INTERVISTA/ Mehmet Kraja: Identiteti kërkon rikthim bashkëkohor në themele

28 Shkurt 2013, 22:24Rajoni TEMA

Intervistoi: Donjeta Demolli 

Në një intervistë të gjatë për Gazetën Jeta në Kosovë, shkrimtari Mehmet Kraja reflekton mbi temat më të rëndësishme të kulturës dhe intelektualizmit në Kosovë dhe Shqipëri. 

Në katër kapituj (Identiteti, Kultura, Politika, Mediat), ai shpjegon arsyet e rikthimit të identiteteve themelore dhe debatet tona qesharake; faktin tragjik të mungesës së kosovarëve të shquar në Rilindjen Kombëtare; debatin Qosja – Kadare; reagimin e natyrshëm ndaj himnit të Kosovës; raportin mes kombit dhe shtetit; fatin e integrimit kombëtar në fatkeqësinë e dëbimit në 1999; mosbesimin e tij te ndryshimet politike, por te ndryshimi në politikë. 

Kraja flet për “bandat politike” në institucionet kulturore; shfytyrimin e elitave kulturore dhe intelektuale; shpëtimin e letërsisë së Kosovës nga provincializmi me integrimin e saj në letërsinë e gjithëmbarshme shqipe; klanet që synojnë ta marrin Akademinë nga brenda; të ashtuquajturit studiues, që spekulojnë me teoricienë të famshëm; përvetësimin e përkthimeve të Kosovës nga botuesit në Tiranë; mungesën e përkthimeve letrare në Kosovë dhe botimet me tepri në Shqipëri; indiferencën gjatë leximit të gazetave; dallimet mes mediave; idenë e të shkruarit për individin, jo për turmën.

Në librin “Identiteti kosovar”, ju merreni me trajtimin e një teme e cila ka filluar të problematizohet në dekadën e fundit. Sa ka mundësi ta shtjellojmë fundamentalisht këtë çështje, duke pasur parasysh se debatet intelektuale te ne janë shumë të rralla?

Mehmet Kraja: Është supozuar se tema e identiteteve shpejt do të dalë jashtë përdorimit, se në shekullin XXI nuk do t’i hyjnë në punë më askujt çështjet identitare, se këto probleme janë tejkaluar në shekullin XX dhe se tani, në kohën e intensifikimit të komunikimit dhe të lëvizjeve të tjera në botë, identiteti i perceptuar si emblemë kombëtare ose shtetërore nuk mund të jetë gjë tjetër, përveç se strehë për të prapambeturit, për konservativët lokalë ose për nostalgjikët e kohëve të shkuara, në një kohë që njerëzit tashmë kanë krijuar identitetin kontemporan, që në të vërtetë duhet të jetë “krijesa humane universale” ose “qytetari i botës”, siç quhen ndryshe. Tani të gjithë e dinë se nuk është kështu. Çështjet identitare po rishfaqen, madje me një ashpërsi, që nuk është besuar më parë. Pa dashur që të bëhem parashikues i zymtë i së ardhmes së shoqërive mbiidentitare, mund të them se nocionet mbiidentitare, siç janë ato që i përmenda më lart, po treten me një shpejtësi marramendëse, për t’i lënë hapësirë rikthimit të shoqërive në identitetin e tyre themelor. Por unë nuk them se ky identitet themelor është identitet tradicional, konservativ, i pareformuar, madje primitiv, përkundrazi, është identitet bashkëkohor, që merr parasysh të gjitha rrethanat e botës së sotme. Kurse debatet tona për këtë temë shpesh janë qesharake, ngjajnë me ligjërata nëpër “kurset e integrimeve” të OJQ-ve, ku zhveshja identitare konsiderohet si vlerë, ose si parakusht për integrime evropiane, etj. Në këto diskutime vetë koncepti i identitetit është deformuar në esencën e tij, sepse është kthyer në dogmë, prandaj diskutimet në këtë temë shpesh duken si diskutimet dikurshme në forumet e lidhjes socialiste për vëllazërim-bashkimin.

A ndjeheni të zhgënjyer që ky libër nuk ka shkaktuar shumë debat? Cilat kanë qenë pritjet? 

