksoze, për të trafikuar njerëz në Britani, për shkak se këto mjete kontrollohen shumë pak nga organet detare.
Emigrantët ilegalë shqiptarë, tradicionalisht kanë përdorur trenin e Lionit për të hyrë në Britani përmes ngushticës, që ndan Francën dhe Anglinë, por tashmë ata kanë gjetur partneritet me pronarë të jahteve luksoze. Këtë e kanë konfirmuan edhe zyrtarë në Francë, të cilët kanë pasur disa precedentë të mëparshëm kohët e fundit.
Rojet kufitare franceze gjetën në 12 janar 15 shqiptarë të fshehur në një jaht, që kushtonte 100 mijë paund. Dy francezët, të cilët ishin drejtuesit e jahtit, i treguan gjykatës së vendit, se mafiozë nga Kosova dhe nga Shqipëria i kishin paguar ata, për të bërë udhëtime të rregullta përmes ngushticës që ndan Francën nga Britania. Në këto udhëtime, ata transportonin emigrantë të paligjshëm shqiptarë, nga Franca për në Britani. Sipas autoriteteve, emigrantët pa asnjë mjet identifikimi, paguanin 1000 euro për person për të udhëtuar drejt Britanisë së Madhe.