Xhon Toshak, trajneri që ka drejtuar mes të tjerëve edhe Real Madrid, është i sigurt se Majkëll Laudrup po ndiqet me interes nga madrilenët që kërkojnë të marrin trajnerin danez në sezonin e ardhshëm. Laudrup ka shkëlqyer në këtë sezon me Suonsin, duke i dhënë uellsianëve edhe trofeun e parë në historinë e klubit, Kupën e Ligës, ndërsa po luajnë në një nivel shumë të lartë edhe në kampionat.
“Kur e shoh atë më kujtohet një lojtar ndër më të mirët e brezit të tij, atë që u kthye në një trajner të kalibrit të lartë me një prej klubeve më të famshme në botë. Kur shoh Laudrup, unë shoh Johan Krujf. Të dy ishin lojtarë të shkëlqyer dhe ngjashmëritë si trajnerë po bëhen gjithnjë e më të mëdha”, tha Toshak.
“Është shumë e kuptueshme që Real Madrid po e vëzhgon këtë ish-lojtar, që ka mbajtur fanellën e skuadrës nga viti 1994, deri në vitin 1996. Unë e di që ata po e vëzhgojnë me vëmendje për në sezonin e ardhshëm. Por ajo që po kalon te Suonsi është e mrekullueshme dhe nuk e di nëse Laudrup do të dëshironte të prishte këtë marrëdhënie të shkëlqyer që ka krijuar. Sigurisht, shansi për të drejtuar Real Madrid nuk të vjen shumë shpesh”, tha trajneri uellsian./lajmeshqip