Mehmet Kraja: Jo, nuk jam i zhgënjyer. Libri është lexuar më shumë se çdo libër tjetër i ngjashëm në Kosovë, është shitur i tëri dhe ka kaluar dorë më dorë, edhe përkundër mungesës së reklamës dhe anashkalimit që i është bërë. Së shpejti do të përgatis botimin e dytë, të plotësuar me literaturë dhe referenca. Më anë tjetër, është e vërtetë se libri nuk ka shkaktuar debat, por ka mbyllur një debat të improvizuar dhe spekulativ për identitetin kosovar. Ata që pandehnin se mund t’i manipulonin kosovarët me një identitet politik të shpikur për një përdorim dhe që janë me shumicë nëpër media dhe në radhët e të ashtuquajturës shoqëri civile, nga ky libër u gjenden të zbuluar, humbën terrenin dhe hapësirën e spekulimit. Ata e kuptuan se të bësh identitet nuk mjaftojnë disa tullumbace politike dhe një korpus gabimesh gjuhësore; madje nuk mjafton as Plani i Ahtisaarit, që njëkohësisht zgjidh dhe i vë kufizime zgjidhjes së çështjes së Kosovës; madje nuk mjafton as pavarësia e Kosovës, për të krijuar një identitet të mëvetësishëm kombëtar. Duhet një korpus vlerash, të cilat Kosova, marrë e shkëputur nga bota shqiptare, nuk ka arritur t’i krijojë, pra nuk i ka. Këta njerëz harruan se një komb të këtillë kosovar ishte provuar të formohej edhe në kohën e Jugosllavisë. Por, më anë tjetër, këta njerëz janë me ndikim të madh në mediet tona dhe ata bënë çdo gjë që libri të heshtej. Ua sjell një shembull: pas botimit të librit, redaktori i kulturës në RTK më thirri me telefon dhe paralajmëroi se për këtë libër do të organizonte një cikël debatesh. Jo që debatet nuk u bënë kurrë, madje as një i vetëm, por ai nuk u shfaq kurrë më as në telefon. Ndryshe qëndron puna me Shqipërinë. Pavarësisht se bëhej fjalë për një temë “ekskluzivisht kosovare”, libri gjeti lexues të kualifikuar në qarqet intelektuale. Në këtë rast unë bëra gabim që librin nuk e vura në qarkullim edhe në Tiranë. 

Librin e keni ndarë në tri pjesë: historike, kulturore dhe politike. A mund të thuhet se ekziston një determinizëm sa i përket raportit ndaj identitetit kosovar: aspekti historik (i cili na është imponuar), mund ta ketë orientuar edhe përmbajtjen e aspektit kulturor dhe atij politik?

Mehmet Kraja: Ndarja është metodike, për efekt leximi, ndërsa çështjet paraqiten të lidhura pashkëputshëm me njëra-tjetrën. Unë nuk e them dot se determinizmi historik, siç thoni ju, ka krijuar dhe orientuar edhe aspektet politike apo kulturore, sepse në një moment të caktuar, ai që ne, nga kjo distancë, e quajmë determinizëm historik, ka qenë çështje e pastër dhe e thjeshtë politike ose kulturore. Por është e njohur: një problem politik i pazgjidhur në një kohë të caktuar, kushtëzon zgjidhjet e mëvonshme. Kjo vlen edhe për çështjet kulturore. Sot mund ta kemi të vështirë ta marrim me mend se sa tragjik për Kosovën ka qenë fakti se ajo nuk mori pjesë me asnjë figurë të shquar në Rilindjen Kombëtare, por tani ky është fakt historik i pakontestueshëm, i cili me kohë sikur është kthyer në vetëdije varshmërie kulturore të Kosovës ndaj Shqipërisë. 

Vite më parë është zhvilluar një debat midis Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes për kahet e identitetit të shqiptarëve. Sa janë të mjaftueshme këto kontribute, përfshirë edhe shkrimet e kohëpaskohshme në gazetat e përditshme, që të krijohet një masë kritike për këtë temë?

Mehmet Kraja: Në librin tim unë nuk iu kam referuar asnjëherë këtij debati, ndonëse jam marrë me çështje të cilat kanë qenë edhe objekt i asaj polemike. Në atë polemikë konsideroj se ka pasur sforcime të panevojshme, ndonjëherë edhe të diskutueshme, por ka pasur edhe një ngatërresë konceptuale: historia përzihet me aktualitetin dhe perspektivën. Mbase këtu ekziston edhe një ndarje botëkuptimore, e cila reflekton dy realitete kulturore në botën shqiptare, por këto dy realitete nuk janë dy identitete, siç mund të pretendohet gabimisht, por janë vetëm dy përvoja historike dhe kulturore, të cilat ndonjëherë tërheqin me vete mosmarrëveshje dhe keqkuptime.

Shpresoj të mos shkaktoj reagime dhe polemika të panevojshme nëse them se Rexhep Qosja në këtë polemikë shfaqet si kosovar, i cili, në substratin e tij kulturor, ndër të tjera, ndjen edhe një shtresim historik oriental, në qëndrimin e tij ka ekskluzivitet dhe bajraktarizëm kulturor, që është karakteristikë e kosovarëve më pak të emancipuar, por edhe ngarkesa të tjera, të cilat janë produkt i rrethanave tona. Ndërsa Kadareja, duke qenë shqiptar i një Shqipërie më oksidentale, me një shtetësi njëqindvjeçare, sikur e ka të vështirë t’i akceptojë pikëpamjet e këtilla të një kosovari, i cili ende luhatet ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, ndërmjet trashëgimisë së tij të rëndë (më të rëndë se ajo e Shqipërisë) dhe të ardhmes së panjohur. Më anë tjetër, kur ndodhi kjo polemikë, kosovarët hezituan të përfshiheshin në diskutime të këtilla, për një arsye shumë të thjeshtë: ende nuk ishin të përgatitur të liroheshin nga paradigma e historicizmit recidivist.

