Gjykata dënon 21 tifozë me varje për ngjarjen e Port Said

9 Mars 2013, 13:51Sport TEMA

Një gjykatë egjiptiane ka konfirmuar dënimet me vdekje për 21 tifozë futbolli, për rolin e tyre në ngjarjet e ndodhura në stadiumin e Port Said një vit më parë, ngjarje të cilat sollën protesta të dhunshme dhe disa të vdekur.

Tragjedia me pasojë dhjetëra të vdekur ndodhi në shkurtin e vitit 2012 në fund të takimit mes Al Ahli të Kajros dhe skuadrës vendase të Al Masri, duke u kthyer në një vatër protestash të dhunshme në të dy qytetet. Spektatorët u shtypën për vdekje ndërsa mundoheshin të largoheshin nga stadiumi pas pushtimit të fushës nga tifozët e Al Masri, ndërsa shumë të tjerë u hodhën apo u shtynë nga shkallët e stadiumit.

Pasi gjykatësi rreshtoi emrat e 21 tifozëve, ai konfirmoi “dënimin me vdekje nëpërmjet varjes”. Në vendimin që u dha drejtpërdrejt në televizionet egjiptiane, gjykata e Kajros dënoi gjithashtu 5 persona të tjerë me burgim të përjetshëm ndërsa shpalli të pafajshëm 28 persona. Disa persona të tjerë morën dënime më të shkurtra me burg, për një total prej 73 personash të dënuar.

Pas këtyre vendimeve, priten trazira të tjera në Port Said, ku vendasit kanë nisur protesta të dhunshme kundër qeverisë. Të paktën 8 persona kanë humbur jetën në këtë qytet vetëm në javën e fundit, mes të cilëve 3 policë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje