Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, ka dalë hapur kundër “nxënësit” të tij, Mishel Platini, i cili ishte ideatori i një liste propozimesh që më pas u miratua nga UEFA në Kongresin e fundit të saj. Konfederata Evropiane hodhi poshtë propozimet e bëra nga FIFA për të kufizuar në dy mandatë katërvjeçare jetëgjatësinë e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, ashtu si edhe kërkoi që presidenti i FIFA-s të qëndrojë në pushtet maksimumi për 12 vite, jo 8 siç parashikon propozimi i ri i bërë nga Komisioni i FIFA-s.
“Reforma është në proces dhe po shkon drejt përfundimit. Dy pjesë të saj janë implementuar nga Kongresi, caktimi i një komisioni të pavarur etike dhe fakti se Kupa e Botës në të ardhmen do të caktohet nga Kongresi dhe jo Komiteti Ekzekutiv. Por tani kanë mbetur edhe 10 a 11 pika të tjera që do të diskutohen në Kongresin e ardhshëm në maj”, tha Blater.
“Jam i çuditur nga reagimi i UEFA-s, pasi ne i thamë konfederatave të konsultoheshin me federatat anëtare rreth reformave. Jam i çuditur pasi nuk dukej si një konsultim, ishte si një vendimmarrje nga UEFA ku federatat anëtare kanë nënshkruar një peticion kundër këtij vendimi. Në Kongres të gjitha Federatat kanë të drejtë të flasin individualisht pro apo kundër, nuk kërkuam që të merren vendime që tani. Nëse çdo Konfederatë merr një vendim të tillë, atëherë për çfarë arsyeje duhet të ekzistojë një Kongres?”, tha Blater.
Duket se lufta kundër shkurtimit të mandateve nga UEFA vjen për faktin se të gjithë janë të sigurt se Mishel Platini do të jetë kandidat për postin e presidentit të FIFA-s në vitin 2015, ndërsa shumë prej emrave të njohur mes presidentëve të federatave evropiane janë kandidatë për një vend në Komitetin Ekzekutiv të institucionit që drejton futbollin botëror./lajmeshqip