Për Lionel Mesin, një kalendar i ngjeshur me shumë ndeshje nuk përbën një shqetësim, pasi sipas tij, tani trupi i është mësuar me një ritëm të tillë “duke luajtur shumë ndeshje prej shumë vitesh”.
“Jam i mësuar të luaj shumë ndeshje prej shumë vitesh dhe e ndjej veten më mirë kështu. Trupi im reagon më mirë kur nuk bën pushim. Dinamika e aktiviteteve nuk na lejon të vlerësojmë atë që po arrin kjo skuadër, por ndoshta një gjë e tillë do të vijë me kohë”, deklaroi lojtari për “Barça TV”.
Ndeshjet e radhës ndaj Real Madrid janë vendimtare për ecurinë e sezonit të katalanasve, sidomos ajo e Kupës së Mbretit që i jep mundësinë të vazhdojnë rrugën për një objektiv prestigjioz.
“Kundër Madridit duhet të jemi në nivelin tonë më të mirë pasi nëse nuk e bëjmë një gjë të tillë, nuk do të kualifikohemi, pasi kemi përballë një rival të pabesueshëm. Nuk duhet të rrimë duke menduar për ndeshjen kundër Milanit apo pjesën e parë ndaj Seviljes. Duhet të rigjejmë ndjesitë dhe formën tonë më të mirë pasi kemi përpara ndeshje shumë vendimtare”, tha argjentinasi.