Në një ndeshje futbolli ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, të luajtur në Prishtinë, publiku kosovar e ka kundërshtuar me fishkëllima himnin e Kosovës, kurse e ka kënduar atë të Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo?

Mehmet Kraja: Janë reminishenca të një realiteti. Njerëzit e dinë, qoftë edhe instinktivisht, se zgjidhja e çështjes shqiptare përmes një shteti të dytë, është zgjidhje politike konjukturale, pra nuk është rezultat i një procesi historik. Por nuk është vetëm kjo. Ky është edhe një reagim i natyrshëm kundrejt ideve që synojnë desintegrimin e identitetit dhe të substancës kombëtare. Të jemi të qartë: Kosova ende ndihet e rrezikuar, madje, ndryshe nga pjesa tjetër e Europës, ende ndihet e rrezikuar edhe nga idetë. Kosova ka pasiguri, prandaj gjeti rast dhe ua ktheu shpinën të gjithë atyre që filluan të trumbetonin identitetin e saj të dyzuar.

Është thënë se Kosova duhet t’i krijojë mitet e veta, të cilat mund të ndihmojnë në krijimin e vetëdijes sonë të përbashkët për shtetin…

Mehmet Kraja: Jo, jo, vetëdija nuk krijohet me mite, gabim e ka kush e thotë këtë. Ky është modeli serb i krijimit të vetëdijes për një përkatësi të përbashkët. Në studimet antropologjike mitet konsiderohen shtresime etnopsikologjike, që, në shumë pika, determinojnë sjelljen e një individi në raport me bashkësinë dhe me realitetin që e rrethon. Teoritë serbe, të mbështetura në teoritë antropogjeografike dhe nacionaliste të shekullit XIX, e kanë paraqitur “çështjen serbe” si çështje mitike, e cila prek subkoshiencën e individit të asaj bashkësie, që domethënë se serbi është serb nga një përcaktues natyror, dhe lufton për çështjen serbe i shtyrë edhe nga nxitës që vijnë nga subkoshienca. Natyrisht që kjo është marrëzi joshkencore. Pra, Kosova nuk ka mite dhe nuk ka përse ngarend pas fantazmagorive të këtilla. Kosova duhet të ketë vlera, që të bëhet dhe të mbahet si shtet. Por ajo assesi nuk ka nevojë ta improvizojë kombin për të qenë shtet, këtë besoj se e kemi të qartë tashmë.

Ju keni jetuar disa vjet në Shqipëri, në vitet e nëntëdhjeta. Nga aspekti identitar, sa ka ndryshuar perceptimi i ndërsjellë mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës prej asaj kohe deri më sot?

Mehmet Kraja: Raportet Kosovë-Shqipëri në njëqind vitet e pavarësisë së Shqipërisë kanë njohur luhatje, ndonjëherë keqkuptime. Nuk dua të ndalem shumë në këtë temë (në libër këtë çështje e kam elaboruar gjerësisht), por mjafton të them se ndryshimet thelbësore kanë ndodhur më 1999. Ata që më 1998-99 dëbuan një milion kosovarë, çuditërisht, pa e pasur mendjen, i bënë edhe një shërbim kombit shqiptar: bënë një integrim të ndërvetshëm të shqiptarëve, më shpejt dhe në mënyrë më efikase se në çdo rrethanë tjetër. Por edhe një gjë më duhet të them: për Shqipërinë edhe në Kosovë ka paragjykime.

 (Vijon)

4 komente në “INTERVISTA/ Mehmet Kraja: Identiteti kërkon rikthim bashkëkohor në themele”

  1. shkupi i madh says:

    analize e nivelit te larte.kraja per mua eshte publicisti me i mire qe kane shqiptaret.vlersimet e tije jane te cilesise se mirfilte te gjerave te spektrit ndershqiptare, dhe,sqarim shume i hollshem per budallarimet per egzistencen e ,kombit,,kosovar

  2. Qarrishta says:

    Ka shtetësi kosovare por assesi kombësi kosovare!

  3. Vloraku ne Toronto says:

    Mehmet Kraja eshte nder zerat me te qarte e me realist
    dhe nder mendjet me te kthjellta te meveteshme, ne syprinen kulturore e politike shqiptare ne kahjen europiane.

    Me shpetoi veç nje nenqeshje duke lexuar pergjigjet e tij, pikerisht: kur i duhej te gjendej mes dy sederllinjve shqipo-ballkanike qe bejne kot se koti sherr me njeri tjetrin!

    Harroi, o Mehmet, neglizhoi ne vjetersine e tyre!

  4. Tani says:

    Sikur ngutet z. Kraja ne vleresime…duhet filtruar ende keto ceshtjet identitare. Akademik Qosja eshte nje koke gjeniale dhe mendoj se jeni ngutur ne vleresimin “psikoanalistik” qe pretendoni t’ja beni… cfare mund te thuhet atehere per identitetin tuaj personal? pasoje e cfare frustrimesh bajraktariste e primtive jane vleresimet tuaja ndaj personalteteve tona kombetare? Filtroni me teper vleresimet tuaja para se t’i publikoni, z.Kraja!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje