Homoseksualiteti në futboll vazhdion të mbetet tabu dhe këtë fakt e kanë pranuar në mënyrë të hapur në Nigeri, ku është bërë e qartë se nuk do të pranohen lesbiket në futbollin e femrave.
Deklarata e bujshme ka ardhur nga përgjegjësja e futbollit për femra në këtë vend, Diliçuku Oniedinma, e cila ka bërë të qartë se nuk do të lejohet përfshirja në klube dhe kombëtaret nigeriane të futbollit të lojtareve homoseksuale.
“Çdo futbolliste e cila është e anëtarësuar në shoqatat e lesbikeve, do të skualifikohet”, ishte deklarata e saj që brenda pak orësh ka bërë xhiron e botës, duke bërë që edhe FIFA të dërgojë me urgjencë një letër në Federatën Nigeriane të Futbollit duke kërkuar shpjegime për këto deklarata diskriminuese.
Por Oniedinma nuk është ndalur këtu, duke vendosur klubet para përgjegjësive dhe duke kërkuar që të jenë ato të parët që ndërmarrin masa drastike. “Do t’u kërkojmë përgjegjësve të klubeve që të kontrollojnë lojtarët e tyre dhe nëse zbulohet një gjë e tillë, nuk do të luajnë në kombëtare”, tha ajo, edhe pse nuk dihet saktësisht se cila do të jetë metoda që do të përdoret për të zbuluar homoseksualizmin apo jo të futbollistëve nigeriane.