Trajneri i Mançester Sitit, Roberto Mançini, i është lutur policisë angleze që të arrestojë përsëri në ndeshjet e radhës sulmuesin argjentinas të skuadrës së tij, Karlos Tevez, duke ironizuar se problemet me ligjin ishin një shtysë më shumë për lojtarin që shënoi 3 gola në suksesin 5-0 ndaj Barnsli.
“Nëse ka një efekt të tillë te Karlos, unë do t’i lutesha policisë që ta ndalojë çdo ditë. Pas arrestimit ai shënoi tre gola ndaj shpresoj që një gjë e tillë të përsëritet edhe të premten e ardhshme”, tha trajneri italian.
Mediat angleze spekuluan se mes trajnerit dhe sulmuesit kishte pasur një tjetër debat, pasi në momentin e zëvendësimit, të dy u panë se shkëmbyen fjalë me njëri-tjetrin dhe argjentinasi dukej përsëri i nervozuar. Por Mançini ka minimizuar gjithçka.
“A ishte ai i dëmtuar? Jo, jo, jo, jo. Asgjë, asgjë. Unë thjesht e pyeta mos kishte probleme në muskuj, por ai më tha se ishte në rregull. Për ne është e rëndësishme që Tevez të vazhdojë të shënojë në këtë mënyrë pasi golat e tij na nevojiten në këtë pikë të sezonit dhe në Kupën FA”, shpjegoi Mançini duke minimizuar incidentin.