Mançester Junajtid tani është gati të presë oferta për shitjen e Uejn Runit, ndërsa duket se ka vendosur edhe çmimin prej 25 milion eurosh për lojtarin anglez, vetëm gjysma e vlerësimit të këtij futbollisti një vit më parë.
27 vjeçari me sa duket nuk bind më Aleks Ferguson i cili nuk e sheh si të pazëvendësueshëm që në momentin kur afroi në skuadër Robin Van Persin dhe për këtë arsye ka dhënë miratimin e tij që numri 10 i “djajve të kuq” të shitet në fund të sezonit, për të financuar blerjen e një tjetër sulmuesi cilësor.
Sinjali më i qartë erdhi të martën, kur Uejn Runi e filloi ndeshjen kundër Real Madrid në stolin e rezervave, ndërsa sipas mediave angleze ka qenë shumë i nervozuar pas takimit me trajtimin që i ka bërë Ferguson, duke mos e cilësuar të aftë për të qenë protagonist në ndeshjen më të rëndësishme të vitit.
Futbollisti iu bashkua 9 vite me parë Mançester Junajtid, ndërsa gjatë karrierës së tij me fanellën e “djajve të kuq” ka shënuar 140 gola në 271 ndeshje. Por tani Ferguson mendon se Robin Van Persi dhe Dani Uellbek formojnë dyshen perfekte të skuadrës së tij. Për më tepër, paratë e shitjes së Runit do të shërbejnë për të investuar për afrimin e një qendërsulmuesi të mirëfilltë, polakut Robert Levandovski, të cilin Ferguson e ndjek prej shumë kohësh.
Mbetet të shihet se cilat janë skuadrat që mund të përballojnë blerjen dhe rrogën e Runit, ndërsa për momentit, kandidatët më të mundshëm janë francezët e PSZH.