Xhudistja Majlinda Kelmendi i ka bërë një ultimatum të mirëfilltë Qeverisë së Kosovës duke kërkuar që brenda 10 ditëve të plotësohen kërkesat e saj siç parashikon Ligji për Sportin, në të kundërt do të zgjedhë të përfaqësojë një shtet tjetër, pas ofertave të shumta që ka marrë gjatë kësaj periudhe.
Xhudistja 21 vjeçare shkëlqeu në Grand Prix të Dyseldorfit dy ditë më parë, duke marrë medaljen e artën në këtë aktivitet për peshën deri në 52 kilogram, ndërsa ka fituar elozhe edhe nga shtypi ndërkombëtar, ku përfshihet edhe kanali televiziv prestigjioz “Euronews”.
Por vlerësimet ndërkombëtare duket se janë më të mëdha se ato kombëtare, ku pavarësisht fjalëve të shumta, Kelmendi nuk ka marrë ende shpërblimet që i takojnë sipas ligjit për sukseset në arenën ndërkombëtare. Si rrjedhojë, ka ardhur edhe ultimatumi i sportistes, gjatë një intervistë të dhënë në “KTV”.
Sipas saj, janë tre shtete që e kërkojnë me ngulm prej kohësh dhe janë gati ta paguajnë që t’i përfaqësojë në të ardhmen. Nëse Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë indiferente ndaj ultimatumit të saj, xhudistja do të pranojë të përfaqësojë një shtet tjetër në aktivitetet ndërkombëtare.
Tani fjala i kalon shtetit kosovar e sidomos Ministrisë së Sporteve, e cila e ka kthyer Kelmendin në një simbol të sportit kosovar duke shfrytëzuar në maksimum imazhin e saj, por që me sa duket nuk po respekton detyrimet ndaj kësaj sportisteje elitare. /lajmeshqip
Kelmendi ,mesa pashe une ne TV,(ne rast se nuk ishte pjese e rregjistruar nga ndonje aktivitet tjeter) luajti me stemen e Shqiperise dhe flamurin kuq e zi.Federata dhe qeveria e Shqiperise e ka per detyre ta shperbleje financiarisht.