Steaua Bukureshti trondit Çelsin, Interi turpërohet në Londër

8 Mars 2013, 00:23Sport TEMA

Steaua Bukureshti ka dhuruar surprizën më të madhe të ndeshjeve të para të 1/8 të finaleve të Europa League, duke arritur të mundë Çelsin me rezultatin 1-0. Ekipi rumun ka treguar se jo rastësisht ka ardhur në këtë fazë të turneut dhe për më tepër ka pretendime për të vazhduar më tej.

Një ndihmë shumë të madhe duhet thënë se ia ka dhënë Çelsi, që ka zhgënjyer në pjesën e parë duke u shfaqur pak apo aspak i rrezikshëm, edhe pse londinezët ishin favoritë para fillimit të takimit. Rumunët kanë kaluar në avantazh falë penalltisë së Rusesku dhe më pas kanë ditur të mbrojnë avantazhin në pjesën e dytë kur Çelsi u tregua disi më i rrezikshëm.

Një rezultat i rëndësishëm është fitorja e Lacios përballë Shtutgartin me rezultatin 2-0. Goli i Ederson në pjesën e parë dhe Onazi në pjesën e dytë kanë siguruar fitoren në transfertë për skuadrën italiane, që ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt çerekfinaleve të turneut.

Interi turpërohet në Londër

Totenhem ka mundur me rezultatin 3-0 Interin duke hedhur një hap shumë të rëndësishëm para për kualifikimin në çerekfinalet e Europa League. Ai që cilësohej si dueli më i fortë i kësaj faze të turneut, në fakt ka zhgënjyer pritshmërinë, pasi Interi i vërtetë nuk është shfaqur kurrë në “Uajt Hart Lein”.

Që nga minuta e parë e deri në të fundit kanë qenë anglezët që kanë kontrolluar lojën duke dominuar plotësisht. Beil dhe Sigurdson kanë konkretizuar brenda pak minutash epërsinë e dukshme të vendasve, ndërsa Vertongen në pjesën e dytë ka vulosur rezultatin 3-0. Një fitore e pastër, por që mund të kishte qenë shumë më e thellë për Totenhemin po të mos ishte për portierin e zikaltërve, Samir Handanoviç, që ka shpëtuar portën e tij nga gola të sigurt.

Në ndeshjet e tjera bie në sy fitorja e pastër 2-0 e Bazelit përballë Zenit Shën Petersburg, me skuadrën zvicerane që duket se është shumë pranë kualifikimit mes 8 ekipeve më të mira në këtë turne./lajmeshqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje