Kristiano Ronaldo, nostalgjik për Mançester Junajtid

10 Shkurt 2013, 15:29Sport TEMA

Kristiano Ronaldo nuk e ka harruar periudhën 6-vjeçare në të cilën ka veshur fanellën e Mançester Junajtid pasi ylli portugez i Real Madrid ka pranuar se ajo ka qenë periudha më e mirë në karrierën e tij.

“Po, Mançesteri ishte një cikël shumë i mirë për mua. Unë fitova gjithçka atje, ishte një pjesë fantastike e jetës time. Ndoshta ajo është periudha kur unë iu gëzova më shumë futbollit, pasi isha më i ri. Te jesh te Mançester Junajtid, një nga klubet më të mëdha në botë, në moshën 18 vjeçare, ishte thjesht një ëndërr! Ashtu ishte edhe të luaja përkrah atyre lojtarëve që kisha parë vetëm në televizor. Ndoshta kjo është arsyeja pse ndjej se atje jam kënaqur më shumë duke luajtur”, shpjegoi ylli i Real Madrid.

Portugezi shënoi 118 gola në 292 ndeshje me Mançester Junajtid, por ka arritur të dyfishojë shifrën në 179 gola në 178 ndeshje për Real Madrid, në një progres të pabesueshëm.

“Nuk është se unë jam dyfish më i mirë në krahasim me periudhën te Junajtid, jam thjesht më i pjekur dhe kam mësuar disa gjëra. Duhet të kuptoni që futbolli në Spanjë është ndryshe, skuadra është ndryshe. Shumë gjëra janë ndryshe”, tha 28 vjeçari që do t’i jetë gjithmonë mirënjohës Aleks Ferguson për atë që i ka mësuar në karrierën e tij.

“Erdha te Mançester Junajtid kur isha vetëm 18 vjeç dhe ai më mësoi si të rritesha në botën e futbollit. Kush mund të ishte më mirë se ai? Ai ka kaluar 1 mijë lojtarë në duart e tij. Ndaj e di dhe vlerëson atë që i nevojitet lojtarëve të rinj. Gjëja më e rëndësishme që më ka mësuar është rëndësia për të marrë vendime, në fushën e lojës dhe jashtë saj. Kjo është arsyeja pse them se ai është si një baba për mua”.

“Ai më mësoi gjithçka, më ndihmoi aq shumë, me udhëzoi në gjëra të rëndësishme. Kjo ishte në futboll dhe në jetën e përditshme, pasi influenca dhe interesimi i tij nuk mbaron me vijat rrethuese të fushës. Ai kujdeset për ty si individ. Ai është një njeri që kupton çfarë ti dëshiron dhe çfarë të nevojitet. Ai di si të trajtojë njerëzit, si t’i bëjë të lumtur, si të të motivojë. Ndaj i jam atij mirënjohës. Kjo është arsyeja pse vazhdoj të jem në kontakt me të dhe do të jetë fantastike të takohemi përsëri”, tha portugezi që këtë javë do të luajë për herë të parë pikërisht ndaj ish-skuadrës së tij, Mançester Junajtid, me trajnerin skocez që do ta shohë si kundërshtar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje