Real Madrid luan shanset e një trofeu në këtë sezon në ndeshjen kundër Barcelonës në Kupën e Mbretit, në takimin e kthimit që zhvillohet në “Kamp Nou”. Ndaj për këtë ndeshje, Zhoze Murinjo ka vendosur të lërë pas “inatet personale”, duke vendosur të zgjedhë një formacion sa më të mirë të mundshëm me shpresën për të mundur katalanasit dhe për të vazhduar më tej në këtë trofe.
Kjo do të thotë se ai ka filluar të marrë seriozisht në konsideratë idenë e aktivizimit si titullar të Rikardo Kaka, i cili është shfaqur shumë më në formë se Angel Di Maria në ndeshjet e fundit, sa herë është aktivizuar.
Murinjo e kishte nxjerrë krejtësisht jashtë planeve të tij brazilianin, sidomos pasi ky i fundit kërkoi në janar që të transferohej te Milani. Por duke parë se argjentinasi po zhgënjen në paraqitjet që ka bërë me skuadrën ndërsa braziliani ka filluar të japë disa sinjale përmirësimi, mendohet se ky i fundit do të përzgjidhet për ndeshjen e të martës.
Kjo do të thotë se Reali nuk do të provojë të luajë një ndeshje krejtësisht në kundërsulm siç do të ndodhte me Di Marian në fushë, pasi me Kaka, Ozil dhe Ronaldo pas krahëve të Higuain, Reali do të ishte një skuadër më e prirë ndaj fantazisë sesa ndaj kundërzbritjeve të shpejta.